Privatizimi i “Albpetrol”, “Vetro Energy” konfirmon pagesën e garancisë

770
Sigal

Konsorciumi “Vetro Energy” ka autorizuar bankën e saj jashtë vendit për kryerjen e pagesës së 20% të garancisë për privatizimin e “Albpetrol”-it, bankë, e cila do të përmbushë të gjitha procedurat përkatëse për kalimin e kësaj shume pranë qeverisë shqiptare. Gjithashtu, mësohet se do të përfundojnë me ritme të përshpejtuara të të gjitha marrëdhënieve që Vetro Energy ka me Ministrinë e Ekonomisë për këtë proces. Lajmi konfirmohet ekskluzivisht nga aksioneri kryesor i konsorciumit, Rezeart Taçi. Me pagesën e shumës së mësipërme autoritetet shqiptare bashkë me kompaninë fituese të tenderit të blerjes së “Albpetrol” kanë afruar edhe datën e pagesës së totalit të shumës së kësaj blerje, prej 850 milionë euro. Zv.ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj deklaroi pak ditë më parë se në rast se, kompania do të depozitojë garancinë e kontratës prej 20 për qind, atëherë konsorciumit do t’i ofrohej mundësia për të vazhduar negociatat. Përfundimi me sukses i kësaj marrëveshje është një lajm i mirë për ekonominë. Pasi, përveçse realizohet me sukses blerja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga privatizimet, kalimi i “Albpetrol”-it me pronësi private pritet të rrisë performancën e kompanisë së naftës, duke shtuar prodhimin, duke gjeneruar vende të reja pune dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit. Kompania “Vetro Energi” u shpall fituese në tenderin për shitjen e kompanisë “Albpetrol”. Veç ofertës financiare 850 milionë euro të ofruar për 100% të aksioneve të “Albpetrol”, konsorciumi do të investojë në 5 vitet e ardhshme 220 milionë dollarë. Aksionerët e “Vetro Energy” janë “YPO Holdings” dhe “SilkRoad Equity”. Konsorciumi do të investojë në rritjen e kapaciteteve të aseteve, në teknologjinë e përpunimit dhe po ashtu në mbrojtjen e mjedisit.