“PS-PD luajnë teatrin e alibive, por janë përgjegjëse për mosdhënien e statusit të kandidatit”

489
Sigal

INTERVISTA/Moikom Zeqo, studiues, shkrimtar: “Retorika nacionaliste e dëmton shumë pozitën e qytetëruar të Shqipërisë, madje edhe vetë çështjen Kombëtare”

Ndërsa kombi shqiptar festoi 100-vjetorin e Mëvetësisë, klasa politike shqiptare ishte e zonja vetëm të sillej groteske, derisa  bënë  gjestikulacione  të bujshme dhe performanca skenike dhe verbale,  derisa ditë më vonë,  për fajin e saj, Shqipërisë dhe shqiptarëve iu mohua statusi kandidat për në BE. Moikom Zeqo, studiuesi dhe shkrimtari dhe publicisti i njohur, në intervistën për “Telegraf” retorikën politike të nacionalizmit, të shprehur nga Kryeministri Berisha e cilëson të dëmshme edhe për pozitën e Shqipërisë, por edhe për vetë çështjen Kombëtare. Debatet e akuzave të ndërsjella të PD-PS për të gjetur fajtorin e dështimit të marrjes të statusit kandidat në BE, zoti Moikom e cilëson si një teatër politik të alibive. Sipas zotit Moikom, tashmë është bërë e domosdoshme që të dalin figura të reja politike, për të dhënë impulse të reja politikës shqiptare.

–  Zoti Moikom, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, a  janë realizuar  aspiratat kombëtare të mbarëshqiptarizmit?

Një shekull proces i pandërprerë zhvillimesh dinamike  ka sjellë ndryshime të mëdha, ndonëse jo përfundimtare. Në shekullin e XIX me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit mund  të shpalleshim Shtet i Pavarur, por nuk u arrit dot. Në  28 nëntor 1912 u  sendërtua urbi et orbi, Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, sipas një formule juridike dhe vizionare për tërë trojet  etnike shqiptare, por Konferenca e Ambasadorëve  në Londër, në mënyrë ambikuide, përcaktoi dhe njohu kufijtë politikë të Shqipërisë shtetërore të sotme, por ndau padrejtësisht Kosovën dhe troje të tjera jashtë këtyre kufijve. Pra, gjysma e kombit shqiptar përjetoi një histori koloniale nën struktura shtetërore etnikisht të huaja. Në 1999 Kosova u çlirua nga sundimi serboid prej NATO-s dhe UCK-së, ngjarje kjo që ndodh njëherë në  dymijë vjet. Në 2008 u shpall Pavarësia e Kosovës, si  Republikë e mëvetëshme. Pra, sot kemi dy shtete shqiptarë në Europë. Me Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarët në Maqedoni u njohëm kushtetutshmërisht si komb shtetformues, pjesë e barabartë me maqedonasit në Republikën e Maqedonisë. Liberalizimi i  vizave, konvencionalizimi europianist i kufijve, etj, bënë që shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në Greqi, si dhe në Preshevë dhe Bujanovsk në Serbi të marrin frymë dhe të fitojnë dimensione të reja të panjohura më parë të komunikimit etnik dhe kulturor, ekonomik etj me Shqipërinë Amë. Çështja Çame gjithashtu po institucionalizohet në rrafshin juridik dhe të së drejtës ndërkombëtare. Proces i pandalshëm dhe logjik, gati i paimagjinueshëm në fillimin e shekullit të XX. Aspiratat kombëtare janë të identifikueshme në optikën demokratike, jo thjesht në formën e një enklave, apo monade të mbyllur, por detyrimisht si integrim europian sa etnik po aq dhe  ndëretnik, pra dhe mbietnik, në një cilësi të paparë në histori, pra në përurimin e një epoke të re të Europës.

– Duket se pati dy nivele të festimit të 100-vjetorit. Niveli i klasës politike dhe niveli i popullit shqiptar, kudo që ndodhet. Sipas jush, përse ndodhi kjo?

Festa e  100-vjetorit të Pavarësisë ishte e tërë kombit, pa përjashtim dhe jo e një pakice  politikanësh, një numër i vogël pushtetarësh, të cilët, si gjithmonë, deshën ta “privatizonin “ edhe këtë festë më masiven e masiveve në  historinë e kombit tonë. Me mungesën e plotë të modestisë, këta pushtetarë u krekosën, personalizonin atë që u takon tërë gjeneratave dhe burrave të mëdhenj të kombit shqiptar, bënë  gjestikulacione  të bujshme dhe performanca skenike dhe verbale nga me groteskët, për të qenë në qendër të gjithçkaje, por kjo nuk do të thotë se qenë kështu,  në mënyrë onirike edhe në qendër të kujtesës së përjetshme të historisë, që padyshim dhe mrekullisht është një tjetër gjë. Për fatin e mirë, rotacionet ciklike të pushteit politik dhe rrjedhimisht të vetë pushtetarëve kryesorë, do të hedhin harresa dhe indiferencë higjienike mbi të gjitha mburrjet  dhe krekosjet e pamerituara, ose dhe të dyshimta në histori. Populli, përkundrazi, e festoi 100 vjetorin e Pavarësisë, padyshim  si kurrë ndonjëherë, me madhështi dhe vitalitet të habitshëm,  duke treguar një emancipim dhe modesti qytetar të shkallës më të lartë.

– Shpërthimi i retorikave nacionale, nga politika zyrtare e Shqipërisë, a është tregues i emancipimit të klasës politike, është një shprehje e re e politikës, apo diçka e papranueshme, madje e kritikueshme?

Retorika nacionaliste nuk ka të bëjë fare me stimulimin  gjoja nga  Festa e Pavarësisë, përkundrazi një retorikë e tillë e vrazhdë dhe arkaike e dëmton shumë pozitën e qytetëruar të Shqipërisë në rajon. madje edhe  vetë në substancë çështjen Kombëtare. Nacionalizmi i këtillë nuk është një prurje e re në politikën moderne, por një retrograd , pra një rikthim në një mendësi të vjetër dhe  jo vizionare. Prisja që politika  post festum të bënte reflektime serioze për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar dhe jo të shpërthente në  eufori provinciale të çuditshme. Filozofi Ernst  Gellner e ka shprehur qartë se shpërthimi i një  retorike nacionaliste është shprehje e një krize  të thellë të politikës vizionare dhe të vërtetë. Dhe ka të drejtë. Ndërkohë, kancelaritë  politike të Europës, por edhe të SHBA-së reaguan natyrshëm, duke treguar shqetësim për tonet nacionaliste ta panevojshme të pushtetarëve  shqiptarë.

– PD-PS janë në garë për të fajësuar njëra-tjetrën se kujt do t’i mbetet faji i dështimit të marrjes të eurostatusit kandidat. Mendoni se këto forca politike janë ndërgjegjësuar për rolin që duhet të japin për integrimin e Shqipërisë?

Dy partitë e mëdha dhe kryesore luajnë teatrin e alibive kundër njëra- tjetrës, por janë  përgjegjëse për  mosdhënien e  statusit të kandidatit në BE. Kjo është e  papranueshme dhe e turpshme. Kjo tregon se klasa politike shqiptare ende është në stadin e vonuar të një klase parapolitike.

– Pse?

– Sepse ka treguar një provincionalizëm rutinor dhe të prapambetur në krejt rajonin dhe në krejt Europën. Është e pabesueshme se përgjegjësia për qytetarët nuk i shtyn dy partitë e mëdha në kapërcimin e këtij provincionalizmi, ndonëse politika e kualifikuar europiane dhe  amerikane kanë bërë kriticizmin iluminues  të vazhdueshëm në këtë aspekt madhor të  procesi të integrimit të shumëfishtë. Provincionalizmi mendjemadh dhe dritëshkurtër i politikanëve shqiptarë, veç të tjerave, tregon paaftësitë dhe mediokritetin e tyre, nivelin  sipërfaqësor dhe të ulët kulturor, krizën  e identiteteve përfaqësuese adekuate si dhe një diletantizëm, pavarësisht varakut verbues dhe të rremë mediatik.

– Mendoni se qëndrimi politik i PD-PS, gjatë përmbushjes të detyrimeve të 12 prioriteteve për integrim, kishte sfondin e zgjedhjeve të 2013-s? Si e mendoni zhvillimet politike deri në 23 qershor 2013?

Padyshim kanë  patur konotacione elektorale dhe programe gjithashtu zgjedhore politike. Por nuk besoj se kanë  fituar ndonjë gjë të dy palët, përkundrazi  të dy partitë kanë humbur shumë në këtë rast në raportet me elektoratet përkatëse, por dhe qytetarët në përgjithësi, kanë humbur jo vetëm në atë që iku, por edhe në atë që do të vijë.

– BE-ja ka vendosur kusht për dhënien e statusit kandidat, zgjedhje të lira e të ndershme të 2013-s.  Mendoni se do të arrihen të zhvillohen zgjedhje të lira?

Nuk mendoj se do të zhvillohen zgjedhje model, as të lira plotësisht, por të shoqëruara dhe të qendërzuara nga problematika të trashëguara, nga mentalitetet manipuluese, që kanë krijuar një rutinë 20 vjeçare, që duket si e përjetshme. Por nuk do të jetë e përjetshme. Këtë, jo vetëm e shpresoj, por  edhe e besoj.

– Edhe pse Kodi Zgjedhor u jep përparësi PD-së dhe PS-së, pyetja është. A do të kemi, pas 23 qershorit, një Kuvend, i cili do të ketë një spektër më të gjerë partiak, nga i tanishmi?

Zgjedhjet e vitit 2013 nuk do të jenë si ata të vitit 2009-s. Kjo është  specifika më e thekshme dhe më e dukshme. Kodi Zgjedhor, natyrisht, favorizon dy partitë e madha, por  në 2013-n do të ketë një dukuri të re, që e ka parashikuar filozofi i politikës Maks  Veberi. Veberi ka shkruar se kontradikta më e rëndësishme në politikë është ajo e krizës së partive  të mëdha tradicionale me elektoratet e tyre tradicionalë. Kjo krizë është më fatale se sa konkurrenca dhe gara midis vetë partive të mëdha tradicionale. Më duket se Veberi tërheq vëmendjen në atë  që quhet “nervi i sendeve”, në kiminë politikë të ndryshimeve  të pashmangshme.

– Duket se ka dy opozita që janë kundër qeverisjes të Berishës. Opozita e PS-së, por edhe opozita e të partive të tjera, qoftë të majta, qoftë të djathta. Besoni se do të ketë një sintoni, midis opozitave, qoftë parazgjedhor, qoftë edhe paszgjedhor?

– Opozita kryesore është PS-ja. Ka edhe  dy, ose tri a katër parti më të vogla opozitare reale,  apo  disa dhjetëra parti opozitare imagjinare. PS-ja duhet të shkundet, të krijojë një koalicion sa me partitë, por më shumë me qytetarët. Unë i takoj opozitës dhe dua që opozita të fitojë, por mendoj se rruga e fitores nuk është aspak virtuale, as mediatike. Duhet një fuqi e madhe dhe e shumëllojtë emancipuese e opozitës, që të ndryshojë regjimin e harxhuar dhe të zvetënuar të sotëm, për të ngjallur shpresë dhe ndryshim progresiv. Duhen ide të reja, veprime të zgjuara dhe të shkathëta politike, duhet sidomos një karrizmë e re e plotfuqishme dhe vizion projektimi të ndryshimit të madh të shumëpritur. Duhet kohezion moral dhe shpirtëror si dhe intelektual i mirëfilltë. Ka të drejtë deputeti socialist Gjiknuri që është shprehur se listat e kandidatëve për  deputetë të propozohen nga baza , nga nivelet e kualifikuara të elektoratit  të majtë. Shpresoj të bëhet kështu, që përfaqësimi politik të arrijë kuota të  fuqishme  intelektuale dhe profesioniste si dhe standarde morale frymëzuese.

– Ju keni hedhur një tezë që nuk do të ketë asnjë parti që të fitojë 71 mandate në Kuvend. A mund të ketë një qeveri teknike, apo, shumica qeverisëse do të jetë një produkt i aleancave paszgjedhore?

-Mundet që asnjë parti e madhe ta mos arrijë numrin 71, pra edhe të kalohet në qeveri teknike siç ndodhi ne Itali dhe në Greqi. Por kjo nuk mund ta parashikohet dhe të ngjasë matematikisht. Të shohim njëherë rezultatet e  zgjedhjeve në 23 qershor 2013. Koha afroi me shpejtësi, aq sa duket sikur politikanët tashmë veteran janë kapur në befasi dhe janë në dilema dhe në siklet të pazakontë.

–  Mendoni se do të ketë një ripërtëritje të politikës shqiptare, pas 22 vjetëve të pluralizmit, në zgjedhjet e 2013-s?

-Mendoj se do të ketë embrione të ripërtëritjes, më tepër nga poshtë se sa nga sipër, më shumë të qytetarëve se sat ë politikanëve.

– A janë kushtet të favorshme që të dalin figura të reja politike, për të udhëhequr sfidat e reja të shqiptarëve dhe Shqipërisë në aspiratën e madhe të integrimit në Familjen Europiane?

-Këto figura të reja duhet të kishin dalë. Diçka i ka penguar. Por janë jetikë të afirmohen figura të reja që ta shkëputen nga provincionalizmi i tmerrshëm dhe i kushtueshëm i politikës së sotme. Por këto figura të reja  do ta vijnë. Për këtë jam krejt i sigurt.

– Po të bëjmë një bilanc vjetor të 2012-s, çfarë mund të përmendim, cilat janë problematikat që nuk u kapërcyen dhe përse?

– Viti 2012 nisi me një tragjedi, me një krim shtetëror, vrasjen e demonstruesve  të 21 janarit, arritjen e pikut konfliktual të PD-së dhe PS-së, thellimit e krizës ekonomike në të gjitha aspektet, daljen e partive të reja opozitare qe nuk ekzistonin më parë, korrupsionin galopant dhe vetëkuptohet një festë të  100 vjetorit të Pavarësisë, si dhe një status i munguar i kandidatit në BE.

– Ju keni kritikuar klientelizmin e medias  në përgjithësi dhe jeni shprehur për mungesën e shoqërisë civile, e cila e ka bërë të pafuqishëm edhe vetë opozitën politike. Si mund të shpjegohet kjo?

-Klientelizmi i mediave tanimë është bërë një realitet i certifikuar publikisht. Kjo është e rrezikshme. Media përfaqëson pushtetin e katërt, të kriticizmit iluminues ndaj qeverisjes dhe politikave. Media, kështu, shkon  drejt vetëshkatërrimit të substancës së saj mbijetuese, margjinalizon funksionalitetin e saj.

– Sapo kemi hyrë në shekullin e dytë të moshës të shtetit shqiptar. Si mund të jetë ky shekull i ri për vetë shqiptarët, por edhe për shtetin e tyre?

– Shekull i provave dhe sfidave të madha , ndoshta edhe të paparashikueshme, shekulli i emancipimit më të madh i shoqërisë dhe  vetë shtetit, shekulli i integrimit, shekulli i kombit shqiptar, por, njëkohësisht, si pjesë natyrore e kontinentit europian, shekulli, ku kultura e vërtetë do të ketë një status  më autoritativ se sa vetë politika, sepse do të shndërrohet në politikë dhe sublimim të intelektit

– Në çfarë raporti janë inteligjenca dhe kultura me klasën politike?

– Sot njeriu i kulturës e ka statusin zero nga politika e ditës. Më kujtohet një shprehje e Hanah Arendit se në shoqëritë e paemancipura “ një gram pushtet peshon më shumë se sa një tonelatë intelekt”.

-A mund të ketë terapi për të menaxhuar e mënjanuar krizën e madhe?

Po lexoj këto kohë librat e  eruditit dhe  kulturologut të madh George Steiner-it, i cili merret  në thelb me këtë pyetje gati ekzistenciale. Kriza e epokës së past-kulturës, siç e quan Steiner-i, nuk është aq apokaliptike se  sa është rikthimi i humanizmit mbi ta gjitha totemet e teknicizmit universal, pra rilindja e vlerave morale që e bëjnë njeriun të quhet njeri. Ja alternativa e ndërlikuar e njerëzimit të madh. E Historisë !

– Ju faleminderit!