Paralajmërimi amerikan:CEZ shkak për trazira

604
Sigal

 Ambasada e SHBA-ve, thirrje qytetarëve më 15 Nëntor 2012: “Mungesa e energjisë dhe ujit, rrezik trazirash”

Do të vijnë ditë më të vështira! Ky ishte paralajmërimi i një muaji më parë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ishte 15 nëntor, dita kur CEZ si kuçedra e përrallave, pas ndërprerjeve masive të energjisë u preu edhe ujin e pijshëm shqiptarëve në disa qytete të vendit. Pikërisht atë ditë pati protesta deri edhe të dhunshme të qytetarëve për rikthimin e energjisë dhe të ujit. Gjendja u duk sikur u stabilizua me afrimin e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Mirëpo ndërprerjet e energjisë rifilluan menjëherë pas festave dhe bashkë me to edhe protestat e qytetarëve. Kanë protestuar pasivisht qytatërt në Laç, Lezhë, Kavajë, Durrës, Fier, Elbasan, Lushnjë….Kemi parë këto ditë të acarta dhjetori protesta masive në Tiranë. Pas protestave të banorëve të Kombinatit, dje pati protesta në Laprakë dhe në rrugën e Kavajës. Por gjendja ka të ngjarë të përkeqësohet edhe më tej, pasi situate sa vjen e po rëndohet. Po ndodh si në paralajmërimin e ambasadës amerikane një muaj më parë. Konkretisht, më 15 nëntor, Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëroi se protestat apo demonstratat në një qytet kanë mundësi të çojnë në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në lokalitete të tjera përreth qytetit apo vendit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bënte atë thirrje shtetasve amerikanë të kenë një vigjilencë të lartë dhe të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përmirësuar sigurinë personale. Në grumbullimet që janë bërë gjatë protestave në Kombinat disa ditë më parë janë parë edhe deputetë të opozitës në mbështetje të qytetarëve. Pamjet me djegie gomash makine dhe kazanë plehrash janë paralajmërimi më i qartë se protestat mund të kthehen në demonstrate të dhunshme. Këto ditë të dhjetorit pritet të jetë kulmi i ndërprerjeve të energjisë. CEZ ka treguar se është i pamëshirshëm ndaj qytetarëve të këtij vendi, duke patur dhe suportin e qeverisë. Në këto kushte zemërimi qytetar është i ligjshëm. Ndaj dhe paralajmërimi amerikan për trazirat duket se është mjaft i saktë. Përballë një situate të tillë, mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE është zbehur. Për më tepër që ambasadorja gjermane Holtkemper deklaroi dje se refuzimi i statusit nuk kishte të bënte me 3 ligjeve aq shumë të përfolura që kërkonin dhe votat e opozitës. Diplomatja shpjegon mjaft qartë se edhe rekomandimi i Komisionit Europian i tetorit nuk kufizohej vetëm tek këto tre ligje, mosmiratimi i të cilave ka thelluar debatet mes maxhorancës dhe opozitës. Shqipëria ka shumë e shumë probleme të tjera madhore. Kryesorja: nuk zbatohen ligjet! Thënë më shkoqur: Shqipëria kërkon t’i hedhë hi syve Europës. Mirëpo Europa e sheh se ç’bëhet këtu, ndaj dhe na refuzon sistematikisht. Se ky vend është i zhytur në korrupsion, sikurse theksonte raporti i TIA-s para disa ditësh. Shqipëria ka pasiguri, ka krizë ekonomike dhe politike, ndaj dhe Europa na refuzon. Para disa javësh parashikimi i OSBE-së për zgjedhjet e ardhshme ishte alarmant. Beteja për 23 qershorin ka filluar mjaft e ashpër dhe pritet të jetë nga më të egrat që kemi parë gjatë dy dekadave të fundit. Të ketë pasur parasysh edhe këtë fakt ambasada amerikane në paralajmërimin e saj për trazira?!

Paralajmërimi amerikan i 15 nëntorit 2012

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi të gjithë shtetasit amerikanë për protesta të mundshme në të gjithë vendin, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Kjo do të sjellë për pasojë edhe ndërprerje të shërbimeve publike, madje edhe probleme me furnizimin me ujë në të gjithë zonat ku do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. “Shtetasve amerikanë u kujtohet se të gjitha grumbullimet publike dhe protestat kanë mundësi të shndërrohen në konfrontuese dhe të përshkallëzojnë në dhunë”, shkruhet në faqen e internetit të ambasadës. “Ju duhet të shmangni zonat e protestës dhe të keni kujdes nëse ndodheni pranë një grumbullimi të madh, protestë apo demonstratë. Grumbullimet masive mund të bllokojnë të gjitha arteriet hyrëse kryesore në qytetet ku ndodhin”, vijon më tej njoftimi. Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron gjithashtu se protestat apo demonstratat në një qytet kanë mundësi të çojnë në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në lokalitete të tjera përreth qytetit apo vendit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje shtetasve amerikanë të kenë një vigjilencë të lartë dhe të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përmirësuar sigurinë personale. Muajt e fundit, shkruhet në faqen on-line të ambasadës, përshkallëzimi i protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve, ka ndodhur në të gjithë vendin si pasojë e ndërprerjes së energjisë.

Kohët e fundit janë vërejtur protesta sidomos në veri të vendit, por nuk kanë munguar edhe në jug, me rastin e Ballshit, ku pati edhe shoqërime nga forcat e rendit. Protestat kanë qenë të dhunshme, me konfrontime fizike, bllokim rrugësh dhe pushtim nënstacionesh. Në jo pak herë forcat e rendit kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën, por përplasjet kanë qenë të shpeshta.

 Tiranë, banorët u vënë flakën kazanëve të plehrave

Qindra banorë të Laprakës zhvilluan pasditen e djeshme një protestë, për të kërkuar rikthimin e energjisë elektrike, që u është ndërprerë prej 3 ditësh. Në shenjë proteste për mungesën e energjisë, banorët kanë bllokuar njërin aks të rrugës, në kryqëzimin e Laprakës dhe u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave në rrugë. Situata është tensionuar ndjeshëm, ndërsa qarkullimi i makinave është bllokuar për rreth 1 orë. Është dashur ndërhyrja e policisë për të larguar protestuesit nga rruga, duke bërë të mundur edhe lëvizjen e makinave. Banorët pretendojnë se kanë shlyer rregullisht detyrimet ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje”, ndërsa vuajnë mungesën e energjisë prej 3 ditësh. “Ne kërkojmë të drejtat tona, duam vetëm drita dhe ujë. Nuk duam të bëjmë politikë fare. Jemi bërë si në mesjetë. Si do të futemi në Europë ne? Në dritat i paguajmë të gjithë”,- shprehet një banore e Laprakës. Kompania “CEZ Shpërndarje” bëri të ditur se punimet nga një firmë private ndërtimi në Tiranë kanë dëmtuar kabllot 1,6,18,9 të nënstacionit Tirana në Laprakë, duke lënë pa energji elektrike disa zona. CEZ njofton se si shkak i dëmtimit janë pa energji Rruga ‘Babë Rexha’, ‘Pallatet e Izraelitit’, zona te ish-shkolla e Partisë, Pallati ‘Asllan Rusi’. CEZ po punon për rregullimin e defektit dhe normalizimin sa më parë të situatës me qëllim kthimin e energjisë elektrike sa më parë.

Bllokohet Rruga e Kavajës

Problemet me energjinë elektrike vijojnë të shkaktojnë protesta në Tiranë. Pas banorëve të Laprakës, edhe banorët e rrugës së Kavajës kanë protestuar dje në mbrëmje për mungesën e energjisë. Ata kanë bllokuar rrugën e Kavajës, duke u vënë zjarrin koshave të mbeturinave në mes të rrugës. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë për normalizimin e situatës. 10 pallate në rrugën e Kavajës janë pa energji prej një jave, për shkak të djegies së transformatorit. Banorët thonë se CEZ ka hequr transformatorin e djegur, dhe nuk ka ndërhyrë më për të rikthyer energjinë. Banorët thonë se paguajnë rregullisht të gjitha faturat e energjisë elektrike.