Në 3 vite, 90 mijë shqiptarëve iu refuzua kalimi në kufi

771
Sigal

Në 3 vjet, 90 mijë shtetasve nga vendi ynë iu është refuzuar largimi jashtë shtetit

Mbi 23 mijë shqiptarë u ndaluan të kalonin kufirin vitin e kaluar

Teksa numri i shqiptarëve që largohen nga vendi sa vjen e rritet, ka dhe nga ata që iu është ndaluar dalja jashtë shtetit. Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti Evropian i Statistikave, janë të paktën 23.400 shtetas shqiptarë të cilëve iu ndalua kalimi i kufirit për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar. Sipas Eurostat, shteti ku pati më shumë refuzime ishte Greqia, nga kufiri tokësor i së cilës u kthyen mbrapsht rreth 11 mijë shqiptarë. Pas Greqisë, kufijtë tjetër me refuzimet më të mëdha ishin Kroacia dhe Hungaria me respektivisht 2670 dhe 2345 ndalim kalimi. Arsyet shpjegohen se këto dy shtete janë pika të rëndësishme kalimi drejt vendeve të zhvilluara të BE-së. Pas tyre, Mbretëria e Bashkuar renditet me 1455 refuzime për kalim dhe Franca me 1450 refuzime. Ndërsa Gjermania numëron vetëm 615 refuzime për kalim.

90 mijë shqiptarëve iu refuzua kalimi i kufirit në 3 vjet

Në periudhën 2011-2017 janë larguar zyrtarisht nga Shqipëria mbi 330 persona, ose rreth 10% e popullsisë së para asaj periudhe. Megjithatë këto shifra do të ishin edhe më tronditëse nëse merret parasysh numri i atyre që janë ndaluar të kalojnë kufirin. Duke marrë në konsideratë 3 vitet e fundit (2016-2018) janë mbi 90 mijë shqiptarë që janë ndaluar të dalin jashtë vendit. Që prej 2011-s, vit kur Shqipërisë iu hoq kufizimi për të lëvizur në zonën ‘Shengen’, numri i refuzimeve ka qenë i lartë. Sipas të dhënave të Eurostat ndër vite, në 2011 numri i refuzimeve shënoi 16,805, shtatë herë më lartë se një vit më parë. Deri në vitin 2015, shtetasit shqiptarë kanë pasur një numër mesatar refuzimesh për të kaluar kufirin: prej 14,800 refuzimesh. Ndërsa në tre vitet e fundit numri i ndalimit të kalimit në kufi do të dyfishohej. Rritja e parë e madhe u shënua në 2016-n, ku referuar të dhënave nga Eurostat u refuzuan që të kalonin 31,460 shqiptarë. Ndërsa rekordin do ta shënonte në vitin 2017 me plot 35.660 refuzime për të kaluar kufirin.