Skandali i tenderit të Parlamentit/ Kuvendi shpenzon 40 mijë euro për të pastruar tualetet e deputetëve dhe zyrat VIP, banorët flenë në çadra

179
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë po shpenzon plot 40 mijë euro për të pastruar tualetet dhe ambientet ku qëndrojnë “baballarët e kombit”. Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, Genci Gjonçaj, ka urdhëruar kryerjen e një tenderi me objekt “blerje materiale të ndryshme, mirëmbajtje të specialitetit pastrim dhe higjienë tualetesh”.

Krahas pagave, dietave, qirasë, përqindjes së kredive, karburantit të automjetit e madje edhe tarifës së telefonisë, shqiptarët do të paguajnë një shumë të madhe për të pastruar tualetet e Kuvendit të Shqipërisë.

Madje, me materiale të kushtueshme, jo nga ato që përdorin njerëzit e thjeshtë që blejnë në supermarkete apo markete lagjesh. “Baballarët e kombit” duan pastërti totale, madje edhe të jenë aromatik!

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka ngarkuar në bërjen e tenderëve Sekretarin e Përgjithshëm, Genci Gjonçaj. Pasi u realizuan disa tenderë për dezifektimin e ambienteve të sallave të Kuvendit, ku u spërkatën sallat e seancave plenare dhe ato të komisioneve, radha u ka ardhur tualeteve.

Dhe, Gjonçaj, ka menduar që të shpenzojë një fond limit prej 4.166.000 lekësh pa TVSH (me TVSH rreth 20 mijë euro). Mësohet se Kuvendi i ka kërkuar me shpejtësi këto materiale, brenda 20 ditëve. Nuk justifikohet kjo shpejtësi, por duhet të jetë ndonjë deputet luksoz që nuk i ka pëlqyer era e rëndë në tualete dhe ka kërkuar një listë të gjatë pastruesish apo dezifektantësh.

Disa prej deputetëve mund të kontribuonin nga paga apo edhe nga benefitet e tjera për këto produkte, pasi përveç rrogës e dietave, kanë marrë edhe një sërë lehtësirash në koncesione, tendera, leje ndërtimi, shfrytëzimi, etj.

Sipas dokumenteve që disponon, Kuvendi kërkon 70 litra solucion zbardhues dhe dezifektant për sipërfaqe të ndryshme, 600 litra për larje pllakash me aromë të freskët.

 

Gjithashtu, 150 cipë për larje xhamash, 30 copë për larje mobiliesh dhe 1500 litra sapun likuid për larje duarsh. Kërkon edhe 15 copë sapunë të lëngshëm për larje duarsh në shishe për zyrën vip, si dhe peceta për pastrim pluhurash mikrofibër, tip peshqiri sipas Boldnews.

Gjithashtu edhe 50 copë aromatizues për tu vendos në WC, ilaç pluhur për larje me dorë dhe 3500 pako me letra higjienike. Më tej kërkojnë aromatizues ambientesh me aparate dekorative, dezifektant xhel apo edhe 500 maska. Por nuk përfundojnë këtu kërkesat, pasi Kuvendi ka porositur edhe 25 litra dezifkentat për makinat, aromatik tualeti apo edhe solucione të tjera të ndryshme. Dhe, të gjitha me paratë nga taksapaguesit e varfër.