Ndryshon ligji për pasuritë e sekuestruara, si do shiten apo jepen me qira

440

Për të administruar me sukses pasuritë e konfiskuara nga mafia apo aktivitete të tjera kriminale, ka qenë një proces i vështirë edhe për vendin tonë. Duke e lidhur me këtë fakt, janë propozuar ndryshime të reja në ligjin ekzistues, për të ndihmuar në administrimin e procesit.

“Ekziston një trend në rritje sipas të cilit juridiksionet duhet të krijojnë një zyrë qendrore kombëtare të administrimit të pasurive si nevojë për të administruar pasuritë”e vështira”, si p.sh.: kafshët, kompanitë, fondet e besimit dhe pasuritë e paluajtshme hipotekore, qoftë për rastet e brendshme, por edhe nisur nga kërkesat e shumta të institucioneve ndërkombëtare gjithnjë në rritje.

Pa akte normative, mekanizma të përshtatshëm, struktura dhe bashkëveprim mes tyre, sekuestrimi dhe konfiskimi janë një proces i paplotësuar dhe joefektiv. Ashtu si në shumë aspekte të procesit të rikuperimit të pasurive, Shqipëria është strukturuar mirë lidhur me administrimin e pasurive, megjithëse nevojiten zhvillime të mëtejshme për të maksimizuar ekzistencën e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”-thuhet në shpjegimin e ndryshimeve të ligjit.

 

Projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”synon në radhë të parë, ngritjen e një niveli më të lartë të të gjithë procesit aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek Agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të vendimit të sekuestros, me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike në varësi të llojit të pasurisë e duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesit të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen.

Një objektiv tjetër, i shpjeguar në relacion, është ai i përfshirjes së të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen (si në procesin penal, ashtu edhe në atë parandalues) në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm.

Një ndryshim tjetër i parashikuar është shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, që në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit.

“Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e, në rast revokimi të sekuestrimit, t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa, në rast konfiskimi, të kalonte në buxhetin e shtetit.

Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë etj .), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.”- thuhet në relacion.

Sipas ndryshimeve të parashikuara, Kryeadministratori, me kërkesë të administratorit të pasurisë, mund të autorizojë, sipas nevojës, ndihmën e specialistëve të fushave të ndryshme apo të personave të tjerë, të cilët shpërblehen për punën e bërë brenda kufijve të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dalë për këtë qëllim.

Në rastet e menaxhimit të drejtpërdrejtë zbatohen të gjitha procedurat ligjore në fuqi për funksionimin e një veprimtarie ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

Në rastet e dhënies me qira të pasurive të sekuestruara, kryeadministratori ngre komisionin për vlerësimin e çmimit të tregut. Nëse është e pamundur dhënia me qira me çmimin e tregut, me propozimin e administratorit të pasurisë së sekuestruar, çmimi i qirasë mund të negociohet nga kryeadministratori.

Në nenin 20 përcaktohet se pasuritë e luajtshme transportohen dhe ruhen në mjediset e caktuara nga Agjencia, përveç rasteve kur këto pasuri janë pjesë e veprimtarisë së një biznesi apo kur ato shërbejnë për dhënien e pasurisë me qira. Pasuritë e luajtshme në formë të mjeteve monetare, investohen në bono thesari ose depozitohen në llogari bankare të caktuara, për të cilat vendos kryeadministratori.  Kriteret e përzgjedhjes së bankave ku do të depozitohen mjetet monetare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Në nenin 21 përcaktohet se për pasuritë të cilat dëmtohen u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose me kalimin e kohës dalin jashtë përdorimit, me kërkesë të Agjencisë, gjykata vendos kalimin e të drejtave reale tek të tretët, nisur nga parimet e miradministrimit të pasurisë.

Të drejtat reale nuk kalohen te personat e parashikuar në nenin 3, pikat 1 e 2, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.Monitor