Mungon kadastra fiskale, bashkitë në vështirësi për grumbullimin e taksës

966
Pushteti vendor ndodhet në vështirësi për të administruar taksën e pronës, që do të nisë nga 1 prilli. Ministria e Financave ka shprehur shqetësimin se bashkitë mund të shtojnë stafin dhe shpenzimet administrative, në mënyrë që të grumbullojnë taksën e re. Por ky shtim stafi do të sillte shtim kostosh për qytetarët. “Pushteti vendor do ta administrojë këtë taksë, mbledhja do të bëhet nga njësitë e pushtetit vendor, sikurse ka ndodhur deri tani. Çdo bashki e cila e mbledh nëpërmjet ujësjellësit do të vazhdojë ta pasqyrojë në faturën e ujësjellësit, nëse bashki të tjetra e mbledhin me mekanizma të tjera, do të vazhdojnë ta mbledhin me ato mekanizma”, janë shprehur për mediat përfaqësues të Ministrisë së Financave. Sipas tyre, gjithnjë është në të drejtën e bashkive për ta menaxhuar taksën. “Nëse taksa do të vazhdojë të mblidhet nga bashkitë mund të ketë kosto të shtuara, ndaj kur të ngrihet kadastra fiskale mund të shihet mundësia e një agjenti kombëtar, që mund të jetë edhe OSHEE. Paralelisht me zbatimin e ligjit për llogaritjen e taksës sipas vlerës së ndërtesave, që do të fillojë nga data 1 prill, do të ecet edhe me formulimin e regjistrit qendror apo të asaj që e quajmë kadastra fiskale dhe kur regjistri të jetë i plotë do të shihet edhe mundësia e një agjenti kombëtar për mbledhjen e kësaj takse”, nënvizojnë zyrtarët e Financave. Sipas tyre, shqetësimi për rritjen e kostove është real. “Nëse pushteti vendor do ta mbledhë taksën në mënyrë autonome, atëherë do të ketë kosto administrimi shumë më të mëdha dhe një pjesë e bashkive mund të zgjedhin që të shtojnë stafet e tyre për administrimin e kësaj takse, pra do të ketë kosto, që janë kosto për qytetarët”, nënvizojnë zyrtarët e Ministrisë së Financave.
Sigal