FMN, kundër koncesioneve dhe TVSH për biznesin e vogël

751
FMN përsëriti edhe një herë se nuk është kundër koncesioneve me Partneritet Publik Privat, por se duhen përzgjedhur projekte cilësore që duhet të kalojnë në një mekanizëm të qartë dhe transparent se si do të realizohen. Misioni i Parë i FMN-së për Monitorimin e post-programit në një takim me mediat, pohoi se ka mosmarrëveshje me qeverinë për PPP-të. “E këshillova qeverinë dy javë më parë të ngrinte koncesionet me qëllim që të ngrinte kuadrin e duhur, pasi ngritja e tij kërkon kohë”, shtoi përfaqësuesi i FMN në vendin tonë Jens Reinke, i cili pohoi se fondi po jep asistencë teknike për këtë çështje. Por qeveria i ka thënë Fondit se e ka gati mekanizmin. Misioni i FMN-se pohoi se, në rastin e projekteve me PPP ka ndarje të riskut mes shtetit dhe privatit. Sipas tij, “është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos marrë më shumë risk se çfarë duhet. Për projektet PPP ka shumë rreziqe nisur nga përvojat e vendeve të tjera, prandaj Fondi i ka kërkuar qeverisë të bëjë analizat e duhura në lidhje me këto projekte”. Më tej, përfaqësuesja e misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se, “nuk jemi në program me Shqipërinë, por japim këshilla”. “Ndaj për çdo rrezik është përgjegjësia e autoriteteve. Shpresojmë se në rast se qeveria do të vazhdojë me koncesionet, atëherë risqet të pasqyrohen në bilanc”, tha ajo. Ndërkohë, rritja ekonomike në Shqipëri është e fortë, 3.9% këtë vit dhe 3.7% në vitin e ardhshëm, nga më të lartat në rajon. Por FMN vlerëson se nuk është koha për vetëkënaqje se rritja mund të mos zgjasë. Sipas FMN, rritja ekonomike do të jetë më e ulët vitin që vjen, pasi nuk do jenë më projektet e mëdha energjike, teksa në tregun ndërkombëtar situata nuk është më aq pozitive.

Në lidhje me përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë, FMN këshillon se “administrata do të shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”. “Nuk mendojmë se është një masë e mirë në drejtim të rritjes së të ardhurave”, vlerësoi FMN.
Sigal