Tatimi mbi pronën, ekspertët në “ring” për efektet

936
Si do të ndikojë ndaj familjeve dhe bizneseve pagesa e re, që nis nga 1 prilli. Pse janë veçuar për t’u përjashtuar hotelet me 5 yje
Tatimi mbi pronën, që pritet të aplikohet duke filluar që nga data 1 e muajit të ardhshëm, po shkakton debate në lidhje me kategoritë e përjashtuara nga ky detyrim fiskal. Kliton Gërxhani, kreu i ATOA (Shoqata e Tur Operatorëve Shqiptarë) mbështet nismën për përjashtimin e Hoteleve Brand nga taksa e pronës. “Unë jam pro përjashtimit të hoteleve brand nga taksa e pronës. Zotëruesit e hoteleve të vogla duhet të jenë të kënaqura me incentivën e qeverisë për uljen e TVSH-së. Nëse kjo kategori me kohën arrin të zhvillohet, le të përjashtohet edhe nga tatimi mbi pronën. Por hotelet brand janë një vlerë e shtuar në ekonominë tonë. Ne nuk kemi pasur të tillë. Incentivat e qeverisë do të bëjnë që këto brande me vete do të sjellin paratë, marketimin dhe klientelën. Në këtë mënyrë, paratë e shtuara në arkën e shtetit, mund të shkojnë për kategoritë në nevojë”, shprehet për Ekonomix.al eksperti në fushën e turizmit, Kliton Gërxhani. Sipas tij, përjashtimi nga ky tatim do të ketë efekte pozitive në ekonominë tonë. Nuk është i të njëjtit mendimi eksperti në fushën e ekonomisë, Bujar Bendo. Sipas tij, ky favorizim nuk do të pasqyrojë asnjë efekt në ekonomi. “Parimisht nuk jam dakord. Nuk është mënyra për të nxitur investimet strategjike në fushën e hotelerisë dhe turizmit. Kjo është lehtësi me emra, lehtësi klienteliste. Nuk kam besim që do të sjellë benefite në ekonominë shqiptare”, shprehet eksperti Bujar Bendo. Tatimi mbi pronën, që do të aplikohet nga 1 prilli dhe që mendohet se do të vilet nga bashkia, do të përjashtojë disa kategori si pensionistët kryefamiljarë që jetojnë vetëm, banesat sociale të ndërtuara nga bashkitë, hotelet brand me 4-5 yje.

Gjithashtu, taksa e pronës e cila do të hyjë në fuqi në datën 1 prill, do të përjashtojë dy kategori, kryefamiljarët pensionistë dhe familjet me ndihmë ekonomike. Adelina Farrici Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, tha për mediat se për këto dy kategori taksa do të zerohet. “Ne duhet të flasim për dy risi që përmban ky ligj. Në zerimin e taksës për dy kategori që janë kategoria më vulnerabël, kryefamiljarët pensionistë të cilët kanë në përbërjen e tyre pension, zerohet taksa e pronësisë dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike që janë rreth 84 mijë familje në gjithë Shqipërinë. Të gjitha këto zerohen kundrejt kësaj takse. Kjo është një lajm i mirë për pushtetin vendor, një lajm i mirë për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë këtë takes”, u shpreh ajo. Farrici tha se ashtu taksa e pronës do të jetë njësoj edhe për bizneset, vetëm se në këtë rast vlera do të jetë 0.2%. “Nëse taksa e banesës për një banim është 0.05 %, e vlerës, për bizneset do të jetë 0.2 % e vlerës së pronës. Ne kemi qenë pjesë e konsultimeve dhe kemi dërgua opinionet tona pas konsultimeve me bashkitë të cilat janë anëtare të kësaj shoqate, por paralelisht edhe me qytetarë dhe nuk është se kemi pasur një reagim negativ në këtë drejtim, madje në parim e kanë përkrahur këtë iniciative. Por kemi dërguar edhe opinionet tona dhe janë marrë në konsideratë përpara se të kthehet në ligj”, tha Farrici. Ajo sqaroi se përllogaritja e taksës do të jetë e ndryshme për ndërtesat e vjetra, ndërsa theksoi se qytetarët kanë edhe të drejtën e ankimimit. “Për ndërtimet e vjetra dhe të amortizuara do të bëhen përllogaritje të tjera. Do të ketë edhe verifikime ne terren dhe do ketë edhe ulje në këtë drejtim. Pra ka diferenca, janë ato të ndërtuara para 1992 dhe gjithashtu edhe ata që të gjitha ndërtesat si rezultat i kushteve atmosferike mund të jenë të dëmtuara, do të bëhet një përllogaritje. Qytetarët kanë të drejtën e ankimimit pranë njësisë vendore nëse shikojnë se ka një mospërputhje midis realitetit dhe asaj çka është llogaritur për taksën e tyre dhe trajtohet brenda 10 ditëve dhe nëse merr një përgjigje negative ka të drejta të ankimojë në Gjykatën Administrative”, u shpreh Farrici.
Sigal