Mbyllen 5000 biznese

323
Sigal

Vështirësitë dhe pamundësia për të përballuar shpenzimet si pasojë e masave kufizuese për shkak të pandemisë po detyrojnë shumë subjekte të mbyllin aktivitetin.

Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga muaji maj kur nisi dhe lehtësimi i masave kufizuese e deri në fund të tetorit rreth 4 mijë e 900 subjekte kanë kaluar në statusin pasiv.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë raportohet një rritje prej 1mijë e 205 biznesesh më shumë të mbyllura.

Numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv raportohet me rritje në të gjitha drejtoritë rajonale.

Vetëm në Tiranë, këtë gjashtëmujor mbi 1 mijë e 500 NIPT-e kaluan në statusin pasiv duke shënuar rritje mbi 20% krahasuar me një vit më parë.

Durrësi i cili mori dy goditje të njëpasnjëshme, atë të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandeminë është gjithashtu një nga qytetet që e ka ndjerë më shumë krizën ku numërohen rreth 700 subjekte.

Por edhe në qytetin bregdetar të Vlorës dhe Shkodrës mbylljet u dyfishuan.

Bizneset e vogla rezultojnë më të goditurat, ndërkohë që të ato të mëdha po e përballojnë më mirë krizën pasi në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vetëm pak kompani që kanë kaluar në status pasiv.

Dibra rezulton të jetë i vetmi rajon ku numri i bizneseve që u mbyllën është më i vogël se viti i kaluar.