“E vrava se më nxiu jetën” / Rrëfimi i gruas mbi ekzekutimin e të shoqit

292
Sigal

Policia ka marrë në pyetje Drane Dedën, gruan që vrau bashkëshortin 2 javë më parë. 65-vjeçarja ka deklaruar para grupit hetimor se e ka qëlluar të shoqin pasi i kishte nxirë jetën, duke e keqtrajtuar sistematikisht. Ajo gjithashtu ka treguar dhe arratisjen nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit në familje.

Gruaja 58-vjeçare, Drane Deda, e cila vrau burrin më 6 nëntor në Kurbin e ka justifikuar aktin me dhunën sistematike të ushtruar ndër vite nga bashkëshorti Llesh Deda.

Autorja e krimit në familje ka deklaruar para uniformave blu se i shoqi i kishte nxirë jetën për disa vite me radhë, pasi çdo ditë pinte alkool, dhe më pas e keqtrajtonte sistematikisht, madje duke e detyruar të bënte plot 10 fëmijë.

58-vjeçarja shprehet se natën kur ka ndodhur krimi në mesnatën e 6 nëntorit e ka qëlluar me sqepar në kokë në momente trishtimi, kur i shoqi ishte në gjumë.

Ajo rrëfen më pas se është larguar në këmbë dhe ka shkuar në banesën e kunatës së saj shtetases Gjelina Tuci, duke i treguar asaj gjithë ngjarjen.

Ky fakt është konfirmuar dhe nga djali i kunatës, Viktor Tuci, i cili ka deklaruar se 58-vjeçarja ka shkuar tek shtëpia e tyre rreth orës 03:30.

Sipas dosjes hetimore, Viktor Tuci së bashku me nënë e tij Daven kanë shkuar në banesën e dajës, ku kanë gjetur në dhomën e kuzhinës në krevat pa ndjenja, e të mbuluar në gjak nga plagët që kishte në kokë.

Ata më pas mësohet se kanë njoftuar policinë dhe me ambulancë kanë çuar në spital.

Pas ngjarjes së rëndë policia ka marrë në pyetje dhe djalin e dy bashkëshortëve, Ded Dedën, i cili është shprehur se ndodhej me punë në Vlorë.

Djali i çiftit Deda është shprehur se për ngjarjen e rëndë e kishte njoftuar tezja e tij, duke i kërkuar të niset për Tiranë, pasi dy prindërit ishin konfliktuar dhe babai ndodhej në gjendje të rëndë në spital.

Ai gjithashtu është shprehur se prindërit kanë pasur edhe më parë konflikte, pasi e ëma ankohej për babain se konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë.

Këto konflikte asnjëherë nuk janë raportuar në polici nga autorja e ngjarjes Drane Deda.

Prokuroria dhe policia e Laçit kanë arritur në konkluzionin se vrasja ka ndodhur rreth orës 02:00 apo 03:00 duke u gdhirë 6 nëntori.

61-vjeçari, Llesh Deda, ka qëndruar në koma për dy javë në spitalin e Traumës në kryeqytet, duke mos mundur ti mbijetojë plagëve të marra.