KESH, OST e OSHEE prezantojnë kërkesat: Rritje energjisë në 16 lekë

797
Sigal

TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë elektrike ka dëgjuar sot kërkesat e 3 operatorëve të sektorit energjetik për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit, dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kanë bërë publike sot kërkesat e tyre për rritje të çmimit të energjisë, si dhe arsyet e kërkesave nga ana e tyre.

Kështu, KESH ka kërkuar të mos ndryshohet tarifa për prodhimin e energjisë 1 lekë për kilovatorë, por rritje të tarifës së shitjes me shumicë, nga 2.2 në 3.48 lekë. OST gjithashtu ka kërkuar 12.8% rritje çmimi për shërbimin e vet, duke kaluar nga 0.65, në 0.73 lekë.

Së fundi, shitësi me pakicë OSHEE kërkon 38% më shumë për tarifën e shërbimit të shpërndarjes dhe nga 7 lekë për kilovat/orë që është aktualisht tarifa mesatare e shpërndarjes, operatori kërkon që të rritet në 12 lekë për kilovat/orë.

Kështu çmimi mesatar fundor do të rezultonte me 29.3 %, duke bërë që çmimi mesatar i energjisë për qytetarët të rritet nga 10 lekë për kilovat/orë që është aktualisht, në rreth 16 lekë për kilovat/orë.

Brenda dhjetorit të këtij viti Bordi Komisionarëve të ERE-s pritet të marrë një vendim përfundimtar me qëllimin që masat e reja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të aplikohen që më 1 janar të vitit 2015.

KESH: Rritje nga 2.2 në 3.48 lekë, mbulojmë shpenzimet
Në raportimin e saj Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, shpjegoi arsyet e kërkesës së saj për rritje të çmimit nga 2.2 në 3.48 lekë.  Sipas KESH, aplikimi i rritjes së çmimit të energjisë, vjen si rezultat i synimit për të kryer në mënyrë sa më optimale veprimtarinë e saj.

Në prezantimin e bërë, KESH theksoi se kërkesa fillestare ishte për rritje të çmimit në 3.34 lekë për kilovat/orë, por u ndryshua në 3.48 lekë për kilovat/orë, dhe se ky ndryshim ka ardhur si ndryshim edhe i kërkesës në rritje të OSHEE.

Kjo pasi KESH kryen dy veprimtari siç është prodhimi dhe furnizmi  me shumicë i energjisë. Për të plotësuar kërkesën e OSHEE për sasinë 4544 gwh, ku 1154 gwh do të blihen nga prodhuesit e vegjël me një vlerë 10 144 milionë lekë. Sipas KESH për të mbuluar të gjitha shpenzimet është i nevojshëm rritja e çmimit nga 2.2 në 3.48 lekë.

“Aplikimi i KESH mbështetet në ligjin për sektorin energjetik, i cili përcakton që ERE përcakton tarifën për veprimtaritë e rregulluara të energjisë. Nëpër mjet tarifave të reja KESH synon kryerjen normale të veprimtarisë së saj. Gjithashtu ky aplikim synon realizimin e funksionit të furnizimit me energji të konsumatorëve. Aplikimi i KESH fillon me parashikimin e prodhimit të energjisë elektrike. Kriteret mbi të niveli i rezervuarit të Fierzës në fillim të vitit 2015, i cili përfaqëson një nivel optimal, që është mëse i nevojshëm për të garantuar prodhimin e duhur për vitin 2015. Ky nivel parashikohet që të plotësohet me prurjet e ERE në masën 75%. Të dy këto kritere parashikojnë të japin mbi 3460 gwh bruto. Çmimi për këtë do të mbetet i pandryshuar në 1 lekë për kilovatorë. Duke qenë se KESH kryen dy veprimtari, ku veç prodhimit edhe furnizminin  me shumicë, kërkesa e OSHEE, për sasinë 4544 gwh,  do të mbulohet nga prodhimi i prodhuesve të vegjël të energjisë, e cila parashikohet 1154 gëh. Llogaritjet tona janë bazuar mbi çmimet aktualet të HEC, e cila mesatarisht është 8.8 lekë për gwh. Blerja e energjisë në lekë shkon 10 144 milionë lekë. Shpenzimet operative parashikohen 2.4 milionë lekë. Pra kërkesa jonë është për çmimin 3.48 lekë. Aplikimi fillestar ishte për 3.34 lekë por ndryshimi vjen si rrjedhojë e rritjes së kërkesës së OSHEE.” tha në prezantimin e tij KESH përmes përfaqësuesit

ERE vendos sot për çmimin e ri të energjisë elektrike më 2015
Sot duhet të marrin fund spekulimet lidhur me masën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për t’i hapur rrugë, ndoshta, betejës në fushën politike lidhur me ndryshimin e mundshëm.

Enti Rregullator i Energjisë ka planifikuar në Hotel Tirana seancën dëgjimore me tre operatorët kryesorë, pas aplikimeve që të tre ata kanë dorëzuar lidhur me tarifat për vitin e ardhshëm.

Dje ERE ka publikuar tabelat e konsoliduara, sipas kërkesave të KESH, OST dhe OSHEE, me çmimin final që mund të rezultojë, në rast se do të miratohen 100% kërkesat e tyre. Në rast se komisionerët e ERE-s bien dakord me kërkesat e ndërmarrjeve të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes, tanimë të treja në pronësi të shtetit shqiptar, çmimi përfundimtar për konsumatorët familjarë do të ishte vetëm me një tarifë, 11.08 lekë për kilovatorë, si për ata që konsumojnë më pak se 300 kWh në muaj, ashtu edhe për konsum më të lartë se kaq.

Për bizneset që furnizohen me tension të ulët, si familjarët, çmimi do të ishte i diferencuar, nga 9.56 lekë për furrat e bukës, deri tek 15.36 lekë për tregtinë e shërbimet, gjithnjë vetëm me një tarifë. Institucionet shtetërore do të paguanin më shtrenjtë se të gjithë konsumin e energjisë elektrike, me 17.59 lekë për një kilovatorë.

Kërkesat e të tre operatorëve kanë qenë në rritje, pas një periudhe trevjeçare “moratoriumi”, gjatë së cilës nuk ka patur ndryshim çmimi. Kështu, KESH ka kërkuar të mos ndryshohet tarifa për prodhimin e energjisë (1 lek për kilovatorë), por rritje 51.8 për qind të tarifës së shitjes me shumicë, nga 2.2 në 3.34 lekë. OST gjithashtu ka kërkuar 12.8 për qind rritje çmimi për shërbimin e vet, duke kaluar nga 0.65, në 0.73 lekë.
Së fundi, shitësi me pakicë OSHEE ka kërkuar 38% më shumë për tarifën e shërbimit të shpërndarjes dhe kështu çmimi mesatar fundor do të rezultonte me 29.3 për qind rritje.

Kërkesat pasqyrojnë një situatë shumë të vështirë, madje prag kolapsi, për gjithë sektorin elektroenergjetik shqiptar, me një mal borxhesh të ndërsjellta dhe kredi të rënda nga brenda e jashtë vendit. Opozita po bën presion politik kundër rritjes së çmimit që, në fakt nuk vendoset nga Ekzekutivi, por nga Enti Rregullator, që është një institucion i pavarur parlamentar, që gjykon në rrugë teknike dhe jo politike. Nga ana tjetër, marrëveshjet me FMN dhe Bankën Botërore kanë qenë të kushtëzuara me rritjen e arkëtimeve dhe pagesën e detyrimeve, për çka qeveria ka vënë në lëvizje edhe ndëshkime deri në burgim për debitorët.