Ja si favorizohen subjekte të caktuara nga punonjësit e Portit të Vlorës

780
Sigal

KLSH/MBI AUDITIMIN E USHTRUAR NË SHA PORTI DETAR VLORË

 KLSH nxjerr Raportin Përfundimtar të Auditimit të ushtruar në SHA Porti Detar Vlorë, me objekt “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”. Ky raport i është dërguar Zj. Fato Nuredini, Drejtore e SHA Porti Detar Vlorë. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar dhe kërkuar zbatimin e masave të mëposhtme:

MASA ORGANIZATIVE

1. Këshilli mbikëqyrës të zbatojë detyrimin ligjor për të lidhur kontratë me Drejtoren e SHA Porti Detar Vlorë për administrimin e shoqërisë.

2. Këshilli mbikëqyrës të zbatojë detyrimin ligjor për të propozuar ndryshimet në programin ekonomik dhe financiar të shoqërisë në METE dhe të miratojë në afat pasqyrat financiare.

3. Këshilli mbikëqyrës dhe Drejtoria e shoqërisë me ndihmën e METE, të arrijë zgjidhjen ligjore lidhur me hipotekimin e sipërfaqes prej 80.38 ha në Portin e Ri Zvërnec për llogari të SHA Porti Detar Vlorë.

4. Këshilli mbikëqyrës dhe Drejtoria e shoqërisë të kërkojnë menjëherë në METE dhe në MPPT, për të ndërmarrë veprime të menjëhershme për vendosjen mbi baza ligjore të shërbimit të përpunimit të anijeve në portin e Vlorës.

5. Drejtoria e shoqërisë të rishikojë Rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e forcës së sigurisë të anijeve dhe portit.

6. Drejtoria e shoqërisë të bashkërendojnë dhe të harmonizojë veprimtarinë e degëve dhe specialistëve të shoqërisë.

7. Drejtoria e shoqërisë të organizojë analiza në intervale kohore sa më të shkurtra, për të garantuar realizimin e treguesit të të ardhurave me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet.

8. Drejtoria e shoqërisë të kryejë në kohë pagesat që rrjedhin nga kryerja e transaksioneve financiare.

9. Drejtoria e shoqërisë të paraqesë dhe të miratojë në këshillin mbikëqyrës vendosjen e depozitave në bankat që ofrojnë interesa më të larta.

10. Drejtoria e shoqërisë të bëjë një analizë të hollësishme të debitorëve dhe kreditorëve.

11. Drejtoria e shoqërisë të marrë masa për të derdhur në buxhetin e shtetit 70% të vlerës së qirasë në shumën prej 1,432,960 lekë për periudhën 7 mujore të vitit 2011.

12. Drejtoria e shoqërisë të marrë masa për lidhjen e kontratave me kompanitë e trageteve që ushtrojnë veprimtarinë e transportit të udhëtarëve dhe automjeteve në përputhje me ligjin.

13. Drejtoria e shoqërisë të bashkëpunojë me Policinë Kufitare për të marrë të dhënat e numrit të udhëtarëve dhe automjeteve.

14. Drejtoria e shoqërisë të përdorë procedurën për blerjet me vlera të vogla për përcaktimin e kufirit monetar për mallra dhe grup mallrash.

 

box

MASA DISIPLINORE

Mbështetur në Kontratën Kolektive të punës midis SHA Porti Detar Vlorë dhe Sindikatës së Pavarur të Portit Detar Vlorë, rekomandojmë masën disiplinore:

“Largim nga puna”: për

1.Zj. A.T., Përgjegjëse e Sektorit të Administrimit Financiar, pasi: Ka mangësi në dokumentet financiare si raste të mandat arkëtimeve pa firmën e arkëtarit dhe të financierit; urdhër shërbime në të cilat nuk është vendosur data, mungesa e kuponit tatimor; pagesa të vonuara etj. Nga mos vendosja e depozitave në banka që kanë ofruar interesat më të larta, shoqërisë i është shkaktuar mungesë e të ardhurave prej 59,680 lekë. Nuk është finalizuar procesi i nxjerrjes jashtë përdorimit, ka sjellë bilanc të aktiveve më shumë se gjendja reale. Ka mangësi lidhur me analizën e detyrimeve kreditore, konfuzion me disa fatura dhe mos kryerjen e veprimeve rregulluese në kontabilitet për një çështje gjyqësore të fituar nga SHA Porti Detar Vlorë.

Nuk është derdhur në buxhetin e shtetit në masën 70% e vlerës së qirasë për shtatë muaj të vitit 2011 në shumën prej 1,432,960 lekë.

“Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna”: për

1. Z. V.S., Kryetar i Degës së Përpunim-Marketingut, pasi:

Ka raste të nënshkrimit të kontratave të trageteve, pa Licencën për operim në linjat ndërkombëtare; raste që Formulari i sigurimit të kontratës nuk ka përfshirë gjithë periudhën e operimit ose ka munguar; raste të mungesës së kontratës të lidhur midis kompanisë dhe agjencive të shitjes së biletave.

 “Vërejtje”: për

1.Z. K.B., Specialist i lidhjes së kontratave për sheshet dhe magazinat, pasi: Në pagesën e qirave nga qiramarrësit ka raste; ka raste që genplani nuk përcakton qartë sipërfaqen nën qira; garancia e kontratave nuk ka qenë në afat.

2. Z. H.Sh., në cilësinë e Kryetarit të Njësisë së Prokurimit,

3. Zj. A. B., në cilësinë e Anëtares së Njësisë së Prokurimit,

4. Zj. M. B., në cilësinë e Anëtares së Njësisë së Prokurimit, pasi:

Nuk kanë analizuar dhe argumentuar me dokumente shkaqet e anulimit të procedurave tenderit të karburanteve. Arsyetimi për rritjen e çmimit në treg është edhe i gabuar dhe i pabazuar dhe së dyti, nuk ka ndonjë dokument që të vërtetojnë se rritja e çmimit ka qenë shkaku i dështimit të tenderit. Gjatë konsultimeve paraprake me fituesin e tenderit është konstatuar se ka mospërputhje midis preventivit përmbledhës të draftit të ngarkuar në sistem dhe projektit përkatës. Në përcaktimin e fondit limit në tenderin “Blerje veshmbathje” vërehet një rritje e konsiderueshme e mesatares se çmimeve krahasuar me çmimet fituese të një viti më parë për disa zëra.

5. Z. R. I., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave,

6. Z. B. P. në cilësinë e Anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave,

7. Zj. R. A. në cilësinë e Anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave,

8. Zj. R. P. në cilësinë e Anëtares së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pasi: Në procesverbalet e mbajtura, ka mospërputhje midis preventivit përmbledhës të draftit të ngarkuar në sistem dhe projektit përkatës. Nga shqyrtimi i ofertave të tenderit “Blerje karburanti për vitin 2012”, është skualifikuar subjekti Fjortes Shpk, me arsyetimin se nuk ka paraqitur grafikun e lëvrimit.

-I rekomandojmë Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit vlerësimin për konflikt interesi për:

1. Zj. A. D., audite e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm në MPPT, pasi: bashkëshorti saj i punësuar në subjektin privat “E…….” Shpk ka përfituar nga procedurat e prokurimit, në një kohë që Porti Detar SHA Vlorë është audituar prej saj, në cilësinë e anëtares së grupit të auditimit.