30-vjeçarët e Shqipërisë më të pashkolluarit në Evropë

588
Sigal

Me gjithë përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së shkollimit, apo tendencës në rritje të ndjekjes së universitetit nga të rinjtë në vitet e fundit, sërish Shqipëria renditet në vendin e fundit në Evropë për sa i përket numrit të personave me arsim të lartë. Sipas raportimeve të EUROSTAT rreth 40% e grupmoshës 30-34 vjeç në vendet e Bashkimit Evropian i kanë përfunduar studimet e larta. Ndërsa po ti referohemi vendit tonë, jo vetëm që mbetemi larg përqindjes mesatare të BE-së, por Shqipëria renditet e fundit jo vetëm në Ballkan por në mbarë Evropën, me vetëm 21% të 30-vjeçarëve me universitet në vitin 2016. Për sa i përket Rajonit, përqindja më e madhe e të shkolluarve ishte në Maqedoni me 33% e ndjekur nga Mali i zi dhe Serbia me 33 dhe 30 %. Grupmosha 30-35 vjeçare konsiderohet si më aktivja në tregun e punës dhe një kapacitet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi. Një tjetër problem madhor i sistemit arsimor në Shqipëri janë diplomat e Universiteteve tona, të cilat në shumicën e rasteve nuk përputhen me tregun e punës, ndërsa problem mbetet dhe njohja e diplomave apo shkollimit në vendet e botës.

Peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit. Fushat e studimit ku femrat diplomohen më shumë janë biznes, administrim, shëndetësi dhe shkenca sociale, ndërsa meshkujt në biznes, administrim, inxhinieri, prodhim e ndërtim dhe ligj.