FMN: Sektori problematik i Energjetikës po ju çon në katastrofë

680
Sigal

Sektori i energjetikës në Shqipëri vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që nuk po gjen ende një zgjidhje për përmirësim. Qeveria nuk po i mbledh lekët, ku pushtetarët shohin për xhepat e tyre dhe fshehin faturat në bizneset e mëdha, ndërkohë që i kompensojnë në faturat afrofe të qytetarëve. Gjendjen shqetësuese të këtij sektori e konstaton dhe, Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, i cila i tha Zërit të Amerikës se sektori i energjisë ka disa probleme themelore që kërkojnë zgjidhje dhe se vendi duhet të shfrytëzojë rezervat e mëdha hidro-energjetike. Zyrtari i Fondit Monetar Ndërkombëtar theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të sistemit të kompensimit të taksave. Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë tha se, vëren shenja të një rritjeje të besimit në ekonominë shqiptare. I pyetur se çfarë ndikimi do të ketë çështja e ÇEZ në sektorin e energjetikës dhe çfarë masash do duhet të merrte qeveria që diçka e tillë të mos përsëritej, z. Ilaçi tha: “Zgjidhja e kësaj çështjeje lejon tashmë qeverinë që të jetë gati të merret me probleme reale të sektorit. Në një këndvështrim më të gjerë, mendoj se sektori i energjisë në Shqipëri është në një farë mënyre një problem i shkaktuar ndaj vetes, sepse hidro-elektriciteti është një rezervë natyrore shumë e madhe që Shqipëria ka. Si nafta, që eksportohet prej shumë vendeve, energjia hidrike është diçka që Shqipëria duhet të eksportojë duke fituar të ardhura të shumta. Pse është ky një problem e i vetë-shkaktuar? Sepse problemet që janë krijuar nga regjimet e ndryshme të mëparshme kanë çuar në një sektor që nuk mbledh dot të ardhura të mjaftueshme për mbarëvajtjen e vet. Si pasojë është bërë një sektor pa likuiditet dhe i paaftë të paguajë detyrimet. Ku qëndron problemi? Problemi është se ka shumë rrjedhje në aspektin e konsumit: njerëzit nuk paguajnë faturat, vjedhin energji, bizneset vjedhin energji – të gjithë e dinë këtë – dhe vetëm një pjesë e vogël e njerëzve paguan faturat. Prandaj të rrisësh çmimin është diçka e padrejtë kundrejt njerëzve që paguajnë faturat. Qeveria po punon më ngushtë me Bankën Botërore për këtë problem, por këshilla jonë ka qenë se kjo gjë duhet të zgjidhet, ky sistem duhet rregulluar. Në aspektin afatshkurtër, prodhuesi ka nevojë të ketë më shumë para në dispozicion, në mënyrë që të mund të përballojë krizat prej reshjeve të pakta të shiut, sepse reshjet thjesht nën nivelin normal do të krijonin një krizë. KESH duhet të ketë para të mjaftueshme për të paguar importe afatshkurtra. Në aspektin afatgjatë ose afatmesëm, qeveria duhet të ndërmarrë reforma në mënyrë që disa prej bizneseve që paguajnë tarifa fikse ose kanë subvencione të tjera të kalojnë në sistemin e çmimit të tregut. KESH-i apo qeveria nuk duhet të ofrojnë rezervat energjetike në këtë mënyrë, sepse këto nuk janë sigurime shoqërore por energji dhe duhet paguar në mënyrën e duhur. Duket se qeveria dëshiron ta zgjidhë këtë problem dhe dëshiron ta zgjidhë në mënyrë gjithëpërfshirëse, por është gjithsesi një problem i vështirë që është krijuar në vite dhe do të duhet kohë për ta zgjidhur”.