Indiferenca e qeverisë do thellojë krizën dhe varfërinë

404
Sigal

Nga Agron Haxhimali

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë

Ndërsa prej gati 4 javësh janë urdhëruar masa drastike të cilat po zbatohen me rigorozitet nga qytetarët, institucionet dhe aktorët që sigurojnë shërbime, të dhënat tregojnë se Covid 19 po përpiqet t’i sfidojë këto masa, dhe të ndjekë objektivin e tij.
Po cili është ky objektiv?
Këtë objektiv, sot duket sikur nuk po e parashikon dot as shkenca, as mjekësia dhe aq më tepër politika në mjaft vende, përfshirë dhe ato europiane.
Pra, ne ende nuk dimë se kur do të ndalojë kjo situatë për t’ë nisur kthimi drejt normalitetit, dhe pse ka një mobilizimin ndërkombëtar në shkallë të gjerë operacionale për të adresuar krizën e sjellë nga pandemia Covid 19.
Ndërsa panorama e sotme në Shqipëri paraqet disa shifra dhe fakte për pasojat e Covid 19 që duhet të jenë të mjaftueshme për të ndëmarrë politika shëndetësore, ekonomike, sociale dhe strategji radikale parandaluese.
Shifrat e të prekurve nga Covid 19 në vendin tonë nuk mund të përdoren për qëllime krahasimi me vende të tjera e për të matur suksesin që nuk e kemi.  Mbi të gjitha këto shifra nuk duhet të shërbejnë për propagandë.  Me statistikat do të meremi më vonë, mjafton që shifrat të jenë transparente në çdo kohë.
Aktualisht, pasojat negative dukshëm vihen re, jo vetëm në shëndetin publik, por edhe në thellimin e një krize ekonomike dhe sociale.  Përballë kësaj fillimi të paparë dhe të shpejtë, është normale të ndjejmë frikë dhe të mendojmë për mbijetesën tonë fizike dhe ekonomike.
Një zgjatje e kësaj situate mund të çojë dhe në një rritje të rasteve të dhunës gjinore dhe familjare, mund të shkaktojë trazira sociale midis punonjësve për pagat, njerëzve që punojnë në sektorin informal që duhet deklarohen për të përfituar ndihmat shtetërore, humbje të vendeve të punës, të ardhurat nga burime të tjera si qeratë etj, dhe pasigurinë ushqimore edhe pse deri tani ka stabilitet.
Për të shmangur sa më shumë këto pasoja duhet të veprojmë shpejt, më shumë sesa shpejt, se perndryshe çdo vonesë do të na çojë në dështim të çdo përpjekje të deritanishme dhe agoni në të ardhmen.
Ndaj duhet që kapacitetet lokale dhe qendrore të mobilizohen dhe rimobilizohen strategjikisht për të lehtësuar sa më shumë këto ndikime, dhe thelluar mbështetjen në të tre sektorët, shëndetësor, social dhe ekonomik, pasi tani janë më të ditur sesa një muaj më parë.
Hapat për tu përballur me situatëm
Nëse, deri tani mungesa e njohurive mbi këtë situatë justifikohej, tani jo më.  Tani dihet diçka më shumë, dhe duhet të bëhet akoma më shumë. Hapa dhe veprime të nevojshme në përballjen më këtë gjendje do të ishin:
  • 1​Komunikime të qarta, optimiste, të besueshme, të koordinuara dhe të kuptueshme për publikun janë thelbësore. Burimi i këtij komunikimi duhet të vijë nga ekspertiza, sidomos ajo mjekësore, dhe jo nga egoizmi. Nevojiten mesazhe që rezonojnë me qytetarin dhe shqetsimin e tij, dhe jo mesazhe që përcjellin sundimin e frikës dhe panikut.
  • 2.​Më mirë vonë se kurrë, por për një reagim të shpejtë dhe përgjigje shëndetësore duhen testime efektive në një shkallë të gjerë, kjo në përputhje të plotë dhe me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por e mundshme dhe në kushtet lokale si nje vend me popullsi të vogël dhe të kontrollueshme. Sidomos tani që çdo lëvizje është e kontrollueshme dhe e lokalizuar.
  • 3.​Një hap tjetër është ndërhyrja e shtetit si rregullator në transferimin e prodhuesve që munden brenda vendit, të kalojnë linjën e prodhimin përkohësisht në prodhimin e furnizimeve shumë të nevojshme siç janë sanitizuesit e duarve, rroba mbrojtëse, doreza, maska (kryesisht fasoneri) dhe syze etj.  Kjo ndërhyrje do na jepte më shumë siguri dhe besim si masë përballuese ndaj Covid 19.
  • 4.​Sistemi privat i kujdesit shëndetësor në raport me atë publik ka aftësi të konsiderueshme, por është i paarritshëm për shumicën e popullatës sonë financiarisht. Nuk është koha për diskriminim socio-ekonomik, por të gjitha kapacitetet e shërbimeve shëndetësore, duhet të mobilizohen në një përpjekje koherente për të kontrolluar situatën dhe për të kufizuar shkallën e vdekshmërisë.
  • 5.​Ndërsa kufizohet lëvizja e njerëzve, “personeli kryesor”, i domosdoshëm për të mirëmbajtur shërbimet thelbësore, si farmaci, furra buke, dyqane ushqimore, grumbullues të mbeturinave, staf i ndërmarrjeve bankare dhe të sigurimeve, personelit të stacionit të karburantit, punonjësve humanitarë dhe socialë, si dhe punonjës të bashkive, duhet qartësisht të mbështeten me pajisje, veshje, dhe protokoll për ndërhyrje dhe veprim e zbatim rigoroz të masave të kujdesit.
  • 6.​Duhet mbështetje teknike dhe financim për të ruajtur dhe rivendosur vazhdimesinë e aktiviteteve të përditshme operacionale për bashkitë dhe qarqet. Qeveria duhet të injektojë buxhet në pushtetin vendor në mënyrë urgjente, për përballimin e situatës, ose duhet ti udhëzojë ato të shpenzojnë buxhetet e tyre duke i rimbursuar më vonë nëse qeveria nuk mundet tani, pasi bashkitë edhe duhet të sigurojnë shërbimet publike edhe të përballojnë këtë situatë.  Kjo i ka vënë në vështirësi të mëdha dhe duhet mbështetje për të mos i çuar në vështirësi financiare të mëdha dhe mos kryerje të shërbimeve publike vendore.
  • 7.​Qeveria tu kërkojë donatorëve ndihmë dhe të arrihet dakordësia se për programet në vazhdim asnjë staf nuk duhet të humbasë punën e tij, për shkak të pezullimit të projekteve ose vonesës në miratimin e granteve të reja, të gjithë janë të nevojshëm në këtë moment të vështirë, secili ka një kontribut për të dhënë.
  • 8.​Buxhet dhe fleksibilitet- Kuadri ligjor referuar shpalljes së emergjencave nga fatkeqsia natyrore duhet të bëhet efektiv për aksesin e agjencive lokale dhe kombëtare. Vendosja e tyre aty ku ato nuk ekzistojnë dhe modalitete të tjera që duhet të krijohen shpejt.
  • 9.​Kapacitete të financimit të shpejtë dhe strategjisë së shpërndarësve kombëtar, rajonal dhe vendore duhet të bëhet me shifra të sakta dhe transparente, për të zgjeruar shtrirjen veçanërisht në vendet ku ka një përhapje dhe tendeca për përhapje është evidente, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Fieri, Elbasani etj.
  • 10.​Nxisim qeverinë, pushtetin vendor dhe aktorët e tjerë që ti trajtojnë të gjithë me dinjitet dhe respekt gjatë kësaj krize. Ne bëjmë thirrje për mirëqenie sociale dhe mbrojtje për të pambrojturit ekonomikisht. Ulja e lëvizshmërisë brenda qyteteve tona, mbyllja e të gjitha shërbimeve jo thelbësore, dhe flukset e ndërprera të importit dhe eksportit, do të kenë një ndikim të madh ekonomik. Zgjerimi i hendekut midis ofertës së kërkesës për shkak të prishjes se zinxhirit të furnizimit të ndërprerë ka të ngjarë të shkaktojë inflacionin në çmimet e mallrave thelbësorë. Rezultati do të sjellë që do të rriten borxhet e familjeve dhe varfëria.
  • 11.​Ekonomia, një “liberalizim“ i moderuar dhe propocional i tregut dhe shërbimeve, në raport me zvoglimin e përhapjes do ishte një lehtësi e madhe në çdo aspekt. Ekonomia bujqësore dhe rurale duhet të trajtohet me një qasje më ndryshe nga sektori ekonomik urban.  Qeveria dhe pushteti vendor jo vetëm duhet ta mbajnë ‘si uji i pakët’ ekonominë bujqësore të vendit, por ta mbështesin dhe ti krijojnë akseset që ato kërkojnë.
Qeveria jone nuk ka miliarda pa limit lekë dhe këtë e kuptojmë. Por për të lehtësuar ndikimet ekonomike, duhet të bëjë më të mirën e mundshme tani pa asnje vonesë.
Mekanizma dhe instrumenta ka pafund. Ajo që duhet është vizioni, vullneti dhe aftësia për të ofruar politika dhe programe që ligjërojnë zbutjen e ndikimit nga Covid 19.
Duhet vepruar më shpejt sesa shpejt përndryshe…/monitor