Impakti i Covid në rënien e konsumit

289
Sigal

Efektet negative zinxhir të shkaktuara nga pandemia në jetën ekonomike të vendit, kanë sjellë mbyllje të bizneseve, rritje të papunësisë, rënie të të të ardhurave për individët dhe rrjedhimisht edhe ulje të konsumit. Këtë e faktojnë edhe shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave, ku përgjatë periudhës Janar-Tetor 2020, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, janë 105.6 miliardë lekë, apo 850.7 milionë euro,  duke shënuar një rënie prej rreth 63 milionë eurosh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat nga TVSH, që është tregues direkt i konsumit vendas u realizuan në masën 37 miliardë lekë, 2.5 miliardë ose 6.4% më pak se 10 mujori 2019, si dhe 3.8 miliardë ose 9.2 % më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar gjatë periudhës Janar-Tetor 2020. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja bruto, sipas financave  vjen  si pasojë e efekteve direkte të pandemisë Covid-19, e cila ka bërë që qytetarët të tregohen më të kursyer. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT, rënia e konsumit në tremujorin e dytë të vitit rezulton më e lartë.

Ndërkohë kanë pësuar rënie edhe të ardhurat nga TVSH në import, të cilat mblidhen nga doganat, ku për 10 mujorin rezultojnë 81 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 9 % më pak se një vit më parë, si dhe 0.5% më pak se plani i periudhës. Edhe në këtë zë të bilancit, kërkesa e dobët vendase ka sjellë rënie të importeve të taksueshme, çka ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve nga TVSH-ja në import.