Gjermania heq nga ‘lista e kuqe’ Shqipërinë, hap “dyert” për emigrantët

281
Sigal

 

 Shqiptarët tashmë mund të udhëtojnë drejt Gjermanisë vetëm me paraqitjen e një testi negativ PCR, por që hiqet karantina e detyrueshme 10 ditore.

Gjermania, është ekonomia më e madhe në Evropë, për shkak se duket të përballet me plakjen e popullsisë, po “thith” trurin e vendeve të tjera ku një ndër to është dhe Shqipëria.

Shteti gjerman po u hap dyert shqiptarëve për t’u krijuar mundësi punësimi profesionistëve nga të gjitha fushat si doktorë, inxhinierë, infermierë, matematicienë, hidraulikë, muratorë etj.

Tendencën e shqiptarëve të kualifikuar për t’u futur në tregun gjerman të punës, si dhe tendencën e Gjermanisë për të “bërë pazar” në tregun shqiptar të forcës punëtore, e vërtetojnë edhe tendencat më të fundit për të mësuar gjuhën gjermane.Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani.

Vlerësohet se, Gjermanisë i nevojitet një emigracion neto prej 400 mijë emigrantësh në vit, deri në vitin 2060, në mënyrë që të mbulojë ‘vrimat’ në tregun e punës, e sidomos për punët që kanë nevojë për kualifikime. Kjo përkthehet në rreth 17 milionë emigrantë në harkun e 42 viteve të ardhshme.

Gjermania ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve me rrezik, ky është  veprimi më i  fundit që tregon vigjilencën për të thithur shqiptarët e interesuar për të shkuar  atje, të cilët  udhëtojnë drejt Gjermanisë, vetëm me paraqitjen e një testi negativ PCR, por që hiqet karantina e detyrueshme 10 ditore.

Në të dhënat e publikuara nga Instituti ‘Robert Koch’ thuhet se, Shqipëria nuk është tashmë vend në rrezik me COVID-19. Përmes kësaj deklarate, u bë me dije se Shqipëria ishte në listën e vendeve që kanë paraqitur rrezik të paktën në 10 ditët e fundit, por tanimë, rreziku nga pandemia COVID është më i ulët dhe situata nuk është problematike. Ndërkohë që Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, konsiderohen si zona me incidencë të lartë që nga janari. Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga 9 maji.

Largimi i personelit mjeksor

 

Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë

Rroga neto e një mjeku në Gjermani shkon 2300 euro, kurse ajo bruto nga 5000- 15000 euro. Nga viti 2010 në vitin 2017, janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës. Ky numër përfaqëson më shumë se tre gjenerata të dala nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku diplomimet mesatare në një vit janë më pak se 200 mjekë. Kjo do të thotë se, nga 7 gjenerata të diplomuarish, 3 kanë emigruar gjatë periudhës në studim. Gjithsej, numri i mjekëve shqiptarë në emigrim është 1029, por 772 prej tyre kanë emigruar nga viti 2010-në në 2017, por ky numër realisht është edhe më i lartë, pasi nga 2017 në 2020, emigrimi i trupës mjekësore ka vijuar me ritme të larta. Lehtësimi i procedurave nga Gjermania mund të nxisë më tej emigracionin drejt këtij vendi. Ndërkohë në vitin 2017-2021 pësoi largimi më të madh të personelit mjeksor, ku u larguan mbi 5000 infermierë, imazgjeristë dhe mjek.

 OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve në botë, ia kalojmë vetëm Afrikës

Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas një harte të publikuar në faqen e Organizatës Botërore për Shëndetësinë (OBSH). https://ëëë.ëho.int/data/gho/data/indicators/indicator-details/GHO/medical-doctors-(per-10-000-population)

Shqipëria, ka vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Evropë. Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Evropë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë. Italia e ka këtë tregues 40, Gjermania 42.5, Suedia (e vetmja që nuk e mbylli ekonominë nga koronavirusi) e ka rreth 40, Austria 51.7.

Më pak mjekë se Shqipëria kanë vetëm vendet afrikane (disa kanë edhe më pak se 1 mjek për 10 mijë banorë, psh., në Kongo me 0.7 mjekë). Shqipëria ia kalon dhe shteteve të tilla si Indisë (8.6), Pakistanit (9.8), Afganistanit (2.8).

Të dhënat e Shqipërisë që jep OBSH-ja i referohen vitit 2016, ndërkohë që vlerësohet që situata është përkeqësuar, për shkak të emigracionti masiv të bluzave të bardha gjatë viteve të fundit. Sipas një raporti të qeverisë shqiptare në lidhje me emigracionin, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë  ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor. Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën. Për pasojë, numri i mjekëve për banorë, është në nivelet më të ulëta në Evropë. Sakaq, migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane, ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë.