Në kulmin e pandemisë emigruan 24 mijë shqiptarë dhe popullsia u pakësua në 10 qarqe, duke u bërë popullsia më e plakur në Ballkan

247
Sigal

Covid-19 dhe emigracioni tkurrin popullsinë në nivelet më të ulëta që prej vitit 1982

Në kulmin e pandemisë ikën 24 mijë emigrantë

INSTAT bëri të ditur se popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2021 rezulton 2.829.741 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 Janar 2020, ose rreth 16.2 mijë veta më pak.

Rritja e vdekshmërisë si pasojë e Covid-19, tendenca vijuese e rënies së lindjeve dhe emigracioni (që gjithsesi ishte më i ulët për shkak të kufizimit të lëvizjeve) kanë përkeqësuar tendencën tkurrëse të popullsisë në vitin 2020.

INSTAT bëri të ditur se popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2021 rezulton 2.829.741 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 Janar 2020, ose rreth 16.2 mijë veta më pak.

Sipas të dhënave historike të INSTAT, ky është niveli më i ulët i popullsisë që prej vitit 1982, kur ky tregues ishte rreth 2.8 milionë banorë. Ndërsa niveli më i lartë i popullsisë është regjistruar në fillim të viteve ’90, (vitin 1991) me rreth 3.27 milionë banorë. Më pas filloi prirja rënëse e lidhur me emigracionin, rënien e lindjeve dhe moshimin gradual të popullsisë.

Në vitin 2020, shtesa natyrore ishte 470 lindje më shumë se vdekje, niveli më i ulët në histori, duke iu afruar zeros dhe duke u tkurrur ndjeshëm në raport me 2019-n, kur ishte 6,624 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej  92,9%, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8%, krahasuar me një vit më parë (rreth 5,700 persona më shumë), si rrjedhojë e pasojave negative që solli në shëndetin e popullatës Covid-19.

 

Tendencë rënëse për shkak të mbylljes së kufijve nga Covid 19 ka shënuar migracioni neto.

Sipas INSTAT, numri i emigrantëve ishte 23.854 persona, 45,6 % më pak krahasuar me vitin 2019. Numri i imigrantëve ishte 7.170 persona, 65,5 %më pak krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto, diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve, pësoi një tkurrje, krahasuar me një vit më parë, nga-23.082 banorë në -16.684 banorë, në vitin 2020.

Vijon plakja e popullsisë

Në 1 janar 2021, mosha mediane e popullsisë rezulton 37,6vjeç nga 37,2vjeç që ishte më 1 janar 2020. Në 1 janar 2021,raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2020, nga2 4,6% në 24,2%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit, nga 21,6% në 22,3%gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar rënie, në krahasim me1 janar 2020, nga 99,7 në 99,3 meshkuj për 100 femra. Raporti gjinor në lindje, gjithashtu ka pësuar rënie, duke shënuar vlerën 106,6 në vitin 2020, nga 109,0 që ishte në vitin 2019.

Gjatë vitit 2020, lindën 28.075 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,7%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2020 ishte 27.605 persona, duke patur një rritje prej 25,8%, krahasuar me një vit më parë.

 

Popullsia pakësohet në 10 qarqe, Gjirokastra dhe Berati me rënien më të madhe

 

Popullsia e qarqeve edhe në vitin 2021 ka pësuar rënie në shumicën prej tyre, duke pasqyruar problematikën e fortë demografike, me rënien e lindjeve, emigracionin e lartë dhe plakjen e popullsisë.

Përllogaritjet e popullsisë më 1 Janar 2021 tregojnë se vetëm dy qarqe të vendit shënuan rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa dhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja më e madhe u shënua në Tiranë (+ 0,7 %), ndjekur nga Durrësi (+ 0,5 %).

Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3 %), Berat (- 2,1 %) dhe Dibër (- 1,9 %).

Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë, është Kukësi (33,1 %), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (24,9 %) bashkë me qarkun e Lezhës.

Popullsia në numër, shënoi rënien më të madhe në Berat, me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021.

Popullsia e vendit në tërësi në fillim të vitit 2021, ishte 0,6% më e ulët se me 1 janar 2020. Zhvillimet demografike u ndikuan nga faktorë të vitit të kaluar. Pandemia Covid -19 rriti vdekshmërinë në rekorde gjatë vitit,  ndërkohë që emigracioni u frenua, për shkak të kufizimeve pandemike.

Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2019. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje, për vitin 2020. Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %

Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara (2019-2031), llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031. Ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave më të ulta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve e cila nuk përkon me hipotezën e Projeksioneve të Popullsisë 2011 – 2031.

Mirëpo tre matje indirekte që ka bërë Instituti i Statistikës, sugjerojnë se, popullsia e vendit është tkurrur gjatë dekadës së fundit nga 350-600 mijë persona. Ndërsa një studim i Institutit për Studime Ndërkombëtare i Vjenës, tregoi se Shqipëria ka emigruar vetëm në Evropë 500 mijë persona. Shifra doli në bazë të lejeve të aplikimit për qëndrim në këto vende nga 2010-2020.