Forumi i Vjenës, Fullani akuzon bankat e huaja

555
Sigal

Sjellja e bankave të huaja në Shqipëri e cila u diktua nga masat shtrënguese të Bashkimit Europian po dëmton rëndë ekonominë. Alarmi vjen nga guvernatori Ardian Fullani i cili u shpreh në forumin e Vjenës rregullat mbikëqyrëse të BE-së dhe kërkesat për grupet financiare në lidhje me rrezikun, së bashku me qasjen në të cilën ato zbatohen, po vendosin shtrëngesa domethënëse mbi ekonomitë tona dhe eficiencën e politikës monetare. “Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies, madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, u shpreh Fullani.

Por me tone gati shqetësuese, kreu i Bankës Qendrore ka paralajmëruar se këto pasoja negative mund të thellohen edhe më tej nga masat e reja që po ndërmerr BE.

“Nga kërkimet tona tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë”, u shpreh Fullani.