Xhevdet Zekaj/ Grushti, 9 maji dhe enverizmi lubonjian

357
Sigal

5 maji dhe 9 maji, festat që e bëjnë krenar Shqipërinë. Nderimi me grusht, respekti për gjakun e derdhur për liri

Grushti, 9 maji dhe enverizmi lubonjan. Nëse ka ndonjë festë që më bën krenar, janë 5 maji dhe 9 maji. Arsyeja e thjeshtë: nuk ka ndonjë rast tjetër Shqipëria që të ketë qenë aleate, në të njëjtin krah me SHBA-të, Anglinë, Francën, Rusinë. Në të dyja këto data, grushti im përshëndet në heshtje në rrugë, në varreza të dëshmorëve dhe kudo, sepse në këto data grushti është pak për të nderuar dëshmorët e atdheut tim, disa janë prej tyre nga fisi im. 80 dëshmorë janë nga fshati i origjinës sime, Kuçi i Labërisë! Unë nderoj me grusht për të kujtuar sakrificën e tyre, gjakun e derdhur për liri. Do të nderoj me grusht gjithë jetën, sepse ma thotë zemra dhe mendja, sepse më buron së brendshmi në këtë rast respekti dhe përulja përpara atyre që sakrifikuan jetën e tyre në luftën kundër nazifashistëve. Dhe ndihem mirë në këto dy festa përkujtimore, sepse nëse ka ndonjë datë që nuk më lidh me Enverin dhe enverizmin është fiks 5 dhe 9 maji. Jo se Enver Hoxha ka qenë Komandant antifashist, por këto data më bëjnë të rikthehem me ndërgjegje pas në kohë, në poshtërimin dhe shkatërrimin që enverizmi i bëri idealit të dëshmorëve. Falë sistemit që ngriti ndodhi edhe përbaltja e fitores mbi fashistët, nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, apo më shqip, triumfi mbi tradhtarët që u rreshtuan krah me pushtuesit e Shqipërisë. Unë nderoj me grusht dhe do ta bëj gjithë jetën, ashtu sikurse respektoj këdo që nderon me dy gishta, edhe përse këta të dytët nderojnë dëshmorët, tradhtarët e bashkëpunëtorët e fashizmit. Natyrisht, babai im, daja im, gjyshi, xhaxhai im ishin 20 e 25 vjeç kur rrëmbyen armët dhe u rreshtuan për të luftuar pa ditur se çfarë ishte partia, ideologjia komuniste, pluralizmi, demokracia, lufta e klasave, diktatura, kulti i individit etj. Ata dinin një gjë vetëm: Do jepnin dhe jetën e tyre për të çliruar atdheun, nuk do të lodheshin kurrë së shtrënguari grushtin përpara togës së pushkatimit, duke thënë: Vdekje Fashizmit! Në atë grusht nuk ishte as Enveri dhe aq më pak enverizmi, që nuk kishte filluar fare… Natyrisht që është zgjedhja ime grushti, aspak një detyrim apo obligim që lidhet me enverizmin, ashtu sikurse duke përshëndetur me 2 gishta, dikush tjetër me dorë në zemër, si një zogist, etj.. Unë, edhe përse përshëndes me grusht, as i urrej, as i përçmoj dhe aq më keq t’i detyroj që mos të përshëndesin si duan, sepse do t’i quaja zogistë, berishistë, kuislingë, apo tradhtarë. Është e drejta e tyre, zgjedhja e tyre, dhe pak rëndësi ka kjo për mua, se ku janë rreshtuar më shumë, te dy gishtat përpjetë, te grushti apo dora zogiste e fashiste e tregon historia. Përshëndetja me grusht është enverizëm thonë lubonjistët dhe llafologë të tjerë, pavarësisht se ata e kanë bërë këtë në mes të bllokut apo në majat më të larta të pushtetit enverian dje dhe sot falë dënimit që ai u bëri… Por unë e kuptoj ndryshe: në vitin 1991 ishin miliona shqiptarë, edhe autori i këtyre rreshtave, që me dy gishtat lart iu bashkuan lëvizjes mbarëpopullore për të rrëzuar diktaturën. Në atë lëvizje ishin të majtë e të djathtë, ballistë e zogistë, fshatarë e punëtorë, por ata, shumica dërrmuese, nuk dinin asgjë se çfarë ishte demokracia, pluralizmi, ekonomia e tregut, liria e medias etj. Pra, ashtu si në 1937 deri 1941, pa ardhur Enveri dhe enverizmi, e bënë dëshmorët dhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve duke përshëndetur me grusht. Për lubonjistët e ngjelistët një analizë e thjeshtë më thotë: berishizmi i 1996-1997 sa vrau nga këta shqiptarë që ngrinin dy gishtat në atë betejë a luftë civile? Sa ishte dëmi ekonomik, që pësuan ata që ngrinin dy gishtat, që ndoshta ia kalon edhe reformës agrare, sepse të paktën enverizmi nuk i dogji tapitë e shkatërroi pronat, por në 1997 piramidat shkatërruan ekonominë shqiptare deri në pikën zero, që aq shumë e propozuan Pashko e Berisha, ideatorët e thekur edhe të dy gishtave. Pra, shkurt ne duhet t’i etiketojmë përshëndetësit dygishtorë si berishianë, që dënuan Azem Hajdarin, Pashkon, Cekën, Kekon, Imamin, Peshkëpinë e sa e sa të tjerë? Pra, nuk ka asgjë të keqe se një pjesë e shqiptarëve përshëndesin me dy gishta, por na lini dhe neve që përshëndesim me grusht, sepse nuk jemi as enveristë dhe as puçistë, por thjesht në 5 maj e 9 maj do shkojmë në varreza, se atje kemi dëshmorët që na bëjnë të ndihemi krenarë, që na japin forcë, shpresë, guxim dhe stimul për t’u thënë: Do t’ju nderojmë gjithë jetën me grusht, do t’u përkulemi përjetë o martirë të këtij kombi, sepse ju u vratë për mëmëdheun dhe aspak enverizmin. Disa fëmijë shkollash në varreza dëshmorësh përshëndesin me grusht dhe ata e drejtuesit tyre u kryqëzuan me një arsenal mediatiko-politik të paparë, pa i pyetur dhe pa i lënë të bëjnë atë që duan e ndiejnë për të parët e tyre, për dëshmorët! Ky është enverizmi lubonjan ekstrem, që detyron se si të përshëndesim dhe baltos çdo sakrificë kombëtare për çlirimin e prosperitetin e këtij vendi, qoftë dhe kur politika i përdhosi keq idealet si me instalimin e enverizmit ashtu dhe me këtë tranzicion të tejzgjatur. Madje dhe përpjekjet titanike, dhe sipas meje normale të LSI për të respektuar apo vendosur në vend respektin për luftën, dëshmorët, sulmohet nga disa në emër të luftës kundër enverizmit??? Ne kemi shumë halle dhe përshëndetja me grusht, gishta, sipas mënyrës legaliste apo… Pak ka rëndësi, dhe lufta ndaj grushtit është një kauzë e humbur, sepse atë nuk e bëjnë enveristët e komunistët, por ne pjesëtarët që kemi dëshmorë, idealistët dhe ajo pjesë shqiptarësh që e dinë realisht vlerën monumentale të 5 majit dhe 9 majit. Grushti, dy gishtat, 9 maji dhe enverizmi lubonjan…; çfarëdo që të ndodhë ka ikur koha kur shqiptarëve mund t’u imponosh se si të përshëndesin, respektojnë, mitizojnë, dashurojnë apo urrejnë, aq më pak kur kjo bëhet në emër të enverizmit, me metoda dhe më zi se enverizmi…