“Emigrojnë” bizneset, ja qarqet që po falimentojnë nga shpopullimi

“Emigrojnë” bizneset e qarqeve

 Shpopullimi i vendit/ Bizneset në rënie në të gjitha qarqet, turizmi nuk e rriti numrin e hoteleve

NOA

 E parë nga larg, fotografia e ekonomisë shqiptare duket tërheqëse me hotele dhe kulla luksoze, vizitorë nga të gjitha anët e botës. Por një vështrim më i detajuar nxjerr një realitet ku pjesa tjetër e vendit, po përballet me tkurrje të ekonomisë dhe bizneseve kryesisht si pasojë e rënies së popullsisë

Numri i bizneseve në qarqet e vendit po ndjek zhvillimet e popullsisë. Bizneset e tregtisë u tkurrën në të gjitha qarqet, përveç Durrësit dhe Tiranës në vitin 2024 në krahasim me 2023.

E parë nga larg, fotografia e ekonomisë shqiptare duket tërheqëse me hotele dhe kulla luksoze, vizitorë nga të gjitha anët e botës.

Por një vështrim më i detajuar nxjerr një realitet ku pjesa tjetër e vendit, përveç Tiranës dhe Durrësit, po përballet me tkurrje të ekonomisë dhe bizneseve kryesisht si pasojë e rënies së popullsisë.

Vit pas viti, ekonomia dhe popullsia po përqendrohet në rajonin Tiranë-Durrës, duke rritur më tej sfidat për shërbimet komunitare.

Të njëjtin trend po ndjekin edhe bizneset të cilat po rriten vetëm në Rajonin e Qendrës dhe në disa zona turistike, ndërsa shumica e qarqeve tkurret në banorë dhe biznese.

Vitin e kaluar, numri i bizneseve aktive në të gjithë vendin arriti në mbi 132 mijë, me rritje 1.5% në krahasim me vitin 2023, por në 6 qarqe, kryesisht në ato të veriut, numri i tyre ishte në rënie. 47.8% e bizneseve aktive ishin në Qarkun e Tiranës në vitin 2024 nga 47.2% në vitin 2023.

Urbanisti Gent Kaprata mendon se përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në Tiranë-Durrës ka nxitur zhvillim më të shpejtë në këtë rajon, por kjo gjithashtu ka krijuar pabarazi të zhvillimit territorial.

Mungesa e politikave për zhvillim të balancuar me investime në qarqet e tjera është kthyer në pengesë për zhvillim të qëndrueshëm kombëtar, duke zbrazur zonat e tjera dhe duke përkeqësuar sfidat urbane, tha ai.

Nga ana tjetër, gjatë 2025, Shqipëria ka vijuar të përballet me rënie të popullsisë në të gjitha qarqet e vendit. Numri i bizneseve në disa qarqe ka ndjekur numrin e popullsisë.

P.sh. popullsia e Korçës u tkurr me 2.1% në vitin 2024 në krahasim me 2023, teksa numri i bizneseve në këtë qark në të njëjtën periudhë ra me 2.4%.

Gjithashtu në Qarqet e Elbasanit, Dibrës, Beratit, Kukësit, rënia e bizneseve është në raport të drejtë me popullsinë. Në disa qarqe ku turizmi është në rritje të vazhdueshme, të tilla si Durrësi, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora, edhe pse popullsia është në rënie, numri i bizneseve ishte në rritje në vitin 2024.

Rritja bizneseve në qarqet ku ka rënie të popullsisë ka shtuar sfidat e bizneseve për gjetjen e punonjësve.

Të dhënat tregojnë një ndarje gjithnjë e më të theksuar midis qarqeve që arrijnë të ruajnë dinamizmin ekonomik përkundër rënies demografike dhe atyre që po përballen me një tkurrje të dyfishtë të popullsisë dhe aktivitetit ekonomik.

Përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në rajonin Tiranë-Durrës ka ndikime të thella dhe të shumanshme për zhvillimin e Shqipërisë. Ky rajon tashmë përbën një zonë metropolitane, ku përqendrohen mbi një e treta e popullsisë së vendit dhe një pjesë edhe më e madhe e aktiviteteve ekonomike dhe investimeve.

Turizmi në rritje, nuk reflektohet në zgjerimin e bizneseve të hoteleve dhe restoranteve

Turizmi ka qenë kryefjala e ekonomisë në tre vitet e fundit për kontributin në rritje, në të ardhura, punësim etj., por kjo nuk u reflektua në një numër më të madh restorantesh dhe hotelesh vitin e kaluar.

Të dhënat zyrtare mbi numrin e hoteleve dhe restoranteve për vitin 2024 tregojnë rënie të lehtë në shkallë kombëtare, me 0.5% krahasuar me vitin 2023. Numri i përgjithshëm i njësive zbriti nga 17,962 në 2023 në 17,879 në 2024, një ndryshim modest, por domethënës në kontekstin e rritjes së turizmit në vend.

Rënia më e theksuar u regjistrua në Elbasan, me 6.3%, duke humbur 83 njësi akomoduese dhe restorante.

Edhe Korça dhe Kukësi pësuan tkurrje të ndjeshme përkatësisht 5.0% dhe 3.9%, ndërsa Dibra dhe Lezha pësuan ulje më të lehta, me 2.9% dhe 3.0%.

Reduktimi në disa qytete me potencial të lartë zhvillimi turistik lidhet me faktorë si investimet e ngadalta publike apo ndryshimet në preferencat e turistëve.

Nga ana tjetër, disa qarqe regjistruan rritje, duke sinjalizuar zhvillim selektiv të infrastrukturës turistike.

Vlora dhe Shkodra ishin ndër të paktat që përfituan, me rritje përkatëse prej 1.6% dhe 2.4%, ndërsa Gjirokastra dhe Tirana patën rritje prej 4.0% dhe 0.7% secila.

Tirana mbetet një nga qendrat kryesore të restoranteve dhe hoteleve me mbi 6,200 njësi aktive, ndërkohë që Vlora ruan pozicionin si destinacion bregdetar me rritje të qëndrueshme.

Durrësi, pavarësisht statusit si një nga qytetet më të vizituara nuk kishte rritje të bizneseve, madje një prej tyre u mbyll.

Rënia në disa qarqe dhe rritja në të tjera shfaq një panoramë të fragmentuar të zhvillimit turistik, që kërkon strategji më të përqendruara për të rritur konkurrueshmërinë dhe kapacitetin mikpritës në të gjithë vendin.

Në qarqe si Elbasani, Korça dhe Kukësi, rënia e strukturave të akomodimit mund të lidhet me mungesën e investimeve të reja në infrastrukturën mbështeste si rrugët dhe energjia.

Shumë biznese të vogla, të hapura pas pandemisë, gjithashtu kanë mbyllur aktivitetin për shkak të kostove në rritje, konkurrencës së lartë apo mungesës së vizitorëve gjatë sezonit të dimrit.

Në zonat më pak të zhvilluara, sidomos në veri dhe lindje, mungesa e stafit të kualifikuar ose largimi i të rinjve për emigrim po pengon funksionimin e hoteleve apo hosteleve ekzistuese.

Zonat me turizëm të kufizuar në muajt e verës kanë më pak interes për investitorët. Në qytete si Vlora, Tirana dhe Shkodra, rritja e numrit të vizitorëve të huaj dhe shqiptarë ka nxitur hapjen e strukturave të reja, kryesisht apartamente me qira ditore dhe hotele.

Në të kundërt, qarqe të tjera kanë pësuar rënie të bizneseve që operojnë në sektorin e tregtisë si Dibra (-2.2%), Kukësi (-2.5%), dhe Lezha (-1.7%).Kjo rënie nuk është e rastësishme, pasi këto janë ndër qarqet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë. Mungesa e fuqisë punëtore dhe e konsumatorëve potencialë po e bën gjithnjë e më të vështirë mbajtjen në këmbë të bizneseve lokale.Po ashtu, qarqe si Gjirokastra (-1.1%), Vlora (-1.0%) dhe Elbasani (-1.3%) kanë pësuar rënie, ndonëse më të moderuar. Në disa qarqe të tjera si në Gjirokastër dhe në Vlorë, emigracioni drejt Greqisë dhe vendeve të tjera ka ndikuar vazhdimisht në tkurrjen e aktivitetit ekonomik lokal.

box

Ndërmarrjet me mbi 50 punonjës, Elbasani me falimentet më të mëdha

Vitin e kaluar, 27 biznese me mbi 50 punonjës u mbyllën ose ranë poshtë pragut të punësimit 50+ prej vështirësive që ka krijuar rënia e Euros dhe sfidat demografike në qarqe.Të dhënat tregojnë se Elbasani humbi një të pestën e bizneseve të mëdha (-21%), duke reflektuar vështirësitë në metalurgji, përpunim druri e fasoneri.Lezha, Dibra, Kukësi, Gjirokastra regjistruan rënie nga 4% në 14%, ku përveç kursit të këmbimit, tkurrja e shpejtë e popullsisë nuk po favorizon bizneset me shumë punonjës.Tirana që strehon 56% të totalit të bizneseve me mbi 50 punonjës përjetoi vitin e kaluar 13 falimente, kryesisht prodhues tekstilesh dhe përpunim ushqimor.Nga ana tjetër, Berati dhe Vlora, Durrësi dhe Korça kishin rritje në numër të bizneseve me mbi 50 punonjës si pasojë e zhvillimeve pozitive në turizëm dhe logjistikë. Prej dy vitesh, Euro ka humbur rreth 15% të vlerës kundrejt Lekut. Dobësimi ka rrënuar fitimet e sektorëve si fasoneria, përpunimi i metaleve, drurit dhe materialeve të ndërtimit etj.