Shtrenjtimi i ushqimeve, karburanteve, celularëve, kafesë; inflacioni arrin në nivelin më të lartë që nga 2018-a

319
Sigal

Muaji korrik ka parë një përshpejtim të rritjes së çmimeve të mallrave dhe produkteve në vend, të udhëhequra nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve.

Rritja e inflacionit sinjalizon dhe për një përmirësim të konsumit në vend, pas lehtësimit të krizës së shkaktuar nga pandemia dhe ardhjes së turistëve.

INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2021 është 2,2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,4 %. Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga gushti i vitit 2018, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë.

Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2021, krahasuar me Qershor 2021 është 0,1 %.

Të gjitha grupet kanë raportuar rritje të çmimeve, por shtrenjtimi i ushqimeve dhe transportit është më i ndjeshëm për shkak të peshës së lartë që ato zënë në buxhetin e një familjeje.

Çmimi i karburanteve muajt e fundit është rritur katër herë, duke e shtrenjtuar me 20 lekë, për të arritur në rreth 170 lekë.

Rritja e ndikuar nga ushqimet dhe transporti

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,46 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,13 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Korrik 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 4,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,1 %, “Komunikimi” me 2,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,1 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shëndeti” me 0,7 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,6 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 7,0 %, “fruta” me 2,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2,4 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,3 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Qershor 2021, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 2,1 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Komunikimi” me 0,2 %, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 1,2 %, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %.