Alarm Kombëtar! Thika, një “armë” e ftohtë që po merr jetë, po kthehet në përdorim të përditshëm në Shqipëri. Kush do ta ndalë?
Nga shkolla te rruga, nga lokali te familja, një valë dhune që po merr jetë e plagos të mitur, të rinj e të moshuar. Përdorimi i thikës në Shqipëri tashmë është kthyer në një “modë”, duke shkaktuar plagosje të lehta e të rënda, deri edhe fatalitete. Nga shkolla te rruga, nga lokali te familja, thika është kthyer në “armën” më të përhapur të dhunës së përditshme në vend. Viktima të mitur, të rinj dhe madje të moshuar po plagosen apo humbin jetën në përplasje banale, duke krijuar një realitet të frikshëm që po del jashtë kontrollit. –Statistikat e trishta Sipas analizave të viteve të fundit, në Shqipëri ndodh një vrasje çdo 5 ditë, duke e renditur vendin mes shteteve me normë të lartë vrasjesh në rajon. Por plagosjet me thikë, të cilat shpesh nuk përfshihen në shifrat zyrtare, janë bërë edhe më të zakonshme. Rastet e fundit e dëshmojnë qartë: — Kështu, në Tiranë, një 14-vjeçar u vra me thikë në shkollën “Fan Noli”, ndërsa dy bashkëmoshatarë u plagosën rëndë. Në Maliq, një tjetër 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri mes të rinjve. Në Korçë, një 40-vjeçar mbeti i plagosur rëndë. Në Durrës, dy të moshuar, 67 dhe 70 vjeç, u përfshinë në një konflikt banal që përfundoi me thika. Në Vlorë, një 27-vjeçar u dërgua në spital me plagë të rënda në bark. Ngjarje që tregojnë se dhuna me thikë nuk njeh moshë dhe as vend, ajo ndodh në shkollë, në rrugë, në kafe, në lagje e deri në familje e kudo. –Një pandemi e heshtur Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se rreth 50% e viktimave të plagosjeve me thikë janë nën 30 vjeç, ndërsa 10% janë fëmijë. Në Shqipëri, kjo tablo pasqyrohet çdo ditë në spitalet tona, por pa u bërë publik dimensioni i plotë i fenomenit. Viktimat janë kryesisht meshkuj, ndërsa autorët shpesh janë të njohur të tyre, miq, shokë klase, fqinj. Psikologët e konsiderojnë këtë një alarm social: “Thika shihet si mjet mbrojtjeje, por në fakt është bumerang që po kthen tragjedi tek vetë të rinjtë,” thotë një prej tyre. Mësuesit raportojnë frikë në shkolla, ndërsa prindërit thonë se nuk ndihen të sigurt kur dërgojnë fëmijët e tyre. –Kërkesa për reagim urgjent Shoqëria civile kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme. Pyetjet që ngrihen sot duhen marrë seriozisht nga institucionet: Policia e Shtetit, si po i parandalon konfliktet e zakonshme që shpesh përfundojnë me gjakderdhje? Ministria e Arsimit, si po i mbron nxënësit në shkolla, kur edhe dera e banjës është kthyer në vend të pasigurt? Ministria e Drejtësisë, a duhet të rishikojë Kodin Penal, që mbajtja e thikës të trajtohet si mbajtje armësh? Ministria e Shëndetësisë, a ka statistika të sakta për plagosjet me thikë, apo numërohen vetëm vrasjet? –Koha për veprim, jo për heshtje Çdo ditë pa reagim është një ditë më shumë në të cilën thika merr jetë e plagos të pafajshëm. Nevojitet një strategji e qartë, që të përfshijë: -ligje më të forta për mbajtjen e armëve të ftohta. -edukim në shkolla për parandalimin e dhunës. -prani të dukshme të shtetit në komunitete. -mbështetje psikologjike për të rinjtë. Nëse nuk veprohet sot, nesër do të jetë tepër vonë. Thika nuk mund të lejohet të bëhet simbol i shoqërisë sonë. Ky është momenti për reflektim, vendimmarrje dhe aksion. Thirrje e drejtpërdrejtë: Institucionet nuk mund të fshihen më pas statistikave. Çdo vonesë sjell viktima të reja. Është detyrë e shtetit, e shkollës, e prindërve dhe e shoqërisë të ngrihen sot, që nesër të mos vajtojmë sërish. Nga: Ferit Shqefni





















