Elona SHEHU (SHAHINI)/ FMN Dhe BB gjunjëzojnë Bankën e Shqipërisë

674

*Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

 Situata e tregut financiar në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, kjo e parë në këndvështrimin e realizimit të treguesve makroekonomikë. Këtë gjë e kanë konstatuar dhe shprehur nëpërmjet një raporti edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare, siç janë FMN dhe BB, të cilat nëpërmjet testeve që kanë kryer kanë raportuar situatë riskoze të sistemit bankar në Republikën e Shqipërisë. Problematika e konstatuar prej tyre lidhet kryesisht me nivelin e kredive të këqija, përqendrimin e totalit të aseteve bankare në një numër të vogël bankash, nivelin e pjesëmarrjes së bankave në procesin e kreditimit të qeverisë dhe më e rëndësishmja dominimi i kredisë në valutë në sistemin bankar, proces, i cili do të çojë në zhvlerësimin e monedhës vendase. Për shkak të përfshirjes së madhe që kanë bankat në procesin e financimit të programeve qeveritare, duke dhënë kredi në lekë, nënkupton drejtpërdrejtë një humbje të përfitimeve të bankave, për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase.

Nëse do t’i analizonim të gjitha situatat me të dhëna konkrete, do të thoshim se borxhi i keq nga viti 2011 deri në vitin 2014 është rritur me 66.2%. Ky është një fenomen tejet i përfolur në media ditët e fundit. Një gjë e tillë vjen si pasoje e nevojës për të kuptuar realitetin e funksionimit të sistemit bankar në Shqipëri, jo si mundësi për të përhapur panik bankar, por si një mundësi për të bërë korrigjimet përkatëse. Në tabelën e mëposhtme shprehen qartë nivelet e të ardhurave dhe shpenzimeve për borxhin e keq për 9 vitet e fundit.

Niveli i Borxhit të keq në sistemin bankar 2011-2014 (mld lekë)

Treguesit

2011

2012

2013

2014

Kredi Totale 490.3 564.5 573.8 561.1
Kredi të Këqija 71 106 113.12 135.22
% e kredive të këqija 14.5% 18.9% 23.2% 24.1%

Niveli i borxhit publik dhe përfshirja e bankave në financimin e këtij borxhi ishte një tjetër problem i nënvizuar nga FMN dhe BB. Borxhit Publik Shqiptar, duke parë historikun e dhjetë viteve të fundit, ka qenë rreth 58% ± 5% në raport me PBB, duke u luhatur nga 41.9% në 2002, 38.2% në 2007 58.9% në 2012 dhe 63% në vitin 2013. Shohim se përveç se kemi një rritje të përqindjes së borxhit ndaj PBB ndër vite, kemi edhe tejkalim të kufijve maksimal të lejuar të këtij borxhi. Në nivel dhe global, Borxhi Publik/PPB shihet si një indikator i rëndësishëm i ekonomisë së një vendi për shkak të ndërlidhjes që ka me faktorë të tjerë ekonomik. Pjesa më e madhe e borxhit të brendshëm të Shqipërisë është afatshkurtër dhe kryesisht i mbajtur nga bankat e nivelit të dytë. Rreth 56% e borxhit të vitit 2011 ka qënë me maturitet deri në 1 vit. Ndërsa borxhi afagjatë maturohet në afatet mbi një vjeçare. Pothuajse e gjithë pjesa e borxhit të brendshëm është në monedhën vendase. Kjo vërteton edhe njëherë lidhjen që ka ulja e NBI-së në nivelin  2.75% me koston e borxhit publik si dhe defiçencën e kreditimit në valutë nga ana e bankave për konsumatorët dhe njësitë ekonomike.  Bankat tregtare janë kësisoj mbajtëset më të mëdha të borxhit, ndërkohë që sistemi jo financiar mban vetëm 15% të stokut të borxhit. Tabela e mëposhtme paraqet PBB nga viti 2002 deri në vitin 2013 dhe e lidhur me të paraqitet edhe niveli i borxhit publik ndaj PBB.

Treguesit e rritjes ekonomike, papunësisë dhe normës së Borxhit Publik në %, 2002-2013

Treguesit 2002 2003 2004 2005 2006 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013
PBB 4.2 5.8 5.7 5.7 5.5 6 7.8 4.9 3.8 3.1 1.6 1
Borxhi Publik/PBB 41.9 40.5 39.3 40.2 39.6 38.2 36.8 36.3 33.4 58.75 58.9 62.8

Borxhi publik ka efekte pozitive në ekonomi, nëse përdoret me efektivitet sidomos për investime me leverdi apo kthyeshmëri të lartë. Por, nëse keqpërdoret apo merret në kushte jo të përshtatshme dhe në momente sforcimi të ekonomisë, ai ndikon negativisht mbi një sërë parametrash të tjerë ekonomikë. Përmasa e borxhit është bërë treguesi kryesor në plan ndërkombëtar për ndjekjen e shëndetit të ekonomive. Borxhi publik i vendit historikisht ka qenë dhe mbetet borxh i brendshëm dhe afatshkurtër. Ky fakt përbën vetiu një risk për disa arsye:

Së pari, nga fakti që qeveria mund të marrë borxh kur dhe si të dojë nga publiku i saj, pa qenë nevoja të japë llogari për ecurinë e parametrave të saj fiskalë e makroekonomikë, parametra të cilët në huamarrje në tregun ndërkombëtar jo vetëm raportohen e argumentohen nga ana e qeverisë por edhe mbikëqyren e analizohen nga institucione e entitete mbipalëshe. Në kushte kur këto parametra nuk plotësohen, vendi detyrohet të marrë borxh me kosto gjithmonë e më të lartë.

Së dyti, në huamarrjen e brendshme shteti konkurron në njëfarë mënyre me sipërmarrësit privatë, duke lënë më pak fonde për ta, e duke ngushtuar kështu potencialin e investimeve të tyre private, efekti i njohur si crovvding-out.

Po kështu në raport konkludohet se borxhi publik afat-shkurtër i qeverisë paraqet gjithashtu një risk për financat në vend. Me një tregti të ndikuar nga euro, ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj rreziqeve të jashtme . Sipas Fondit, sektori bankar sot është më i ndjeshëm nga goditjet për shkak se bankat po mbajnë sasi të mëdha të obligacioneve qeveritare që mund të shkaktojë humbje të ndjeshme për to në rast se zhvlerësohet borxhi publik. Bilancet e bankave janë përkeqësuar , si rezultat i një rritje të shpejtë të kredive me probleme. Lidhja e fortë e institucioneve financiar me borxhin e qeverisë duket se paraqet sfida të reja për këtë sistem. Në skenarët ekstremë makroekonomikë, bankat pësojnë humbje nga kreditë, tregu dhe borxhi publik, dhe të paktën gjashtë banka  (që përfaqësojnë 21 për qind të aseteve të sistemit bankar në Shqipëri) mund të gjenden në mungesë kapitali. Testet e ndjeshmërisë gjithashtu tregojnë se një zhvlerësim i lekut do të përkeqësonte cilësinë e portofolit të huave dhe se rreziku do të rritej. Për të përmirësuar situatën FMN këshillon qeverinë që të ulë nivelin e kredive të këqija në sistem, të pakësojë rreziqet nga investime në letrat me vlerë, të ulë ekspozimin e ekonomisë ndaj euros dhe të përmirësojë mbikëqyrjen e institucioneve financiare jo-banka.

Niveli i kredisë në lekë dhe në valutë për periudhën 2008-2013(në miliardë)

Viti Kredia Totale Kredia Lekë Kredia Valutë
2008

396.2

114

282.2

2009

440.4

140

299.4

2010

483.1

157.2

325.9

2011

541.9

188.7

353.2

2012

554.7

215.1

339.6

2013

541

212.2

328.8

 

Përfaqësues të FMN dhe të BB dhanë konkluzionet e tyre mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare. Për mendimin tim është hera e parë që këto institucione prestigjioze ndërkombëtare kanë thënë të vërtetën mbi gjendjen e ekonomisë tonë, hera e parë që kanë vendosur pikat mbi i. Pse e them këtë? E them sepse prej tyre në mënyrë të vazhdueshme kemi dëgjuar vlerësime për rezultatet e arritura nga politikat e aplikuara nga BQ. Por sot shohim që kemi pasur një situatë të mirëkamufluar së cilës i ka ardhur fundi dhe duhen marrë masa nga BQ për ta sjellë atë në parametrat e duhur.