Frank SHKRELI*/ Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri Mars/Prill, 1991

668
Sigal

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars 1991, kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani dhe ndihmës/ sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë Memorandumin e Mirëkuptimit, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve nga të dy vendet. Më 1945-n, Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje. Por, sipas Departamentit të Shtetit, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria. Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan nga Shqipëria komuniste, për të mos u kthyer në Tiranë deri në vitin 1991.

Pothuaj e njëjta procedurë qe ndjekur nga Amerika edhe në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të  rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës më 15 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejtë një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe  njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para pluraliste, ndonëse jo të lira, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri më 31 mars, 1991.  Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arriti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit dhe në javë para zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, që prej vitit 1946. Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë më 1991-n, si dhe për  marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të lulëzojnë që prej asaj date, kësaj radhe desha të përkujtoj shkurtimisht, atmosferën e zgjedhjeve të para pluraliste nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve, si anëtar i delegacionit amerikan. Megjithëse, gjendja politike kishte ndryshuar shumë në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste- zgjedhjet e 31 marsit, 1991 ishin hapi i parë drejt liberalizimit, drejt hapjes së Shqipërisë ndaj botës dhe procesit të gjatë të demokratizimit të jetës në vend, pas një izolimi të vet-imponuar prej pothuaj 50-vjetësh.

Procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm, sepse ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para pluraliste ishin përpiluar nga partia në fuqi, d.m.th. Partia e Punës- dhe  natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara barazinë dhe të drejtën e barabartë për të zhvilluar një fushatë efektive.

Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që, partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin patur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë. Në të vërtetë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës – në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni  i tyre, për të mos thënë  mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe penetruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysmë shekulli.

Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as kandidatë për arsye se koha për t’u përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër. Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të shkurtit, kështu që opozita të kishte edhe më pak kohë për t’u përgatitur, por më në fund kishte vendosur që –si  një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin dhe të mbaheshin me 31 mars. Megjithëkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose zyrë funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitë elektoratit shqiptar. Megjithëse, votimet u cilësuan nga shumica e monitoruesve të huaj, sidomos europianëve, në përgjithësi si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë”. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutwiler në Uashington bëri një deklaratë me 3 prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së për zgjedhje të drejta dhe të lira”.  Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit tha duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se, “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke theksuar se: “Partia e shumicës duhet që të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla” dhe përfundoi duke shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se ato, “Do të mbështesin vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, deklaroi para 23 vjetëve, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri.

Fitorja e Partisë së Punës shkaktoi revolta në disa qytete, përfshirë Shkodrën, ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, dhe  u plagosën afër 30 të tjerë.  Fatkeqësisht, edhe sot pas 23 vjetësh të këtyre vrasjeve, siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë e vendit, nuk është zhvilluar ndonjë proces drejtësie për ata që ishin drejtë për drejtë përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm. Thuhet se, këto të shtëna, të cilat sipas dëshmitarëve vendas, kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër  jehona e të cilave kumbon edhe sot për drejtësi në korridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore, 23 vjet pas zgjedhjeve pluraliste. Më kujtohet mirë se megjithë shpresat e mëdha për një fillim të ri, për një shoqëri më të drejtë dhe më tolerante për Shqipërinë post komuniste, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, në radhët e delegacioneve të huaja në Tiranë, si një shenjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet e tyre, 23 vjet më vonë.

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.