Sigurimet paguan 1 miliard lekë për aksidentet në 2018-n

533
Sigal

Kompanitë e sigurimeve paguan mbi 1 miliard lekë detyrime për aksidentet në 2018-n

Kompanitë e sigurimeve kanë rritur ndjeshëm pagesat për aksidentet  gjatë vitit 2018. Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi deklaroi se vitin e kaluar shoqëritë e sigurimeve kanë paguar mbi 1 miliard lekë për Fondin e Kompensimit, ndërsa në muajt e parë të viti 2019, shuma e paguar është rreth 200 milionë lekë. Drejtori i AMF-së në raportimin e bërë në Komisionin e Ekonomisë theksoi rëndësinë e zgjidhjes së problematikës së mbartur prej vitesh në lidhje me pagesat e Fondit të Kompensimit që mbulon dëmet nga mjetet e pasiguruara. Ai u shpreh se ka pasur një përmirësim të raportit dëme/prime, i cili për herë të parë arriti shifrën 42%. “Çdo tre muaj bëjmë inspektime në çdo shoqëri për të parë ecurinë e pagesave dhe ndonjë zvarritje që mund të bëhet nga shoqëritë e sigurimit. Kompanitë e kanë kuptuar që kjo është një përgjegjësi e tyre, gjithashtu pagesa e dëmeve rrit edhe besimin në treg.”-deklaroi në Kuvend kreu i AMF-së. Një nga vendimet që ka sjellë më shumë ndikim te qytetarët është ndryshimi i Rregullores “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Sipas tij, qytetarët shqiptarë përfitojnë një rritje të konsiderueshme të dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve.

Por ajo që bie në sy pas raportimeve të kreut të AMF-së dhe shifrave të publikuara në faqen e saj online ka të bëjë me disa shifra korrekte, të cilat tregojnë se shtetasit dhe subjektet e tjera juridike dhe private për dëmet që u janë shkaktuar kanë marrë dëmshpërblimet e tyre në shifra të konsiderueshme. Sipas buletinit statistikor të vitit 2018 për dëmet e paguara në sigurimin e zjarrit, forcat e natyrës dhe dëmet e tjera në pronë janë paguar në total 1 miliard e 587,779 lekë . Kompania që ka paguar më shumë ndaj klientëve të vet është SIGMA Interalbanian Vienna Insurance Group,  e cila ka paguar 1 miliard e 336,566 lekë ose e konvertuar në përqindje kjo kompani ka paguar për dëmet bruto për 2018-n,  84.18% të vlerës totale të kompanive për sigurimin e zjarrit, forcat e natyrës dhe dëmet e tjera në pronë. Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se sigurimi i banesave është një nga  sigurimet që duhet bërë kulturë dhe detyrim, pasi të paguash 5 mijë lekë në vit, është një shifër tejet minimale për këdo qytetar, të cilit nesër mund t’i shkatërrohet apo digjet banesa për pakujdesinë  e vetë apo edhe të komshiut.