Braktisin Juridikun dhe Ekonomikun, studentët duan IT

916
Sigal

Studentët nisin të “braktisin” juridikun dhe ekonomikun, preferojnë inxhinierinë dhe IT

Numri i studentëve që ndjekin arsimin e lartë ka rënë dukshëm gjatë katër viteve të fundit me rreth 15 për qind, teksa shihet se preferencat për studime kanë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Studentët janë duke rritur prirjet për studime me degët që sigurojnë shanse më të larta për punësim dhe sigurisht të ardhura më të larta pas studimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë viteve 2014-2018 numri i studentëve në degët e inxhinierisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) pësoi rritje të ndjeshme, teksa në degët e tjera si juridik, ekonomik dhe degët që lidhen me arsimin ka rënie të ndjeshme të interesit për të studiuar. Në degët e ekonomikut dhe juridikut, në vitin 2018 numri i studentëve ra me 8600 në raport më vitin 2014 ose 20 për qind më pak. Rënie e madhe u vu edhe në numrin e studentëve në degët e arsimit, shkencave natyrore dhe degët e bujqësisë, përkatësisht me 26%, 32% dhe 51%.Në të kundërt në degët e inxhinierisë numri i studentëve në vitin akademik 2018-2019 pësoi rritje me 6.8 për qind dhe në degën e TIK-ut  ishte 4.8 % më i lartë. Preferencat për degët po ndryshojnë në mënyrë të ngadaltë, pasi gati një e katërta e studentëve vijon të preferojnë studimet në degët e biznesit dhe ligjit edhe në vitin 2018. Modeli arsimor që po ndjekim nuk i shkon për shtat nevojave të tregut të punës, teksa bizneset në sektorë të veçante si shërbimet teknologjike, bujqësia, dhe turizmi po hedhin alarmin se mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës po shndërrohet në një nga pengesat më serioze për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Mbi 50 për qind e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe Turizmin ka pësuar rënie të ndjeshme. Për nga ana perspektivës, qeveria shqiptare ka parë me prioritet zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit për shkak, se hapësirat për rritjen e tyre janë ende të mëdha, ndërsa këto dy degë vuajnë mungesën e njerëzve të shkolluar. Ministria e Bujqësisë hodhi alarmin pak kohë më parë se profesioni i Agronomit është në zhdukje, teksa miratoi një ligj të posaçëm për ta kategorizuar në listën e profesioneve. Shqipëria numëron 15,000 bare dhe gati 5,000 bare restorante, por personeli që punon në këto struktura nuk ka shkollimin përkatës. Ekspertet mendojnë se cilësia e dobët e shërbimeve në hotelet dhe baret shqiptare është një nga arsyet kryesore, që po mban peng zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm. Sistemi arsimor shqiptar veç të tjerash vuan mungesën e zhvillimit me kohën edhe për shkak të mungesës së financimeve. Shqipëria financonte më shumë se 4-5 për qind të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD- së jepnin në atë kohë. Por përgjatë viteve të tranzicionit financimet për arsimin janë përkeqësuar pasi akordohen rreth 3 % të PBB-së, nivel gati 40 për qind më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20 për qind me pak se, financimet që japin vendet e rajonit. Më 2019, sektori i arsimit mori financime 57 miliardë lekë ose sa 3.2% të PBB. Sipas  Arsimit mësohet se 0,2% e PBB financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkt në arsimin e lartë.Sipas një analize të fundit të United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO) Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin në raport me PBB në raport me vendet e tjera të kontinentit. Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverise për arsimin kanë qenë të ulëta, dhe përgjatë 15 viteve te fundit mbeten kryesisht rreth 3 % të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Në 2007-n, një vit përpara krizës ekonomike financiare dhe recesionit ekonomik, përqindja përkatëse mezi arriti ne 3.2%. Pas krizës, financimet për arsimin kanë qenë sistematikisht poshtë 3 për qind të PBB-së. Eksperti pohojnë se, financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat pa vaforizuara të popullsisë. Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria ka planifikuar të kundërtën, fondet do të ulen më tej gjatë tre viteve në vijim sipas projektimeve në buxhetin afatmesëm 2020-2022 të Ministrisë së Arsimit.