Bankers Petrolium kërkon 700 mln. euro në Arbitrazh ?!

Pas 16 vite plaçkitje të naftës, ajo bëhet gati për vjedhjen e fundit. Bankers deklaron mbi 400 mln USD të ardhura në vit dhe letrat i bënë sikur del me humbje. Inxh.Isuf Tushe: Politika, qeveria dhe Bankers vallëzojnë në pellgun naftëmbajtës.

 

Sigal

Afera e shekullit ,“Bankers Petroleum” kërkon 700 milionë euro në Arbitrazh?!

 Pas 16 vite plaçkitje të naftës bëhet gati për vjedhjen e fundit dhe për t’ia mbathur

 Mafia “Bankers Petroleum” që deklaron mbi 400 milionë USD të ardhura në vit dhe bën letrat sikur del me humbje mësohet se i kërkon shtetit shqiptar 700 milionë euro dëmshpërblim në Arbitrazh. Të përfshirë drejtorë dhe ministra të Edi Ramës. Harrojeni 110 milionë euro për Francesco Bechetin

 Shqipëria vijon të mbetet një vend i dorës së tretë, kur kompani të huaja me pronarë të kamufluar, në bashkëpunim me qeveritë e korruptuara në vend, zhvatin pasuritë kombëtare dhe buxhetin e shtetit. Për 30 vite me radhë, për shkak të qeverive njëra më e korruptuar se tjetra, të huajt kanë gjetur shesh për të bërë përshesh në Shqipëri, duke shfrytëzuar pasuritë publike, shmangur taksat, manipuluar bilancet dhe ndarë një pjesë të parave me pushtetarët e korruptuar vendas dhe drejtësinë që të mos veprojë. Me taksat e shqiptarëve do t’i paguhen 110 milionë euro Francesco Bechetit, pasi Edi Ramës iu tek t’i rrethonte dhe mbyllte televizionin, pasi Becheti i bezdiste dhe ishte konkurrent i Vjollca Hoxhës dhe Aleksandër Frangajt.

Pas pesë vite vjedhje me Saliun dhe Ilirin me kosto rreth 500 milionë euro, CEZ u largua nga Shqipëria, duke marrë edhe 400 milionë euro të tjera si peshqesh, falë një marrëveshje me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn. Rastet e tjera janë të shumta dhe secili më korruptiv se sa tjetri, ndërsa prokuroria dhe SPAK nuk ka vënë askënd para përgjegjësisë. Nëse CEZ dhe Becheti tashmë kanë marrë paratë dhe kanë ikur, sot kemi një kompani, e cila u vjedh qindra milionë euro shqiptarëve përmes grabitjes së naftës, ndërsa po bëhet gati për vjedhjen e fundit, me shumë gjasa për t’u larguar.

Bëhet fjalë për kompaninë naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”, e cila grabit prej 16 vitesh pasurinë nëntokësore të shqiptarëve, në bashkëpunim me kupolën politike mafioze të Tiranës, ndërsa paratë i çon me thasë në parajsa fiskale. Për 16 vite “Bankers Petroleum” ka vjedhur mbi 3 miliardë euro, duke manipuluar çdo vit bilancet, duke falsifikuar investimet dhe shpenzimet, për të shmangur derdhjen e taksave në buxhetin e shtetit. Paratë që duhet të shkonin në buxhet, kanë përfunduar në parajsat fiskale, ndërsa një pjesë ndahen me zyrtarët e radhës në pushtet dhe vazhdimisht me prokurorë dhe gjyqtarë, që të mos veprojnë për të mbrojtur pasurinë publike.

Sipas burimeve, krahas vjedhjeve vjetore ku deklaron mbi 400 milionë USD të ardhura në vit dhe në fund bën letrat sikur del me humbje, “Bankers Petroleum” ka paditur shtetin shqiptare në Arbitrazh, duke i kërkuar 700 milionë euro dëmshpërblim. Gjithçka po mbahet sekret dhe vetëm një rreth i ngushtë është në dijeni të aferës që po gatuhet, e cila nëse realizohet, do të mbetet si afera më e madhe financiare në historinë e Shqipërisë. Sipas burimeve të besueshme, për të përgatitur rrethanat për padinë në arbitrazh janë përfshirë drejtorë dhe ministra të Edi Ramës, duke krijuar kushtet për një dëm financiar të rremë. Në vijim do të sjellim detaje të reja rreth padisë së “Bankers Petroleum”, e cila është favorizuar nga tre qeveri, qeveria e Fatos Nanos, e Sali Berishës dhe prej 8 vitesh nga qeveria e Edi Ramës.

Kjo nuk është hera e parë që Bankers Petroleum kërcënon me padi në arbitrazh. Vjedhja 16-vjeçare nga Bankers Petroleum është një histori vjedhje, por është edhe një histori kërcënimesh dhe shantazhi, për të rritur pazarin. Kompania shtetërore Albpetrol nuk i njohu Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime në vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej Tatimeve.

Bankers Petroleum iu drejtua Arbitrazhit. Gjykata e Arbitrazhit, në shkurt të vitit 2015, penalizoi shtetin shqiptar me një vendim për t’i paguar 57 milionë dollarë Bankers. Një muaj më pas, në prill të vitit 2015, Edi Rama kërcënoi Bankers, duke e paralajmëruar se do të kërkonte një audit ndërkombëtar për veprimtarinë e saj korruptive.

Edi Rama deklaroi se “Këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë, të një sistemi të korruptuar dhe zhvatësish e grabitësish që shtrihet në të gjithë zinxhirin. Bazuar në auditin ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shtetit shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada”. Paralajmërimi rezultoi thjesht një presion për pazar dhe për të rindarë paratë. Ndaj Bankers Petroleum jo vetëm që nuk u morën masa, por qeveria u tërhoq edhe nga një betejë për t’i kërkuar kompanisë 60 milionë dollarë në formën e tatimit të fitimit të papaguar në vitin 2014. Edi Rama, që nga ajo ditë, nuk foli më për grabitjen e pasurisë nëntokësore dhe Bankers Petroleum vijon të mos paguajë taksa.“Bankers Petroleum” e solli në Shqipëri qeveria e Fatos Nanos në qershor të vitit 2004, në shkelje flagrante të ligjit, pasi kompania nuk plotësonte asnjë kusht. Bankers ishte regjistruar vetëm tre muaj para në parajsën fiskale të ishujve Cayman.

Bankers Petroleum fitoi një kontratë koncesioni në vitin 2004 në bazë të së cilës, kompania merr përsipër të investojë për rritjen e prodhimit të naftës në vend dhe të paguajë 50 për qind tatim mbi fitimin pasi investimi fillestar të jetë rikuperuar. Përgjatë viteve, Bankers raporton se ka investuar rreth 1.7 miliardë dollarë në Shqipëri, shumë që do të duhet të rikuperohet nga fitimet para se kompanisë t’i lindë detyrimi të paguajë tatim mbi fitimin.

Kjo ishte edhe skema e parë e vjedhjes, pasi investimi 1.7 miliardë USD, ishte një mashtrim për të mos paguar taksa. Edhe pas mbulimit të këtij investimi të pretenduar, Bankers Petroleum vijoi avazin, duke deklaruar shpenzime fiktive aq sa fitimet, për të mos paguar taksat, ndërsa u përfshi në shkelje të rënda me prokurimet. Sali Berisha u përbetua se do ta ndalonte abuzimin e Bankers, por vetëm sa rriti pazarin. Edi Rama u përbetua gjithashtu se do ta ndalonte Bankers, por me sa duket, përveç faljes së gjysmës së fitimit, do t’i japë edhe 700 milionë euro peshqesh kompanisë mafioze dhe më grabitqare në historinë e shtetit shqiptar./Pamfleti

Reagimi i specialistëve

 Politika, qeveritë dhe Bankers Petroleum vallëzojnë në pellgun naftë mbajtës Patos-Marinës-Kuҫovë

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Gjithmonë nëse ky lajm i zi është i vërtetë. Është shumë i rëndë për Shqipërinë ajo që u botua. Pritej të ndodhte kështu, sepse situata në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese agravohet ҫdo ditë dhe ka arritur në pikën më kritike të saj. Kjo ecën paralel me varfërinë e popullit dhe rritjen marramendëse të borxhit kombëtar. Besoj se mund të jetë i vërtetë, kjo është një nga tentativat, që bëjnë kompanitë konҫesionare jo serioze, grabitqare, për t’u pasuruar me resurset natyrore të popujve të varfër, që drejtohen nga qeveri të korruptuara. Na doli prapë në skenë, nuk paskan të mbaruar akoma hallet dhe vuajtjet tona me pasuritë natyrore! Kompaninë mafioze konҫesionare Bankers Petroleum, e krijuan qëllimisht dhe na e bënë peshqesh mafjozët e politikës dhe qeverive Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, pa përmendur këtu ministrat e tyre në krye të Ministrisë Energjitike në këto vite tranzicioni, po aq mafioz. Ne specialistët e naftës j’ua kemi argumentuar qartë, disa herë me fakte, që në 1994, kur Sali Berisha filloi lojën e pistë, të ҫmendur dhe mashtruese të konҫesioneve në naftë me kompaninë Premier Oil, që më vonë i pëlqeu më shumë Fatos Nanos dhe Ilir Metës, e rihapën prapë, me shumë zell, këtë lojë duke filluar me Bankers Petroleum në 2004 dhe akoma më tej prapë me riardhjen në pushtet të qelbësirës Sali Besisha në 2005, që i dha dorën e fundit: e fuqizoi më mirë këtë kompani hajdute dhe i degdisi të gjithë vendburimet e tjera ekzistuese të naftës dhe shumë asete të kësaj industrie tek simotrat e saj, me konҫesion. Sot, kjo monstër qurravitet për gjoja “padrejtësitë”, që i ka bërë Amerika dhe kërkon pafajësi nëpër tribuna militantësh, për t’i hedhur kundër saj. Me veprimet e tyre, Bankers Petroleum dhe gjithë të tjerat, treguan që në fillim se nuk e njihnin fare naftën, nuk kishin as eksperiencë dhe as kapital bankar për të investuar, por “fati” ju buzëqeshi, ju ra në dorë, falas, një pasuri me vlera kolosale monetare dhe ju dha një mundësi e madhe për të vjedhur dhe për t’u pasuruar bashkë me kupolën politike dhe qeveritarët. Këtu loja e konҫesioneve me vendburimet mbaroi. Shpresat e specialistëve të naftës u venitën përfundimisht për të mos u kthyer më kurrë. Që në fillim specialistët tanë, ju argumentuan këtyre pinjollëve se vendburimet ekzistuese të naftës, të zbuluara nga naftëtarët tanë me paratë e popullit, që janë plotësisht në shrytëzim dhe me fitim, nuk duhet t’i jepen kompanive të huaja me konҫesion. Por të themi realitetin, se pati dhe disa kokrra gjoja “specialist” të dështuar në karierën e tyre, që i kishte infektuar rëndë politika dhe prisnin me padurim të realizonin ëndrrën e tyre për ndonjë rol drejtuesi apo për pasuri, që ju kundërvuan specialistëve të ndershëm për këtë problem. Ata ishin një mbështetje e fortë për korrupsionin e politikës. Mirëpo, pas kësaj humbje shprese, thjesht për të marrë votat për të qeverisur, na dolën prapë në skenë mafjozët socialistë të politikës, me në krye pasardhësin e radhës të kupolës tyre, Edi Rama, i cili i premtoi popullit dhe naftëtarëve se do zhdukte konҫesionet e gabuara, duke përfshirë ato në naftë dhe miniera. Jo vetëm që nuk i prishi kontratat e tyre, por futi në këtë skemë korrupsioni “partizanët” e Tij politik. Ka 8 vite që po e përkedhel shumë butë, Bankers Petroleum, këtë kompani hajdutësh dhe ligjëron, sigurisht në heshtje, konҫesionet dhe korrupsionin, duke gjetur një mori marifetesh dhe mënyrash, që kjo kompani dhe të tjerat të mos preken ligjërisht dhe financiarisht, të amnistohen, sepse cënohet rëndë xhepi i kupolës politike dhe qeveritarëve që vjedhin bashkë me konҫesionarët. Edhe kur ishte rasti që Albpetroli rishtetëzoi ca vendburime, për thyerje kontratash, Ministri Damian Gjiknuri, menjëherë i fali ato prapë tek oligarkët e Tij. Ky veprim korruptiv dhe i papërgjegjshëm duhet ndëshkuar rëndë po qe se ka drejtësi. Bankers Petroleum që shrytëzon barbarisht vendburimet Patos-Marinës-Kuҫovë, ka vjedhur, ka abuzuar rëndë me këtë pasuri natyrore, ka shkatërruar ato për të vjedhur sa më shumë dhe në një kohë sa më të shkurtër, ka shkatërruar pasuritë private të familjeve, që jetojnë në këto zona, ka ndotur ambientin shumë keq, ka reduktuar mjaft fuqinë punëtore në këtë sektor dhe ka bërë gjithë ato palaҫollëqe bashkë me qeveritë dhe nuk i është cënuar një qime floku: kur ligjërisht në një qeverisje normale, të pa korruptuar, duhet të kishte ikur andej nga kishte ardhur.

Ajo, shpresoi t’i merrte ca miliona që kishte vjedhur punonjësi i saj Leonidha Çobo, e hodhi në qjyq për korrupsion, po kur e sheh se nuk po del dot atje ku duhet, se ajo ka vjedhur pasurinë e shqiptarëve bashkë me atë, kërkon tani t’i marrë shtetit tonë mafioz, nëpërmjet arbitrazheve, një shumë të madhe marramendëse dhe të largohet ose e bën këtë si presion ndaj popullit dhe naftëtarëve që të mbyllin gojën dhe të mos flasin më për korrupsionin e saj, ose është ndonjë skemë e pastër korrupsioni, midis kompanisë dhe qeverisë, sepse siҫ duket kohët e fundit farfëria ka rritur zërat dhe akuzat ndaj saj. Për mos hyrë në qjynah ndaj qeveritarëve dhe kupolës politike “të nderuar dhe me duar të pastërta”, kjo manovër e kompanisë mund të jetë krijuar dhe stimuluar nga vetë qeveria në marrëveshje midis tyre për të ndarë gjobën bashkë. Nuk ka dyshim, po qe se është e vërtetë, që kompania e ka ndërmarrë një veprim të tillë, jam i sigurtë se ajo e fiton gjyqin në arbitrazhet e korruptuara ndërkombëtare, kudo qofshin ato, sepse ajo paguan dhe prapë do teprojë dhe për atë.

Këtë e favorizon dhe opinioni i keq që ka krijuar Shqipëria me arbitrazhet si humbëse, sepse mbrojtjen e ka shumë të dobët dhe ajo dërgon atje njerëzit e saj të korruptuar. Thonë se ajo do largohet, nuk ka mundësi dhe arsye të bëjë këtë veprim, aty ka akoma pasuri natyrore për të vjedhur dhe shkatërruar, po këtë gjobë e ka falas nga “populli, qeveria”, shpërblim për “punë të mirë” dhe i merr si paradhënie, nuk janë pak por sa fitimi i dy viteve që ajo do të siguronte gjatë punës së saj, bile në mos më shumë, sepse fitimin që do nxirrte në vendburim do e përgjysmonte me hajdutët, që ka fshehur aty, dhe ana tjetër po u largua, ku do gjejë ajo prapë vendburime qyl dhe të mos i paguaj asnjë detyrim shtetit. Me siguri ajo nuk largohet, aty do e kemi akoma. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Kjo është përgjegjësi direkte e qeverive, dhe sidomos kësaj aktuale, që i ka patur dhe i ka të gjitha mundësitë që kompanive konҫesionare në vendburimet ekzistuese të naftës, t’i pezullonte aktivitetin dhe të rikthente këto pasuri kompanisë shtetërore Albpetrol, pra popullit, sepse janë me shkelje kontratash. Largimi i kësaj kompanie konҫesionare hajdute dhe të korruptuar, si dhe gjithë simotrat e saj, është një fat i madh se do shpëtojnë pasuritë natyrore nga korrupsioni dhe shkatërrimi i mëtejshëm, por nuk është kjo rruga, sepse ndëshkohet rëndë me gjobë populli, prandaj qeveritë duhet të kishin zbatuar ligjin dhe nuk duhet të ishin në anën e kompanisë dhe familjarizuar me mashtrimet e saj, por duhet ta kishin ndëshkuar atë për gjithë allishverishet që ajo ka bërë me këtë pasuri natyrore dhe ta detyronin atë ligjërisht t’i kthente paratë e vjedhura. Populli nuk mund të shpresojë më për më shumë nga kjo kupolë politike dhe qeverive që dalin prej saj, ajo është tërësisht e zhytur në korrupsion dhe korrupsioni sjell vetëm korrupsion. Rruga që populli ndoqi në zgjedhjet elektorale, duke votuar të keqen më të vogël, ishte një gabim i madh, e keqja mbetet prapë e keqe dhe duhet zhdukur me të gjitha mënyrat demokratike të mundëshme.