Ambasada ruse: Nuk bllokojmë eksportin e grurit drejt Shqipërisë

636
Ambasada ruse në Tiranë hedh poshtë si të pabazë çdo lajm apo insinuatë se do të bllokojë eksportin e grurit drejt Shqipërisë. “Masat e marra për embargon ndaj mallrave bujqësore shqiptare, vjen në përputhje me reagimin reciprok dhe se ato nuk lidhen me eksportet ruse të grurit.
Ky hap i ndërmarrë në bazë të parimit të reciprocitetit ka qenë një kundërmasë e Rusisë ndaj vendeve që e kanë mbështetur vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/971 të dt. 22 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Rusisë, lidhur me të ashtuquajturat “veprime destabilizuese të Rusisë në Ukrainë” dhe vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/959 të dt. 19 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Krimesë dhe Sevastopolit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Lidhur me eksportin e grurit, Ambasada ruse sqaron “në rast se do të merret vendimi për bllokimin e importeve të grurit rus në Shqipëri, mund të themi me siguri të plotë që kjo nuk do të bëhet nga Rusia”.
Sigal