Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli/ Reforma e pensioneve, shkëputje përfundimtare nga e kaluara

841
Sigal

Sistemi shpërndarës përshtatet më mirë me kushtet ekonomike, financiare, sociale dhe mentalitetin e shoqërisë së vendit tonë. Aspektet e reformës

Reforma e pensioneve në Shqipëri është e domosdoshme, pse jo e vonuar. E vonuar për mungesë vullneti, guximi dhe vizioni politik dhe financiar të qeverive të mëparshme, sidomos pas vitit 2003, pse jo edhe prej sëmundjes së populizmit që ato nuk mund t’i shpëtonin dot asnjëherë. E domosdoshme kjo reforme për shume arsye:

Së pari, në aspektin politik, një reforme e plotë pensionesh në vendin tonë është e domosdoshme për të këputur edhe fijen e fundit që e mban lidhur me të kaluarën që starton që në vitin 1947 dhe që me gjithë ndryshimet e bëra edhe pas viteve ‘90, ky sistem nuk mundi të dalë përfundimisht nga suaza e korniza e vjetër komuniste. Për mua, pas vendosjes së pluralizmit politik dhe vendosjes së pronës private dhe ekonomisë së tregut, reforma e pensioneve është reforma më e madhe që na ndan përfundimisht me të kaluarën komuniste. Skema aktuale është konsumuar plotësisht, ka krijuar probleme shume të mprehta dhe padrejtësi, komplikacione dhe implikime të cilat mund të shndërrohen në shqetësime të rrezikshme për vënë sistemin e pensioneve.

Së dyti, në aspektin social, ajo është reforma më e gjerë, nga shtresat e popullsisë që ajo reflekton, numri i popullsisë që ajo përfshin, rreth 700 mijë njerëz preken prej saj.

Se treti, në aspektin financiar, skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentimit, pasi deficiti financiar i kësaj skeme sa vjen e rritet dhe sistemi ynë i pensioneve nuk mban dot ekuilibrin mes kontributeve dhe shpenzimeve.

Janë këto arsye dhe shumë të tjera të administrimit dhe teknike të cilat na bindin se kjo reformë është akute. Ndaj dhe unë që në fillim dua të theksoj se mbështes një reformë pensionesh në vendin tone, të plotë, të qartë, të ekuilibruar që i fut problemet e mësipërme në rrugën e zgjidhjes me sa më pak dhimbje sociale dhe duke ruajtur dinjitetin social të shtresave që preken.

Le t’i kthehemi pak dokumentit të prezantuar dhe projekt-ligjit që po diskutojmë e që do të shërbejë jo vetëm si bazë për politikat e ardhshme në fushën e pensioneve, por bazuar në to do të ndryshojë dhe reformohet gjithë kuadri ligjor i sistemit të pensioneve.

Çfarë përfaqëson dokumenti? Cilat janë politikat e reja dhe implikimet e tyre?

Zhvillimet demografike të identifikuara në 30-vitet e fundit në vendet e zhvilluara, por edhe në ato në zhvillim, përfshi dhe vendin tonë, kanë evidentuar nevojën për reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të moshuarit. Kjo dukuri u rikonfirmua edhe një herë në samitin e Madridit të OKB-së në vitin 2002.

II

Aktualisht, në Europë, por edhe më gjerë, është shtruar problemi i  zgjedhjes së njërit prej dy sistemeve të pensioneve: sistemit shpërndarës apo sistemit kapitalizues.

Që në fillim më duhet të theksoj se, tashmë është bërë zgjedhja e sistemit që do të aplikojmë,

atë shpërndarës, i cili përshtatet më mirë me kushtet ekonomike, financiare, sociale dhe mentalitetin e shoqërisë së vendit tonë. Ky sistem (shpërndarës) është sistem kolektiv ku aktivët e sotëm kontribuojnë jo për veten e tyre, por për pensionistët e sotëm. Në këtë mënyrë forcohet parimi kontributiv, duke i dhënë individëve me shumë shtysë për të qenë pjesë e sistemit të sigurimeve shoqërore. Shumica e vendeve të zhvilluara, përfshirë dhe SHBA-të, sistemin  shpërndarjes e përdorin pjesërisht.

Ekziston dhe një sistem tjetër sipas kapitalizimit, në të cilin  secili nga personat aktivë në punë, kontribuon për pensionin e tij. Kontributet vendosen në tregjet financiare të cilat menaxhohen me ndërmjetësimin e organizmave për “fondet e pensioneve”.

Modelin e këtij sistemi e gjejmë në vendet anglo-saksone. Mbështetësit e sistemit të kapitalizimit argumentojnë se, ky sistem favorizon kursimin e mjeteve për investime të cilat ndikojnë në rritjen ekonomike dhe për pasojë në përmirësimin e fondit për pensionistet.

Kalimi nga sistemi i shpërndarjes në atë të kapitalizimit nuk mund të bëhet njëherësh dhe brenda një kohe të shkurtër. Një kalim i menjëhershëm do të bënte që një individ të paguaje një herë për veten e tij dhe një herë për të tjerët.

Ndërkaq sistemi shpërndarjes

Instrumentet e propozuara në realizim e kësaj reforme në këtë projektligj janë:

Rritja e moshës së pensionit, mënyra e llogaritjes së pensionit të pleqërisë dhe vendosja e pensionit social, çështjet e masës dhe mbledhjes se kontributeve, problemet me llojet e tjera të pensioneve dhe pensioneve profesionale, qëndrimi ndaj të drejtave të fituara në fushën e pensioneve, etj.. Le t’i shohim shkurtazi, një nga një këto politika dhe instrumente që na ofrohen në Dokumentin e Politikave të Pensioneve dhe që janë shndërruar në nene të veçanta të P/Ligjit të ri të Sigurimeve Shoqërore.

1. Rritja e moshës së daljes në pension

Rritja e moshës së dalje në pension është komponenti më i rëndësishëm që lidhet me thelbin e reformimit të skemës së pensioneve, por njëherësh edhe më delikat sepse lidhet me gjithë shoqërinë, me të gjithë brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Personalisht bashkohem dhe e mbështes idenë e propozuar për rritjen e moshës së pensionit, duke arritur në 63 vjeç për gratë, gradualisht deri në vitin 2032 dhe 67 vjeç për burrat, si më e mundshme për realitetin shqiptar, e cila do të realizohet gradualisht deri në vitin 2056. Kjo do të thotë se reformimi i sistemit do të jetë më i kuptueshëm dhe më i pranueshëm nga të gjithë grupet shoqërore dhe natyrisht dhe më e lehtë dhe më e sigurt për t’u realizuar.

Rritja e moshës së daljes në pension ka peshën dhe përgjegjësinë më të madhe për përmirësimin e të gjithë parametrave të skemës së pensioneve dhe të gjithë komponentëve të sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Rritja e moshës së pensionit garanton suksesin e reformës së ndërmarrë në këtë fushë për reduktimin e varfërisë dhe ruajtjen e madje dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së individëve në periudhën e gëzimit të pensionit.

Propozimet e parashikuara synojnë që, përveç rritjes graduale të moshës së daljes në pension te ndërmerren edhe një varg masash të tjera që lidhen me reduktimin gradual të deficitit të bilancit financiar të skemës së pensioneve, nëpërmjet rritjes së qëndrueshme ekonomike, formalizimit të ekonomisë, përmirësimin e mekanizmit të mbledhjes së kontributeve, vendosjen e një lidhje më të drejtpërdrejt midis kontributeve dhe përfitimeve. Dokumentit dhe P/ligjit të ri u shtohen më shumë vlera së shoqërohet me politika te reja dhe masa konkrete të uljes së punës së “zezë” të informalitetit, ekonomisë gri, etj..

Proceset demografike dhe sidomos fenomeni i vjetrimit të popullsisë në vendet e zhvilluara, por që tashmë është prezent edhe në Shqipëri,  shpesh është kthyer në objekt diskutimi që lidhet me sistemin e pensioneve për: hapjen e vendeve të reja të punës sidomos për moshat e reja; zgjatjen e kohës së punësimit; politikat që shkojnë në favor të shtimit të lindjeve; migrimin si dhe nevojës për solidaritet midis brezave, etj, etj..

Tashmë është një fakt që, një pjesë e madhe e personave të rritur, largohen nga tregu i punës që në moshën 55 vjeç. Ndërkaq janë të shumtë ata që kanë kualifikime dhe përvojë të pasur profesionale por që për shkaqe të ndryshme, shmangen nga tregu i punës.

 Këto janë disa arsye, që rritja e moshës së detyrueshme të pensionit  përbën një premisë për një përdorim më të mirë të njohurive dhe përvojave të akumuluara. Por, gjithmonë me kujdes dhe në përshtatje me mentalitetin dhe rrethanat e vendit tonë.

Argumentet psikologjikë mbi vjetërimin e popullsisë janë një çështje e vështirë për t’u vlerësuar. Përballë kapitalit, përvojës dhe dijeve të akumuluara nga më të vjetrit, vihet dinamizmi dhe krijimtaria e më të rinjve.

Mënyra si do ta konsiderojnë e trajtojnë secili prej grupimeve njëri tjetrin dhe harmonizimi optimal i tyre përcakton në një farë shkalle dhe ecurinë e sistemit të pensioneve.

Presioni “krijues” i ushtruar nga gjeneratat e reja pa tjetër që e detyron pjesën tjetër të popullsisë të përshtatet, për ndryshe nuk është e lehtë.

Në vendet e zhvilluara por edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara tashmë po përdoret Karta e Imigrimit Selektiv si mundësi për të lehtësuar risqet e dobësimit të rritjes natyrore. Në fakt flukset e imigrimit të domosdoshëm, për të lehtësuar rënien e lindshmërisë janë të mëdha dhe konsiderohen me miliona. Por, kjo politike është shoqëruar me zbrazjen e disa vendeve origjinë (nisëse) për të mbushur disa vende të tjera që janë pritëse. Autorë dhe studiues të tjerë mendojnë se, për financimin e pensioneve duhen ndërtuar  politika te reja, sidomos për nxitjen e imigrimit dhe lindshmërisë.

2.Formula e llogaritjes së pensioneve të pleqërisë dhe Pensioni Social

Dokumenti ofron një formulë të re të llogaritjes së pensionit dhe fut konceptin e ri të Pensionit Social… Me konkretisht:

2.1. Pensioni Social

Pensioni social, sipas  dokumentit të reformës dhe nenit 31 të projekt ligjit, është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër.

 Shuma mujore e pensionit social është parashikuar të jetë afërsisht e barabartë me shumen e të ardhurave që ofrohet nga skema aktuale për një të siguruar që ka minimumin e periudhës së sigurimit prej 15 vjetësh dhe që ka kontribuar mbi një pagë minimale në shkallë vendi. (Vlera e këtij pensioni llogaritet te jetë afërsisht 6.500 lekë në muaj.)

 3.2. Pensioni mujor i pleqërisë (formula e re sipas reformës)

Sipas reformës, formula e llogaritjes së pensionit përcakton që: masa e pensionit mujor (P) është e barabartë me Pensionin Social (PS) masa e të cilit është jo më e lartë se sa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive; plus një shtese (Sh) vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.

3.3. Pensioni i plotë i pleqërisë (formula aktuale)

Masa e pensionit të plotë të pleqërisë (P) është e barabartë me masën e pensionit bazë (Mpb) që iu jepet të gjithë personave të siguruar, e cila korrektohet çdo vit me indeksin e çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura dhe përcaktohet çdo vit me VKM.

Aktualisht, masa e pensionit bazë në skenën urbane është 12,024 lek në muaj, ndërsa masa e pensionit bazë për skenën rurale është 8,233 lekë në muaj. Pensionit bazë aktualisht i shtohet edhe një Shtesë (Sh), e cila është sa 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. Në skemën rurale, shtesa mbi pensionin bazë llogaritet si 1% për çdo vit të siguruar pas 1994 shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. KM miraton çdo vit koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar.

Siç shihet sistemi pensioneve tek ne mbështetet në një formulë tipike të përfitimeve të përcaktuara. Në parim mënyra  e llogaritjes së përfitimit të pensionit të pleqërisë merr parasysh numrin e viteve të sigurimit dhe madhësinë e kontributeve të paguara dhe rrjedhimisht iu jep pension më të madh atyre që kanë kontribuar më shumë.

3. Mbledhja e kontributeve.

•Reforma e pensioneve i hap rrugë që në projekt-ligjin që paraqitet të shfuqizohen disa dispozita që kanë qenë në fuqi që në vitin 2003, ku përcaktohej mbledhja e kontributeve të kalonte  nga sigurimet shoqërore në përgjegjësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Këto dispozita tashmë kanë mbetur pa funksion, ndërkohë,që për procedurat e mbledhjes dhe transferimit të kontributeve është miratuar dhe zbatohet një ligj i veçantë.(Ligji 9136. 11.9. 2003 i ndryshuar) Kjo do të thotë se, reforma nuk e ka prekur organizimin aktual të mbledhjes së kontributeve që realizohet nga Tatim – Taksat.

•Përvoja 8-vjeçare e transferimit të përgjegjësisë së mbledhjes së kontributeve në organin e Tatim -Taksave tregon se me gjithë dëshirën e mirë që mund të ketë pasur kjo masë në kohën kur është marrë, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Heqja e të drejtës së mbledhjes së kontributeve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe kalimi në Tatim Taksat nuk kontribuoj në masën e pritur në  uljen e informalitetit, uljen e punës së zezë dhe asaj gri.

Mendoj se, në kuadrin e kësaj reforme mjaft të thellë e të gjithanshme të vazhdoj praktika e mbledhjes së kontributet nga tatim taksat por te shihet mundësia që pranë ISSH, të ngrihet Drejtoria e Kontributeve pranë ISSH së dhe me sektor në drejtoritë rajonale për të ushtruar kontroll të vazhdueshëm në subjektet e prodhuese dhe institucionet e ndryshme. Kjo do të ishte një masë e rëndësishme për luftën kundër informalitetit.

 4. Të drejtat e fituara dhe sigurimi shoqëror suplementare.

Skema e sigurimit shoqëror suplementar mbron me të ardhura personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese, punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH dhe personat me tituj shkencorë sipas kritereve të përcaktuara me ligje të veçanta. Synimet dhe objektivat e kësaj skeme qe i gjejmë në dokumentin e politikave dhe ne P/ligj qe u miratua, lidhen me ruajtjen e parimit Kushtetues të mos cenimit, përgjithësisht të të drejtave të fituar, në këto lloj pensionesh dhe përfitimesh (mos prekjen e tyre). Kjo, përgjithësisht synohet të ruhet edhe për kategoritë e pensioneve të pleqërisë të fituara deri në 31. 12. 2014.

Më në fund, dua të theksoj se kjo reformë do të shërbejë si bazë e reflektimit në ndryshimin e kuadrit ligjor, pasi shumë ligje preken dhe efektohen prej saj, të gjithë ligjet e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve qe do të duhet të vine deri ne fund te vitit dhe që reforma të hyjë në fuqi më 1 janar. Do të ketë ndryshime në pensionet profesionale për kategoritë e vështira, të punëve për pension e punonjësve të nëntokës për skemën e pensioneve të fshatit, për përfitimet për rastet e sëmundjeve dhe barrëlindjeve, si dhe për hapësirën qe do ti jepet funksionimit të fondeve dhe sistemit të skemave private të sigurimit, etj.. Sa i përket kësaj të fundit, duke iu referuar eksperiencës së zhvillimit të këtij sistemi sidomos në vendet në zhvillim, (por edhe aq sa ka funksionuar ky sistem në vendin tonë) pas viteve ’95, dalin në pah dy tendenca ose dy modele, të ndërtuar në mbështetje të kushteve konkrete të çdo vendi. Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, sistemi të jetë (sipas përkufizimit të Bankës Botërorë) me tre kolona (skema).

•      Kolona e parë një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm, i cili të mbulojë 35-40% të shkallës së zëvendësimit,

•      kolona e dytë, sistem privat i detyruar ku një pjesë e kontributit i kalon në llogaritë individuale të çdo të siguruari, i cili të mbulojë 20-25% të pensionit dhe

•      kolona e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15% të pensionit

Këtë model e kanë pothuajse të gjithë vendet si në Poloni, Bullgari, Hungari, Kroaci, Estoni, Rumani, Sllovaki, Maqedoni, etj..

Modeli i dytë, është për një sistem dykolonësh: përbehet nga:

•      një skemë bazë shtetërore e konsoliduar, e cila të përballoje 50-55% të pensionit dhe,

•      një skemë e sigurimit privat vullnetare të zhvilluar ku i krijohet mundësia nëpërmjet lehtësirave fiskale të gjithë popullsisë aktive të përfshihet në këtë skemë dhe të mbulojë 15-20% të pensionit.

•      Ky sistem funksionon në Slloveni, Bosnjë, Serbi, etj.. Mendoj që, për kushtet e Shqipërisë, futja graduale e sistemit trekolonësh do të ishte më efikase. Më duhet gjithashtu të vlerësoj se, ndërsa dokumenti shoqërohet me një raport vlerësues të efekteve financiare gjë që duhet të shoqëroj dhe p/ligjet qe do të vinë, sjellja e tyre në standard formal ligjor është e domosdoshme.

Koha për të filluar reformën e pensioneve është tani, nesër është vonë.