Prof. Dr.  Edmond Pingulli: Prof. Kiço Negovani, eruditi që ndikoi në arsimin shqiptar

829
Sigal

Prof. Kiço Negovani, nipi i denjë i një njeriu të martirizuar, eruditit dhe heroit të paharruar PAPA KRISTO NEGOVANI

Prof. Kiço Negovani, Dekani i gjallë në krijimin e “Universitetit të Tiranës”

(Dje Profesori mori titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)

Kiço Negovani ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin bashkëkohor të arsimit të lartë në Shqipëri.

 Euripidi thoshte: “Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”

 Ai është përfaqësues i denjë i asaj klase intelektuale, e cila me vullnet,  pasion, dashuri, këmbëngulje dhe përkushtim, përballoi me sakrificë dhe vetëmohim, sfidat më të forta që kombi ynë ka përballuar me sukses gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme në shekuj dhe pikërisht programin madhështor mbarë kombëtar të arsimit. Kjo luftë titanike u bë realitet, duke qenë e pranishme sot kudo. Drita e saj rrezatohet me forcë në çdo skaj të atdheut tonë të dashur, duke mbështetur çdo celulë të zhvillimit politiko-shoqëror dhe tekniko-ekonomik të tij. HEGEL thoshte: “Intelektual i vërtetë është ai që i përkushtohet kombit”.

       Ky bir i thjeshtë i çmuar i familjes së tij me tradita të mëdha patriotike, e cila ka lënë gjurmë gjaku të thella dhe të pashlyeshme, në historinë e përhapjes së arsimit të parë në gjuhën shqipe, tregoi me veprimtarinë e gjithë jetës së tij, se ai u bë një luftëtar i flaktë i mbështetjes së zhvillimit të arsimit të lartë. PROF. NEGOVANI ruajti me fanatizëm dhe çoi më përpara këto tradita të shenjta të familjes, duke treguar edhe një herë, se ai është një pasardhës i denjë me përmasa poliedrike i një mësuesi, luftëtari dhe martiri të paharruar të popullit tonë, ku vlerat e tij sa fisnike aq edhe mëmëdhedashëse, si dhe gjaku i tij që shërbeu si ushqim në kandilin e dritës, u bë simbol i kësaj drite. HORACI thoshte:“Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe, por edhe më kënaqësi është të jetosh për të”. Ai ndriçoi me madhështi errësirën e plotë duke zënë një vend sa   të çmuar po aq edhe të pashlyeshëm, në historinë e përhapjes së shkrim-këndimit të gjuhës tonë të bukur dhe të lashtë amtare. Në këtë piedestal monumental madhështor e meriton të ketë një vend të nderuar edhe mësuesi jonë i dashur PROF. NEGOVANI, nipi i denjë i një njeriu të martirizuar për këtë qëllim sublim, eruditit dhe heroit të paharruar “PAPA KRISTO NEGOVANIT”. I.A.DAMASKIN thoshte:“Në kujtesën e popullit atdhetarët janë të pavdekshëm”.

 Nga historia e popullit tonë kanë dalë shumë figura sa të shquara po aq edhe të çmuara të cilët me veprat dhe  punën e tyre kanë treguar, se ky vend i lashtë ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë përfaqësues të denjë për potencialin energjetik, mendor si dhe për fuqinë e tyre shpirtërore, të vlerësuar në nivelet më të larta të prodhimit gjenerues të racës njerëzore. Ata kanë mbetur gjithmonë monumente të gjalla të një pune titanike.

Më lejoni t’ju kujtoj me admirim dhe krenari shembullin më tipik të një të kaluare të hershme ku spikat gjenialiteti madhështor i bashkëkombësve tanë legjendarë, të cilët bënë epokë me historinë botërore dhe konkretisht të perandorëve me origjinë ilire, të cilët kanë mbretëruar në perandorinë “ROMAKE” për rreth 150 vjet, si: DECI, AURELIANI, PROBI, VALER DIOKLECIANI, MAKSIMILIANI, KOSTANDIN KLORI, GALERIO, KOSTANDINI I MADH, JULIANI e të tjerë    ( rreth 33 ), si dhe ata që kanë mbretëruar në perandorinë “BIZANTINE” si : ANASTASI dhe JUSTINIANI, të cilët me aftësinë e tyre udhëheqëse, si ushtarakë dhe politikë ja ngritën madhështinë dhe shkëlqimin kësaj perandorie me famë në historinë botërore. Pra evidentimi i personalitetit ushtarako-politik iliro-shqiptar, që kanë drejtuar shtete dhe perandori, përbën një potencial real për vlerat intelektuale të popullit tonë gjatë shekujve të historisë tonë të lashtë.

       Ky është një mësim i madh sa historik po aq dhe filozofik, i cili tregon edhe një herë shumë qartë, se shoqëria nuk duhet të harrojë vlerat e saj të prodhuara në kohë.

       Ky popull shquhet për zgjuarsi natyrale, duke u renditur në elitën e kombeve me inteligjencë të lartë. Kjo është një pasuri kombëtare me vlera të pa llogaritshme, e cila duhet ruajtur me fanatizëm, por njëkohësisht duhet shfrytëzuar me efektivitet maksimal, në dobi të zhvillimit dhe përparimit me ritme të larta të vendit. Gjithashtu ne duhet të kujdesemi për të vazhdimisht, duke e zhvilluar dhe propaganduar në mënyrë që të kryejmë një punë të mirëfilltë edukuese, për brezat që vijnë. Ne nuk jemi të pasur që t’i biem me shqelm kësaj pasurie, sepse një ndër parimet bazë të përparimit cilësor të shoqërisë moderne, i shprehur simbolikisht, është se që shkretëtira të kthehet në një oaz begatie, duhet të  zbatohet ekuacioni matematik i thjeshtë në dukje, por i vështirë në zbatim, i cili përmban nga njëra anë mendjen e  ndritur dhe nga ana tjetër punën vetëmohuese.

       Ne nuk duhet të lejojmë qëndrime të pa përgjegjshme si ato të rrjedhjes së trurit, siç ka ndodhur deri më sot, por duhet të krijojmë me çdo kusht kondita të favorshme në këtë drejtim. Duhet të ngrihemi me forcën e dinjitetit tonë kombëtar, patriotik dhe intelektual, që t’i pritet rruga kësaj të keqeje të madhe, e cila ka marrë përmasat e një sëmundjeje galopante. Në këtë vend sa të bukur aq edhe të pasur ka vend për të jetuar mirë të gjithë. Po t’i referohemi historisë tonë të vjetër dhe të re, dallojmë menjëherë lakminë e madhe të vendeve të tjera, për ta pushtuar atë dhe për ta shfrytëzuar atë.

Sot ne po nderojmë me dashuri dhe respekt të thellë luftëtarin e madh, patriotin e madh, shkencëtarin e madh, mësuesin e madh dhe mbi të gjitha njeriun e madh. Ai është i vetmi “DEKAN” i mbetur gjallë nga të gjithë ata që u emëruan në krijimin e “UNIVERSITETIT TË TIRANËS” duke shtuar akoma më tej, nderimin dhe konsideratën për të. Kujtimi i tij do të mbetet i pa harruar në breza, duke u ngritur në piedestalin memorial të figurave më të çmuara të popullit tonë. GEORGES RADET thoshte:“Përtej muzgut të vdekjes vepra e një njeriu gjeni qëndron në shekuj”.

PROF. NEGOVANI i përket atij brezi idealistësh, që me dashuri, përkushtim vetëmohim dhe sakrifica sublime, si dhe me thjeshtësinë që i karakterizonte, dhanë gjithçka që ju kërkua dhe nuk morën asgjë, duke i dhënë kështu një mësim sa  të pa harruar po aq edhe konkret zhvillimit historik të shoqërisë tonë në të ardhmen. Ky edukator i brezave të tërë të fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit, ky luftëtar i vendosur i realizimit të programeve sa shkencore po aq edhe madhështore të rimëkëmbjes dhe përparimit të vendimit tonë në fushën e arsimit dhe ndërtimit si dhe ky intelektual erudit me shpirt dhe zemër të artë do të mbetet shembulli më tipik dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitoz të armatës të ndërtimit. Të gjitha këto ai i ka bërë për lavdinë e atdheut të tij të shtrenjtë, pa ditur se një ditë, ato do t’i kthehen në lavdi për emrin e tij, i cili do të mbetet  si një fener i ndriçuar në jetë të jetëve, duke u kujtuar me admirim të thellë në brezat e ardhshëm. Ky është një gjest fisnik, i cili e meriton këtë shërbesë modeste por shumë kuptimplote për të gjithë ne nxënësit e tij sot. Nderimi për jetën dhe punën e këtij njeriu, është njëkohësisht nderim për jetën dhe punën e secilit nga ne, duke përbërë kështu gurin e çmuar të veprimtarisë njerëzore. Mirënjohja e thellë ndaj një kujtimi, përmban në vetvete obligimin më dinjitoz, që shpreh në veprimtarinë e saj jetësore shoqëria e emancipuar. Ne të gjithë duhet të kujtojmë me krenari dhe respekt të madh këta njerëz, sepse tek ata ne gjejmë frymëzim të pashtershëm në veprimtarinë tonë.