Nasip Naço: Korrupsionin do ta godasim në zemrën e tij, duke i konfiskuar të gjithë pasurinë

512
Sigal

Projektligji/ Forcimin e shtetit të së drejtës, domosdoshmëri që Shqipëria të përparojë dhe të anëtarësohet në BE

Në Progres Raportin e Komisionit Europian për vitin 2013 theksohet forcimi i luftës kundër korrupsionit. Konkretisht në të specifikohet se: “Është bërë përparim i moderuar në luftën kundër korrupsionit, që është prioritet kyç i Opinionit. Janë bërë disa përpjekje për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe ndjekjes penale në raste zyrtarësh përgjithësisht të nivelit të ulët dhe të mesëm. Megjithatë, hetimet efektive vazhdojnë të pengohen nga mungesa e një qasjeje proaktive si dhe mungesa e burimeve dhe pajisjeve. Nuk ka vijimësi adekuate hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh në të gjitha nivelet. Korrupsioni është prevalent në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem veçanërisht serioz”.

 Korrupsioni përbën një sfidë serioze, që dëmton demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Në vitin 2012, Shqipëria zbriti 18 vende në renditjen e Indeksit të Korrupsionit të organizatës prestigjioze Transparency International, duke u klasifikuar si vendi më i korruptuar në Europë. Programi i Qeverisë 2013-2017 vlerëson si emergjente marrjen e masave për të luftuar korrupsionin, duke shprehur vullnetin e palëkundur politik për frenimin dhe parandalimin e veprimeve korruptive, duke e shpallur korrupsionin si një nga plagët më të thella që bjerr mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë dhe e ndan atë dukshëm nga vendet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër  Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Nasip Naço që ditët e para të krijimit të kabinetit në muajin gusht 2013 që të përgatis menjëherë së bashku me ekspertët ndryshimin në ligjin Nr.7905 datë 21 .3.1995 të “Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë “të Ndryshuar”. Ky projekt së bashku me relacionin përkatës do t’i dërgohet Kryeministrit Rama dhe më pas do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi para pak ditësh se një pjesë e krimit dhe kriminelët kanë bashkëvepruar me strukturat e Policisë së Shtetit  dhe ky bashkëpunim që është paguar me gjakun e punonjësve të rendit do të marrë fund njëherë e mirë. Pikërisht këto ka pasur parasysh edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i cili më mirë se kushdo tjetër e di pasi vjen direkt nga strukturat e hetimit dhe zbulimit të krimit dhe kriminalitetit. Sipas tij, krimin dhe korrupsionin do ta godasim në zemër të tij tek pasuria, duke konfiskuar të gjitha pasuritë e vëna mbi mundin, djersën dhe gjakun e qytetarëve të thjeshtë të shtetit shqiptar. Miratimi i këtij projektligji do të sjellë rritje të cilësisë së hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e korrupsionit, duke synuar dënimin e çdo individi që kryen veprime korruptive.

 Strategjia Kombëtare për  Zhvillim e Integrim

Në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim (SKZHI), zbatimi i përgjegjshëm i strategjisë antikorrupsion synon reduktimin progresiv e të qëndrueshëm të korrupsionit, forcimin e integritetit të institucioneve dhe promovimin e vlerave në qeverisje nëpërmjet kultivimit e forcimit të mendësisë së shërbimit ndaj qytetarëve nga administrata publike, zbatimit të efektshëm e të barabartë të ligjit, përmirësimit të transparencës e informimit, zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik e njerëzor, cilësisë, përgjegjshmërisë e efektivitetit në qeverisje. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit është shumë dimensionale dhe përbën një fazë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror të shoqërisë shqiptare e sistemit të drejtësisë në veçanti. Një nga masat kryesore që nevojitet për të patur një luftë efektive ndaj korrupsionit, është përshtatshmëria e legjislacionit penal me standardet europiane dhe ndërkombëtare në këtë fushë, si dhe hetimi dhe gjykimi profesional i akuzave për korrupsion. Nga analiza e të dhënave statistikore rezulton se pesha specifike që zë grupi i veprave penale në fushën e korrupsionit për vitin 2012 është 0,37 % (për qind), krahasuar me 0,32 % (për qind) që ishte në vitin 2011, përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë Republike. Analiza e të dhënave statistikore, tregon se pesha specifike e procedimeve penale për veprat penale në fushën e korrupsionit është më e lartë në vitin 2012, krahasuar me numrin total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi. Nga ana tjetër, edhe numri i personave të dënuar ka pësuar ulje të ndjeshme në vitin 2012, duke vënë në dyshim mënyrën efektive të hetimit dhe të gjykimit të këtyre veprave penale. Ky konkluzion është tregues i nevojës për të rishikuar legjislacionin në fuqi, mbi hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e korrupsionit. Është fakt tashmë se legjislacioni penal shqiptar ka pësuar ndryshime të shumta, që kanë synuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare. Kodi Penal shqiptar, në tërësinë e tij, është vlerësuar nga mekanizmat monitorues si në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit. Ndërkohë që zbatimi i efektshëm dhe përmirësimi i mekanizmave dhe mjeteve për hetimin e akteve të korrupsionit, si dhe forcimi i kapaciteteve dhe burimeve për përdorimin e efektshëm të teknikave të posaçme të hetimit, mbetet një sfidë që duhet të realizohet. Konsolidimi i sistemit të hetimit dhe rritja e ndjeshme e shpejtësisë dhe e eficencës së ndjekjes penale, vlerësojmë se do të jetë një mekanizëm i përshtatshëm për të forcuar luftën ndaj korrupsionit, si dhe për dënuar çdo veprim korruptiv të kryer në Shqipëri.

 Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

Ndërhyrja që propozohet nëpërmjet ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ndër të tjera, synon ta konsiderojë korrupsionin, ndër krimet e rënda në vendin tonë dhe që duhet të gjykohet nga një gjykatë e specializuar dhe të hetohet nga një prokurori e specializuar. Vlerësojnë se veprat penale në fushën e korrupsionit duhet të përfshihen në nenin  75/a të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht për shkak se korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me veprat penale në fushën e pastrimit të parave, krimin e organizuar, si dhe trafikimin e shfrytëzimin e prostitucionit. Një propozim i tillë reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe sugjerimin e Këshillit të Europës që thekson specializimin e personave apo organeve që merren me luftën ndaj korrupsionit, si dhe mbështetjen e tyre me burime materiale dhe trajnime për të përmbushur funksionet e tyre, si një mënyrë efikase për të parandaluar korrupsionin. Ndërhyrja në Kodin e Procedurës Penale mendohet të jetë e tillë që të propozojë ndryshimin e nenit 75/a të tij. Kompetenca lëndore e Gjykatës për Krime të Rënda parashikohet nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, i cili liston të gjitha veprat penale që gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, duke përfshirë edhe rastet kur ato kryhen nga të miturit. Përfshirja në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda edhe të veprave penale në fushën e korrupsionit, kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e nenit 75/a të Kodit të procedurës Penale. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë, bazuar në vullnetin politik të Qeverisë për të luftuar më çdo mjet dhe formë veprimet korruptive, si dhe për të ndërmarrë çdo masë ligjore dhe administrative për të forcuar luftën ndaj korrupsionit, ka propozuar projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.  Ky propozim, mendojmë se është i përshtatshëm dhe do të ndikojë në rritjen e efikasitetit në hetimit dhe gjykimit e këtyre veprave penale. Jemi të mendimit se përfshirja e gjykimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin nën kompetencën lëndore të Gjykatës për Krime të Rënda dhe për rrjedhojë edhe nën kompetencën lëndore të prokurorisë për krime të renda hetimi i çështjeve për korrupsion,  është një arsye që favorizon eficencën në hetimin dhe gjykimin më profesional (përdorimi i metodave speciale të hetimit) dhe të shpejtë, të veprave penale në fushën e korrupsionit.

Gjykata dhe Prokuroria për Krime të Rënda ka në përbërje të saj një trupë gjyqtarësh (16 gjyqtarë) dhe prokurorësh (16 prokurorë) profesionistë, të cilët kanë përballuar deri tani hetimin dhe gjykimin e veprave penale më të rënda të parashikuara nga Kodi i Penal. Kanë përballuar një volum pune të tillë që përgjithësisht ka ardhur duke u ulur. Jemi të mendimit se ky volum pune i Gjykatës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda nga njëra anë dhe numri i procedimeve penale të regjistruara në vitin 2012 për veprat penale të korrupsionit (cituara më lart) nuk do të ndikojë në cilësinë e punës së këtyre organeve ligjzbatuese duke shtuar në kompetencën e tyre edhe veprat penale të korrupsionit.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës, prokuroria e më e madhe në vend, me një trupë prej 64 prokurorësh përballon një volum pune prej rreth 10059 kallëzime penale gjatë vitit 2012, që do të thotë mbi 200 çështje në vit për një prokuror si ngarkesë pune duke përfshirë edhe veprat penale të korrupsionit. Aktualisht, veprat penale të korrupsionit trajtohen nga prokuroritë e rretheve gjyqësore.  Në shtatë prokurori të rretheve gjyqësore janë ngritur Task- Force për hetimin edhe të veprave penale të korrupsionit, por që nuk kanë rezultuar eficente në punën e tyre. Kalimi i kompetencës për gjykimin e veprave të mësipërme penale Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk cenon funksionimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore për ndjekjen penale të rasteve të krimit ekonomik dhe korrupsionit, të cilat janë krijuar me Memorandumin e Bashkëpunimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Financave, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, datë 22 Maj 2007 dhe 6 Maj 2009. Aktualisht, Njësitë e Përbashkëta Hetimore kanë në kompetencë për të hetuar për  rreth 48 vepra penale. Kjo nënkupton se Njësitë e Përbashkëta Hetimore do të vijojnë punën për  ndjekjen penale për të gjitha veprat e tjera penale të parashikuara nga pika 28 e Memorandumit të Bashkëpunimit, me përjashtim të veprave penale në fushën e korrupsionit, të cilat do të hetohen nga prokurorë të specializuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Pritshmëritë e këtij ndryshimi ligjor janë:

–      kjo do ta bënte më të frytshme luftën kundër korrupsionit. Sot vihet re nga të dhënat statistikore se ka një hendek të madh ndërmjet hetimit dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit (ka ardhur në ulje) dhe perceptimit të korrupsionit nga ana e publikut (ka ardhur në rritje). Kjo tregon se kuadri ligjor aktual është jo efiçent në luftën kundër korrupsionit dhe kjo nismë është një tregues i mirëfilltë jo vetëm i vullnetit për të luftuar këtë fenomen, por edhe rritjen e efiçencës së luftës kundër tij. Ndërhyrja, synon ta konsiderojë korrupsionin, ndër krimet e rënda në vendin tonë dhe që duhet të gjykohet dhe të hetohet nga një gjykatë dhe prokurori e specializuar;

–      korrupsioni si vepër penale është i lidhur ngushtësisht me veprat penale të tjera të rënda të tilla si: veprat penale në fushën e pastrimit të parave, krimin e organizuar, si dhe trafikimin e shfrytëzimin e prostitucionit që janë tashmë kompete3ncë lëndore e gjykatës për krime të rënda;  ky ndryshim ligjor do të kërkonte dhe do të sillte trajnimin e vazhdueshëm të personave e për apo të organeve që merren me luftën ndaj korrupsionit, kërkesë kjo e Këshillit të Evropës.

 Krijimi I Byrosë  Federale …

 Rrethi i personave që do të përfshihen nga hetimi dhe gjykimi sipas ndryshimeve ligjore të propozuara, do të jenë të gjithë zyrtarët e administratës shtetërore me përjashtim të Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave, deputetëve, Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky rreth personash do të jenë kompetencë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kalimi i kompetencës për gjykimin e veprave të mësipërme penale Gjykatës së krimeve të rënda nuk cenon funksionimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore për ndjekjen penale të rasteve të krimit ekonomik dhe korrupsionit, të cilat janë krijuar me Memorandumin e Bashkëpunimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Financave, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, datë 22 Maj 2007 dhe 6 Maj 2009. Aktualisht, Njësitë e Përbashkëta Hetimore kanë në kompetencë për të hetuar për  rreth 48 vepra penale. Kjo nënkupton se, Njësitë e Përbashkëta Hetimore do të vijojnë punën për  ndjekjen penale për të gjitha veprat e tjera penale të parashikuara nga pika 28 e Memorandumit të Bashkëpunimit, me përjashtim të veprave penale në fushën e korrupsionit (rreth 10 vepra penale nga 48 të tilla që ka aktualisht në kompetencë), të cilat do të hetohen nga prokurorë të specializuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Theksojmë se me ligjin nr. 144/2013 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është bërë një parashikim në nenin 7 të tij duke shtuar nenin 52/a nen i cili rregullon ndërmjet të tjerave edhe se “…personi, që ka premtuar ose ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, sipas neneve 164/a, 244, 244/a, 245, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c dhe 328 të këtij Kodi mund të përfitojë përjashtim nga vuajtja e dënimit ose ulje të tij, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmesë në procedimin penal të këtyre veprave. Në dhënien e vendimit, gjykata mban parasysh edhe kohën kur është bërë kallëzimi, ardhjen ose jo të pasojave të veprës”. Jemi të mendimit se, përpos këtyre ndryshimeve, qëllimi I këtyre dispozitave do të ishte më I plotë dhe më garantues nëse do të shoqërohen edhe me propozimet që sjellim në Kodin e Procedurës Penale

  Sekuestrimi i pasurisë dhe autorizimi për personat me imunitet

 Ky ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, shoqërohet edhe më ndryshimin e ligjit nr. 10192/2009, ku në nenin 3 të tij, parashikohen veprat penale që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit, do të shtohen edhe veprat penale në fushën e korrupsionit, duke mundësuar parandalimin e veprimeve korruptive, nëpërmjet sekuestrimit/konfiskimit të pasurive të pajustifikuara. Nisma për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale konsiston edhe në harmonizimin e legjislacionit procedural në përputhje me ndryshimet kushtetuese të miratuar me ligjin nr. 88/2012, datë 18.09.2012 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. Nën këtë qëllim, ky projektligj synon të ndryshojë dy nene të Kodit të Procedurës Penale, konkretisht nenin 288 dhe nenin 289 të këtij Kodi.  Ndryshimi i parë ka të bëjë me nenin 288, i cili riformulohet në tre paragrafë.  Në paragrafin e parë, përcaktohen në mënyrë shteruese subjektet për ndjekje penale të të cilëve duhet të kërkohet autorizim në organet përkatëse.  Kështu, për deputetin, gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin e Gjykatës së Lartë apo gjyqtarin, parashikohet detyrimi për prokurorin që organit përkatës t`u drejtojë kërkesën për autorizim, në mënyrë që të vijojë me arrestimin, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të ushtrojë kontrollin e personit, ose banesës së tij. I rëndësishëm është parashikimi i bërë në paragrafin e dytë të nenit 288 të riformuluar. Kjo dispozitë parashikon në mënyrë të detajuar, kushtet që duhet të përmbushen në mënyrë që prokurori të bëjë kërkesën për autorizim. Në këtë mënyrë, ky parashikim shërben si një garanci më shumë për subjektet që gëzojnë imunitet, në mënyrë që ndaj tyre mos ndërmerren veprime abuzive të pabazuara.  Sa më sipër, duhet që dyshimi që ekziston të jetë i arsyeshëm, mbështetur në prova, si dhe të plotësohen  të gjitha kushtet ligjore të parashikuara nga vetë Kodi i Procedurës Penale për heqjen e lirisë, në secilën prej formave. Këto kushte duhet të ekzistojnë edhe nëse ndaj subjekteve të parashikuara nga pika 1, duhet të ushtrohet kontroll personal, ose kontroll i banesës.

Gjithashtu, kemi risinë e paraqitjes së relacionit së bashku me kërkesën për autorizim, si një garanci mbrojtëse ndaj subjekteve të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Në këtë relacion, prokurori duhet të argumentojë faktet dhe provat e mbështetura në ligj.

S’i shohim më sipër, në ndryshim nga formulimi i dispozitës ekzistuese, ndryshimi i nenit 288 hollësisht përcakton disa kritere dhe kushte procedurale që duhet të përmbushen, me qëllim që të respektohet ligjshmëria në çdo fazë të procesit. Duke ndryshuar nenin 288, sipas parashikimeve më sipër, është veçanërisht e nevojshme të propozohen edhe ndryshimet për nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale.  Ky nen i shtrin garancitë e paprekshmërisë personale jo vetëm tek arrestimet, ndalimet dhe masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes, por dhe në masat e tjera të hetimit siç janë identifikimi apo përgjimi i komunikimeve. Në këto kushte, propozohet që paragrafi i parë i nenit 289 të këtij Kodi të riformulohet si vijon:  “Deri në dhënien e autorizimit, për personat e parashikuar në nenin 288 nuk lejohet arrestimi ose heqja lirisë në çfarëdo lloj forme apo të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e organit përkatës të parashikuar me ligj”.

Neni 5 i ligjit është një dispozitë tranzitore e cila synon të rregullojë kalimin nga rregulli i mëparshëm në rregullin e ri procedural. Konkretisht, parashikohet se procedimet penale të filluara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji do të gjykohen nga gjykata që ka kompetencën lëndore, sipas legjislacionit në fuqi në momentin e kryerjes së veprës penale. Kjo bëhet me qëllim shmangien e ndonjë konfuzioni të mundshëm në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

  Neni 1

Në nenin 75/a shtohet paragrafi i dytë me këtë përmbajtje:

 “Gjykata e krimeve të rënda gjykon edhe krimet e parashikuara nga nenet 124/a, 164/a, 164/b, 244, 244/a, 245, 245/1, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e dhe 328 të Kodit Penal, duke përfshirë edhe rastet kur ato janë kryer nga të miturit”.