Nesër shpallet lista me 6000 fituesit

530
Sigal

Formulari A3/ Ja dokumentacioni për kandidatët që do të rezultojnë fitues në fazën e dytë

Nesër merr fund pritja e maturantëve të cilët kanë aplikuar në plotësimin e formularit A3. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, lista e fituesve shpallet nga AKP në datë 12 nëntor. Të gjithë të rinjtë që duan të nisin një shkollë të lartë kanë plotësuar formularin A3 nga datat 4-6 nëntor. Janë më shumë së 5000 kuota, të cilat kanë mbetur bosh, pas regjistrimeve në fazën e parë. E plotësuan formularin A3, maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë degë dhe mbetësit në një nga provimet e Maturës Shtetërore. Sipas udhëzimit, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të shpallë listën e fituesve më datë 12 nëntor, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, në përputhje me kuotat e rishpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. “AKP të shpallë listën e fituesve të raundit të dytë, më datën 12.11.2013, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, në përputhje me kuotat e rishpërndara nga MAS. Lista e kandidatëve fitues (raundi i dytë) publikohet në faqet elektronike zyrtare të MAS dhe AKP më datë 12.11.2013. AKP i dërgon IALP-ve, listat e kandidatëve fitues në formë shkresore, brenda datës 12.11.2013. Këto institucione, duke filluar nga kjo datë, t’i publikojnë listat në vende të dukshme në mjediset e fakulteteve përkatëse” thuhet në udhëzim. Gjithashtu po sipas usdhëzimit, sekretaria mësimore e fakultetit, ku maturanti shpallet fitues, pajis kandidatin me fletë – regjistrimi ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi i vulosur duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja mësimore e fakultetit. Një tjetër pikë e rëndësishme e udhëzimit të MAS është se “Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme”.

Box

Dokumentacioni për kandidatët fitues

Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 13.11.2013 deri 16.11.2013, nga ora 08:00, deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatët paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumentave;

b) 2 fotografi;

c) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të IALP-ve përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund.

 Ekonomiku shpall 938 fituesit e masterit

Shpallen zyrtarisht 938 fituesit e masterave profesionalë dhe shkencorë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Regjistrimi i 635 aplikantëve fitues në programet e studimit master me kohë të plotë do të zhvillohet nga data 11 nëntor, prej orës 9:00 deri në orën 15:00. Për regjistrim kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë zyrës së Taksave dhe Tarifave dhe të dorëzojë diplomën origjinale të ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave, si dhe dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Të njëjtat afate dhe procedura për regjistrim duhet të ndjekin edhe 303 fituesit e masterave profesionalë me kohë të pjesshme.