KLSH kallëzon në prokurori Ardit Çelën

407
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin e Postës Shqiptare, Ardit Çela me akuzën e keqmenaxhimit të të ardhurave dhe investimeve. Kallëzimi i është bërë pas auditimit të KLSH-së, ku janë gjetur një sërë shkeljesh të rënda që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shuma të konsiderueshme parash. Shkeljet variojnë nga anulim pa asnjë bazë ligjore i prokurimeve publike, nënshkrim kontrate para kryerjes së prokurimit, dhënie ambientesh me qira në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Ministrave, shmangie e qëllimshme e prokurimeve dhe favorizim subjektesh kontraktuese. Për të gjitha këto shkelje të gjetura nga auditimi, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës kallëzimet penale për ish-drejtorin e Përgjithshëm të “Posta Shqiptare”, Ardit Çela si dhe ish-administratorin e “Interpost”, Tiranë, shtetasi me inicialet M.Ç. me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shpërdorimit të kompetencave”.
Njoftimi i plotë i Kontrollit të Lartë të Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1053/1 prot., datë 10.11.2014, ushtroi auditim në “Posta Shqiptare” SHA, Tiranë, në përfundim të të cilit u konstatuan një sërë shkeljesh dhe mangësish për të cilat KLSH ka rekomanduar marrjen e 30 masave të ndryshme organizative; ka kërkuar shpërblimin e dëmit për 13 raste në vlerën 22,343,343 lekë, fillimin e procedurave disiplinore për 21 drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të Posta Shqiptare, i ka kërkuar APP ndëshkimin administrativ të 15 personave përgjegjës për mangësitë e evidentuara në procedurat e prokurimit, si dhe ka depozituar pranë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për ish Drejtorin e Përgjithshëm të “Posta Shqiptare” sha, z. Ardit Çela dhe ish Administratorin e “Interpost” shpk, Tiranë z. M.Ç. Më konkretisht, për periudhën e audituar 01.01.2013-30.09.2014, është evidentuar një keqmenaxhim i kësaj shoqërie publike për sa i përket; mosrealizimit të të ardhurave dhe investimeve; tejkalimit të numrit mesatar të punonjësve me 14 persona në vitin 2014; penalizimit të shoqërisë nga vendimet e gjykatave për largimet nga puna pa shkaqe të arsyeshme në shumën mbi 18.8 milion lekë si dhe mbi 290 rasteve të tjera që janë në proces gjyqësor, duke rrezikuar thellimin e shpenzimeve nga subjektivizmi i nivelit të lartë menaxhues të Posta Shqiptare SHA etj. Gjithashtu, kanë rezultuar mangësi në dokumentacionin justifikues të shpenzimeve; paraqitjes në mënyrë të deformuar në bilanc të aseteve të shoqërisë për më shumë se 53.5 milion lekë; moskryerjes së hipotekimit të pronave në 10 filiale për 86 zyra postare; mosmarrjes së masave për uljen e detyrimeve ndaj të tretëve; mos përfundimit të procedurës së inventarizimit fizik vjetor të aseteve etj. Veç këtyre, nga auditimi ka rezultuar se janë kryer shpenzime pa efektivitet për më shumë se 1.7 milion lekë; prokurime për shtypshkrime dhe kancelari mbi nevojat për më shumë se 25.5 milion lekë duke krijuar kështu mallra stok dhe me qarkullim të ngadalshëm që cënojnë rëndë disiplinën financiare dhe ecurinë e shoqërisë; nuk është monitoruar zbatimi i kontratave, duke i shkaktuar dëm shoqërisë në mbi 2.5 milion lekë; si dhe janë shkelur procedurat e prokurimit. Për sa i përket shkeljeve të trajtuara në kallëzimin penal që KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë, në të evidentohen një sërë rastesh të shkeljeve të procedurave të prokurimit apo anashkalimit të këtyre procedurave, nëpërmjet të cilave titullarët e këtyre njësive kanë shmangur konkurencën e subjekteve pjesëmarrës në tendera dhe kanë favorizuar operatorë të caktuar ekonomik, madje edhe në fazën e mëvonshme të zbatimit të kontratave nga ana e këtyre operatorëve duke i shkaktuar kështu shoqërisë një dëm ekonomik në vlerën 4,252,733 lekë.
Më konkretisht, në kallëzimet penale të depozituara për ish Drejtorin e Përgjithshëm të “Posta Shqiptare” SHA dhe për ish Administratorin e “Interpost” SHPK, evidentohen këto shkelje:
•Anulimi i qëllimshëm dhe pa asnjë shkak ligjor i procedurës së prokurimit “Sisteme alarmi, vëzhgimi dhe shërbimi i mirëmbajtjes së sistemeve të alarmit e të vëzhgimit, marrjes në rrugë valore të sinjaleve të alarmit, verifikimit në grup të gatshme ne te gjitha filialet dhe degët postës shqiptare dhe shërbimi me GPS/GPRS për automjetet e saja”.
Siç rezultoi nga auditimi (nga krahasimi i tre procedurave të zhvillimit të tenderit), në tenderin e fundit është rritur artificialisht fondi limit në vlerën 3,990,699 lekë (ose 13.7 %) pa u shtuar asnjë lloj shërbimi shtesë, madje duke zvogëluar me 4 copë numrin e mëparshëm të automjeteve për monitorimin dhe mirëmbajtjen me GPS.
Kjo rritje e paargumentuar e fondit limit pa u shtuar kërkesat për shërbim dhe objektet që do t’ju shërbehet në shumën 3,990,699 lekë përbën dëm ekonomik dhe ngarkon me përgjegjësi titullarin e autoritetit kontraktor A.Ç, i cili e ka anuluar tenderin pikërisht me pretendimin e shtimit të numrit objekteve dhe nevojës për rritje të fondit limit. Në fakt sipas dokumenteve të tenderit ka ndodhur e kundërta; është rritur fondi limit në një kohë që është ulur numrin e objekteve.
Anulimi i procedurave të mëparshme të prokurimit dhe shtimi i paargumentuar i fondit limit, kanë sjellë si pasojë faktin që operatori ekonomik i shpallur fitues në këtë procedurë prokurimi ka paraqitur një ofertë më të lartë në vlerën 3,610,000 lekë për të njëjtat shërbime por për sasi më të pakta objektesh se oferta e mëparshme e këtij operatori në procedurat e tenderit të parë në vlerën 27,921,600 lekë.
•Dhënien me qira të ambienteve për një afat dy vjecar, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKM nr. 529, datë 08.06.2011, duke mos përfshirë në kontratat e lidhura shpenzimet për energji elektrike dhe ujë.
•Nënshkrimin e një kontrate për shërbimin e diagnostikimit të situatës menaxhuese në vlerën 478,800 lekë, para kryerjes se procedurës së prokurimit, fakt ky që vërteton kryerjen e procedurave fiktive të prokurimit dhe paracaktimin e operatorit ekonomik fitues nga ana e titullarit të autoritetit kontraktor. Për më tepër nga auditimi rezultoi që nuk ka asnjë dokumentacion që vërteton shërbimin e kryer nga kontraktori.
•Kryerjen e pesë procedurave të prokurimit “blerje me vlera të vogla”, me vlerë gjithsej 1,956,720 lekë për të njëjtin shërbim të programuar, duke copëzuar fondet dhe shmangur procedurat e prokurimit me tenderim, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar.
•Favorizimin e subjekteve kontraktuese, pasi gjatë zbatimit të kontratës “Blerje pajisje rrjeti për shpërndarjen e internetit”, ka shmangur penalizmin e kontraktorit në vlerën prej më shumë se 9.4 milionë lekë. 
Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimet penale nr. 1053/25, datë 6.5.2015 dhe 1053/26, datë 6.5.2015 për ish Drejtorin e Përgjithshëm të “Posta Shqiptare” sha A.Ç si dhe ish Administratorin e “Interpost” shpk, Tiranë, M.Ç. me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shpërdorimit të kompetencave” parashikuar nga nenet 248 dhe 164 të Kodit Penal.
Sigal