Fatos Çoçoli/ Shërbestari nga Vlora

544
Më 23 maj, në qytetin e Prishtinës u përurua shtatorja e burrit më të madh të Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalit. Vepra ishte nismë e një patrioti të patjetërsueshëm të trojeve vlonjate, që frymëzoi me ide dhe dha edhe ndihmë bujare financiare për realizimin e shtatores. Delegacioni i intelektualëve vlonjatë që në nëntor të vitit të kaluar takoi Kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe i dha jetë projektit madhështoir të sjelljes së shtatores në zemër të kryeqendrës kosovare, udhëhiqej dhe motivohej prej tij. Ky njeri është modest dhe nuk del asnjëherë në skenë. Nuk thotë: “Këtë e bëra unë!”. Po pse është i tillë? Sepse është shërbestar. Sepse kjo kategori njerëzish, krejtësisht të veçantë, të përkushtuar pas një ideali, të përkufizuar me këtë term kaq të bukur nga mendimtari i madh i kombit tonë, Sami Frashëri, është një racë e papërsëritshme. Dhe sa më shumë shërbestarë të ketë një komb, aq më shumë ai zhvillohet. Por kush është shërbestari nga Vlora që solli Ismail Qemalin për të qëndruar përjetë në zemër të Prishtinës. Në vitin 2005 ai ishte Ministër i Kulturës. Të gjithë artistët dhe krijuesit i dinë nismat e tij në dobi të kulturës dhe artit shqiptar. Sa ka bërë ai në dy vjet të qëndrimit të tij si ministër, nuk kanë bërë tre-katër ministra po të kulturës, të marrë së bashku. 
Për këtë flasin aktivitetet që ka mbështetur dhe fondet dhe promovimet që shteti ka bërë në kohë të tij si ministër. Krahas kontributit në publicistikën ekonomike, ai ka qenë profesor i përkushtuar i ekonomisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Për kater vite(2005-2009), si deputet në Kuvendin e Shqipërisë ka qenë mbrojtës i interesave të ekonomisë sonë në Parlament. Është promotorri i Ligjit të parë integral për Turizmin, ligj i përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit dhe organizatën hollandeze të zhvillimit SNV. Bashkëpunim që e ideoi pikërisht sherbestari nga Vlora. Po ky personalitet ka dhënë kontributin e tij dhe për Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, apo për Ligjin për Dëmshpërblimin e Ish të Përndjekurve Politikë, nëpërmjet diskutimeve pa anësi dhe materialeve të përgatitur shumë seriozisht në Kuvend. Autor i librave hulumtues “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009” dhe “Brenda dhe jashtë… Parlamentit”, ai ka thelluar udhëtimin dhe kontributin e tij në botën financiare nëpërmjet përkthimit “Leksione në Financë”, të përshtatur sipas tekstit të nobelistëve të njohur të ekonomisë, Zvi Bodie dhe Robert C. Merton, si dhe botimit “Paraja dhe Banka”. Ish ministër dhe deputet i Vlorës, është i njohur nga të gjithë për nervin polemizues për t′i shkuar së vërtetës deri në fund. Por vepra më e gjerë në dimensione dhe në kontribut për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë së vendit është kontributi i deritanishëm(dhjetor 2011 e deri më sot) si drejtues i një institucioni jetik për mbrojtjen e parasë publike, Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky shërbestar arriti me punë të palodhur e të përditshme, me kurajo, mprehtësi e përkushtim absolut, që ta shndërronte këtë strukturë nga një çerdhe gjobvënësish, në një trupë audituesish me personalitet dhe të ardhme, të orientuar dhe mbështetur tërësisht nga standardet ndërkombëtare të fushës. Puna e tij vetëmohuese mbi tre vjet e gjysëm rroku përkrahjen dhe vlerësimin e personaliteteve të Drejtorisë së Buxhetit të Komisionit Evropian, të Programit të OSBE-së dhe BE-së SIGMA, të delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. 
Transformimet dhe reformat e thella të ndërmarra nga ai në këto tre vjet e gjysëm u cilësuan dhe vlerësuan nga Progres Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, ndërkohë që komunikimi me qytetarët dhe përgjigjja skrupoloze e çdo letre dhe shqetësimi të ardhur prej tyre, ka rritur figurën e institucionit në popull dhe besimin se “KLSH sot të zgjidh hall”. Kuptohet, ku kompetencat i ka ky institucion, por ky shërbestar me nismën e vet ndërhyn dhe pranë institucioneve të tjera, gjithnjë brënda ligjit dhe me dashamirësi, për të ndihmuar qytetarin në nevojë. Kemi kaq pak shërbestarë mes nesh, në këtë Shqipërinë tonë! Akoma dhe më pak shërbestarë të së mirës publike. Ia vlen t’i njohim dhe t’i vlerësojmë ata. Shërbestari nga Vlora që solli Ismail Qemalin në Prishtinë quhet Bujar Leskaj.
Sigal