KLGJ e qokave, transferon gjyqtaren Marcela Shehu në shkelje të ligjit

190

Për të shmangur konfliktin e interesit, ligji u ndalon anëtarëve të KLGJ-së të promovohen apo transferohen deri tre vjet pas mbarimit të mandatit. Por ky detyrim u anashkalua për anëtaren e KLGJ-së, Marçela Shehu, përmes interpretimeve të diskutueshme ligjore

Sigal

 

Ka një arsye madhore që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mungesë të theksuar transparence në vendimmarrjet e tij për karrierën e gjyqtarëve. Argumenti zyrtar është se “kështu e parashikon ligji”. Por, nën justifikimin e “kuadrit ligjor”, KLGJ fsheh edhe vendime tërësisht në konflikt interesi dhe në kundërshtim me dispozitat e ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” raporton boldnews. Në 31 janar 2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi Vendimin nr. 59, “Për transferimin e gjyqtares (…) në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë në një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale”.

Në foto: Vendimi i KLGJ-së për transferimin e gjyqtares Marcela Shehu

Vendimi nuk përmend emrin e gjyqtares, por “Boldnews.al” mëson se bëhet fjalë për Marcela Shehu, e emëruar gjyqtare në Kurbin dhe aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

KLGJ “i lutet” gjyqtares

Në 18 janar 2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton vendimin nr.10, në bazë të të cilit fton gjyqtaren e Kurbinit, Marcela Shehu, që të zgjedh për t’u transferuar në gjykatën e Tiranës ose të Durrësit, nën argumentin e “suprimimit të vendit të punës”.

Në foto: Vendimi paraprak i KLGJ-së, ku ftohet anëtarja Marcela Shehu për të zgjedhur gjykatën ku preferon të transferohet

Në korrik të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi Hartën e Re Gjyqësore, një projekt i kundërshtuar nga grupe të ndryshme interesi. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 495, dt. 21.07.2022, parashikohet ndër të tjera se “Gjykata e Lezhës… ka kompetencë tokësore në bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Kurbin”.

Në foto: Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Hartës së Re Gjyqësore

Vendimi i qeverisë u mbështet në një relacion të hartuar nga një grup pune, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë.Në relacion parashikohet që në Gjykatën e Lezhës, e cila ka në organikë 5 gjyqtarë, do të ushtronin funksionet edhe 4 gjyqtarët që janë pjesë e Gjykatës së Kurbinit.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Lezhës do të zhvillojë funksionet me 9 gjyqtarë, një shifër që është mbi limitin prej 7 gjyqtarësh që është përcaktuar për funksionimin e një gjykate.Pra, deri këtu është mëse e qartë. Gjyqtarëve të Kurbinit nuk “u suprimohet” vendi i punës, por ata thjesht do t’i bashkohen kolegëve të tyre të Lezhës.

Në foto: Relacioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor për Hartën e Re Gjyqësore

 

Por, Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka parë ndryshe relacionin e hartuar prej vetë tij, kur bëhej fjalë për një anëtare të trupës, Marcela Shehu. Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë vlerësuar se koleges së tyre, Shehu, i është suprimuar vendi i punës në Kurbin dhe kanë vendosur ta transferojnë në Tiranë. Kjo është një “bingo” për gjyqtaren Marcela Shehu, megjithëse situata duket tërësisht në shkelje ligjore.

Shkeljet ligjore

 

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë disa privilegje si “qeveri e gjyqësorit”, por kanë edhe disa kufizime, me qëllim që të mos përdorin pozicionin për të siguruar përfitime personale. Në nenin 4, pika 4 e ligjit nr.115/26 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet se: “Anëtari gjyqtar, në përfundim të mandatit, kthehet në vendin e mëparshëm të punësAnëtari gjyqtar i Këshillit nuk mund të transferohet, të ngrihet në detyrë ose të delegohet gjatë 3 viteve pas përfundimit të mandatit”.Marcela Shehu është zgjedhur anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve në Dhjetor 2018, për një mandate 5-vjeçar, i cili përfundon në fund të vitit 2023.Në momentin e zgjedhjes si anëtare e KLGJ-së, zonja Shehu ushtronte funksionet në Gjykatën e Kurbinit. Referuar përcaktimit ligjor të mësipërm, gjyqtarja Marcela Shehu, në momentin e përfundimit të mandatit si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duhet; a) të kthehet në vendin e mëparshëm të punës; b) nuk mund të transferohet jo vetëm kur është anëtare e KLGJ-së, por edhe tre vjet pas largimit nga ky funksion;

Në foto: Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” ka parashikuar kufizimet për anëtarët e KLGJ

Për më tepër, pozicioni i saj i punës nuk është “suprimuar”, pasi ajo dhe kolegët e saj në Gjykatën e Kurbinit do të vijojnë ushtrimin e funksioneve të tyre në Gjykatën e Lezhës.Në të gjithë këtë histori që krijon dyshime për shkelje ligjore dhe konflikt interesi brenda radhëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dallohet edhe një lloj nxitimi për të sistemuar sa më shpejt zonjën Shehu në gjykatën e shkallës së parë më të preferuar në Shqipëri, atë të Tiranës.

Procesi i Vetingut ka shkaktuar boshllëqe të shumta në sistemin gjyqësor shqiptar.Gjykata e Tiranës thuajse është përgjysmuar nga shkarkime apo dorëheqjet dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor është i detyruar të ndërhyjë me urgjencë për të rritur numrin e gjyqtarëve, me qëllim përballimin e fluksit të madh të dosjeve.Procesi i transferimeve të gjyqtarëve të ndryshëm në Gjykatën e Tiranës ka nisur prej disa muajsh dhe pritet që rekrutimi të përfundojë diku nga mesi i vitit 2023.Por, ky afat nuk është aspak i volitshëm për Marcela Shehun.Pasi ajo të përfundonte mandatin në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në Dhjetor 2023, si edhe pasi të kalonin tr evite të tjera para se asaj t’i lindte e drejta ligjore për transferim, vakancat në Gjykatën e Tiranës do të ishin plotësuar dhe nuk do të kishte më hapësirë për të.Vetëm në këtë mënyrë mund të lexohet nxitimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor që të bëjë sa të mundet, edhe në kundërshtim me parashikimet ligjore, për të sistemuar të ardhmen e koleges së tyre në Gjykatën e Tiranës.