Thoma Goga: Ditëlindje të markës “RILINDJE”

178

“Patronaz(h)istët” janë vetë shteti që e “zë lepurin me qerre”

Me një fjalë, kjo “rilindje” 4 javë të puthë, 4 vjet ta futë…,

Sigal


Fejton nga: Thoma Goga

U bë kohë pa u pjekur me mikun tim Selim. U bëra merak. I rashë telefonit dhe më doli një çupë. Më tha se abonenti është i padisiplinuar. Kafsho gjuhën moj karavidhe, bërtita unë. Selimi është model i disiplinës. Edhe kur kalon në pedonale, e bën rrugën me zig zage, sepse “respekton” të dhjerat e qenëve…Nejse. Isha kredhur në këto mendime, kur u shfaq para lokalit tonë Selimi.

Këtë herë nuk mbante në dorë gazetë si ngaherë, po kishte një tufë me lule. Fytyra i shkëlqente më shumë se lulet.

– Po hë more Selim, se më bëre merak,- thashë unë.

– Vetëm sot mos më shaj, se kam urim. Tani rrugës mora vesh se sot paskam ditelindjen. E kisha harruar fare, qafsha veten.

– Po si ndodhi?

– Sa dola nga shtëpia, më prenë rrugën nja tri çupërlina. Njëra ishte e bukur shumë, se kishte një gozhdë të ngulur në hundë.

– Jemi aktiviste të bashkisë,- më thanë – Ju keni ditëlindjen. Ta gëzoni! Pastaj më dhanë këtë buqetë dhe ikën qetë – qetë.

– Ore Çome, nga ta kenë marrë vesh, se unë e kisha harruar për vete?! Edhe plaka ime nuk e di ditëlindjen time.

– I “ushqen fejzbuku”, – ja futa kot unë, se Selimi nuk e “nget” fare atë të shkretë internet.

– Ça llafos ti?! Atij Fejziut nuk i del buka për vete, se ka një tufë për të ushqyer. Qesha pak me shakanë time dhe me naivitetin e mikut tim Selim.

– Shteti të gjen, o Selim. Ka një ushtri të tërë me “patronaz(h)istë”. E ke dëgjuar që shteti e “zë lepurin me qerre”?

– Më kanë bërë një nder, o Çome, që nuk di si t’ua shpërblejë, qafsha veten.

– Ja, shpërbleja me një votë.

– Pse për këtë ta kenë bërë, thua? Po unë jam opozitar, o Çome?

– Ky pushtet juve u ka qejf. U merr me të mirë që të gënjeheni për një copë votë. Ushtarët e vetë i ka në rresht…Po ti, nuk e pyete një herë veten, – vazhdova unë.- Pse “plasin” tani këto ditëlindje? Pse nuk ta “festuan” edhe vjet, parvjet…? Sa qytetarë e kanë ditëlindjen nesër, pasnesër? Pse i “zgjedhin” ditëlindjet sipas oreksit? Më jep dot xhevap?

– Me një fjalë, kjo “Rilindje” 4 javë të puthë, 4 vjet ta futë…, – shfreu Selimi. Siç duket e kuptoi “lojën” dhe po shikonte tufën me lule.

– Ato lule t’i gëzosh, – thashë unë. – Po ç’e do; nuk i hanë as gomerët, se janë kauçuk…

– Po ti ‘re Çome’, kur e ke ditëlindjen?- pyeti miku im.

– Unë nuk kam “ditë-lindje”, se nëna më ka thënë që kam lindur natën…Ne të “natës” e kemi emrin prapa “listrës”. Vetëm ato lule mos i fut në shtëpi.

– Pse?- pyeti seriozisht miku im Selim.

– Se i kanë shkulur te varrezat e reja. Pastaj i paketojnë bukur. Ky pushtet “kujdeset” shumë për ju opozitarët, o Seliiimmm…

– Ça llafos ti?! Ama, këto janë ditëlindjet e “rilindjes”,- ngriti zërin Selimi dhe i vërviti lulet në një kosh prehrash pranë lokalit. Pastaj porositi raki, se urimi për ditëlindjen nuk ngjit ashtu “në

të thatë”.

– Ja gëzuar, miku im Selim! – bëra dollibashin.- Mos ki merak, se kështu bashkë do ta festojmë dhe ditëlindjen time. Le të jetë natë…

SAMARXHIU DHE GOMERËT…

Ka ndodhur në stanin e madh të pyllit. Aty dhe gënjeshtra më e vogël merr formën e legjendës. Një ditë u hap fjala se kishte vdekur samarxhiu. U mblodhën gomarët dhe bënë festë. Deri në të gdhirë, me të ngënë e me të pirë. Nuk do kishin më mbi kurriz samarin, që ua shtonte barrën më shumë. Aq u gëzuan, sa nuk ka të rrëfyer. Por festa nuk zgjati shumë. Paria e madhe e pyllit kishte gjetur një samarxhi të ri. Ishte i thekur për poshtërsi, jo si zanatçi. Samarët i bënte të rëndë, me dru e hekur. Më keq akoma kur nuk u shtronte as kashtë. U bënë gomarët vrerë. Kurrizi iu bë plagë, kockat u çanin natë për natë. U mblodhën një ditë te burimi. Vendosën të ankohen, se në fund të fundit, gomarët e dinë ku i vret samari. Ta hiqnin këtë samarxhi, katil e pa shpirt. Brodhën tek paria e pyllit derë më derë. Puna vajti te Mbreti Luan. Në fillim bëri ca pordhë, siç e kanë këta të mëdhenjtë, po në fund i priti. I dëgjoi dhe i gostiti me nga një trastë tërshërë. U premtoi se do ta ndërronte samarxhiun. Dhe gomarët e falenderuan madhërinë Luan.

Të nesërmen ndodhi kryeçudia e çudirave. E dhanë të gjitha televizionet e pyllit. Samarxhiun jo vetëm që nuk e ndërruan, por e nderuan. Katilin samarxhi e dekoruan “për merita të shqyera në kurriz të gomarëve”…

Si ka ndyshuar koha! Punën e bën gomar mavrija, dekoratat samarxhija. Mbase nga pylli ka ardhur te njerëzit edhe ky lloj mut mutacion “virusi”…Eh, si qenka kjo dynja!