Inspektori i Lartë i Drejtësisë thirrje gjyqtarëve: Zbardhni vendimet brenda afatit ose do nisë hetimi disiplinor

19
Sigal

Në raportimin e kreut të ILD-së, Artur Metani tha se gjatë vitit 2023 institucioni që ai drejton ka trajtuar rreth 6500 ankesa, janë trajtuar edhe për organet e posaçme të drejtësisë, si SPAK, GJKKO dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate

“Unë nuk jam SPAK-u dhe nuk do bëhem asnjëherë SPAK-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo është themelore sa i përket institucionit të kontrollit të jashtëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë”

Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ngriti shqetësimet e moszbardhjes së vendimeve brenda afatit. Metani u përqëndruar kryesisht tek Gjykata e Tiranës dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ku edhe kanë qenë ankesat më të shumta për vonesë të zbardhjes së vendimeve. Ai tha se mirëkupton ngarkesat që kanë gjyqtaret, por theksoi se është e patolerueshme neglizhenca, duke i bërë thirrje që ti zbatojnë afatet, ose do të nisë hetimi disiplinor. “Inspektimi tekmatik ishte një fotografim i momentit, pra fotografim i një 6 mujori nga korrik 2022 deri në dhjetor 2022 për të parë se çfarë po ndodh në Gjykatën e Tiranës dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së parë me zbardhjen e vendimeve. Sepse  ankesat ishin për zbardhje me vonesë të vendimeve. Ajo që pamë ishte që shumë gjyqtare dhe shumë çështje, rreth një mijë ishin vendime të zbardhura jashtë afatit 20 ditor. Ky afat fillonte nga 21 ditë, deri tek 1 vit. Çështja ishte ku do fillojë verifikimi dhe hetimi disiplinor për gjyqtarët që kishin kaluar afatin 20 ditor apo duhet bëhet një analizë për ngarkesën e madhe, vakancat etj. Afati 20 ditor  për zbardhjen e vendimit është shumë i rëndësishëm, por kjo nuk është shkak i drejtpërdrejtë që të fillojë një hetim disiplinor ndaj një magjistrati. Nëse ka raste neglizhence është tjetër gjë. Por ka të bëjë me kushte që nuk ka të bëjë me kushtet e magjistratit, prandaj bëmë analizë. Nga ajo që pamë ishte se 90% e vendimeve ishin zbardhur brenda 120 ditëshit. Ne thamë për këtë periudhë vetëm për gjykatën e Tiranës nëse do nisë hetimi disiplinor do justifikohet nisja e hetimit vetëm me kalimin e afatit 120 ditor. Është e rëndësishëm që gjyqtarët të marrin mesazhin. Zbardhja e vendimeve është e rëndësishme, e mirëkuptoj ngarkesën që ata kanë, i mirëkuptoj mungesat që kanë, e kuptoj mbingarkesë që kanë edhe për shkak të tipologjisë së çështjes, por nuk tolerohet mungesa e operativitetit, nuk tolerohet neglizhenca. Pra nuk mund të ketë raste që mos preket një vit nga gjyqtari. Me kalimin e afatit, 120 ditore ka filluar hetimi disiplinor për 4 gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës për këtë shkak. Një kontroll tjetër mund të sjellë një situatë tjetër. Në një gjykatë tjetër kya fat nuk është i njëjtë sepse varet nga ngarkesa që ka cdo gjykatë”, tha Metani. Edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga krijimi, ILD akoma nuk është kompletuar, interesi për inspektorë është i ulët. ‘Nga 20 që duhet të ketë trupa e inspektorëve në ILD, janë 10 në detyrë, 4 magjistratë prokurorë dhe 6 janë jo magjistratë. Thirrjet janë bërë herëpashershme. 8 thirrje deri tani, asnjë interes për t’u bërë pjesë e trupës së inspektorëve të ILD.’- tha Metani. Një tjetër problematikë që u ngrit nga ligjvënësit ishte edhe dhënia e një numri të lartë të vendimeve nga gjykatat në dhomë këshillimi, të cilat bëhen pa praninë e palëve dhe kjo duhet parë dhe verifikuar sipas tyre nga ILD.

Pikat kryesore të raportimit të kreut të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani në Komisioni e Ligjeve

2023-shi ka qenë intensiv për zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sa i takon funksionit kryesor, trajtimit të ankesave ndaj magjistratëve dhe inspektimeve tematike, e paralelisht, finalizimit të stokut të ankesave e praktikave të mbartura nga institucione të mëparshme të procedimit disiplinor. Trajtimi i ankesave të trashëguara, ka qenë një proces që e ka tejkaluar ngarkesën normale të punës për burimet njerëzore në dispozicion të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një sfidë që e kemi kapërcyer me rezultate të dukshme, duke u bazuar në masat rregullatore, administrative dhe strukturore të ndërmarra. Evadimi i stokut të ankesave përmbushi synimin tonë të përsëritur publikisht, se asgjë nuk harrohet dhe se shmangia e kulturës së pandëshkueshmërisë është një sinjal i qartë për të rritur besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Rekomadimi 1

Përmbyllja brenda vitit 2023 të trajtimit të ankesave të dorëzuara nga organet kompetente gjatë periudhës kalimtare”.

REKOMANDIMI 2

Fillimin sa më shpejt të vlerësimit etiko-profesional të inspektorëve në funksion të kryerjes së kontrollit të brendshëm periodik. Në funksion të këtij rekomandimi i cili kërkonte fillimin e procesit, procesi edhe pa rekomandimin e Kuvendit do të kish filluar gjithsesi. Kujtojmë që për tu ngritur Komisioni i Emërimit dhe Vlerësimit sipas nenit 212 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar anëtarët e këtij Komisioni duheshin të ishin vlerësuar “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit etiko-profesionale. Referuar këtij përcaktimi ligjor asnjë nga inspektorët nuk përmbushte minimalisht një vlerësim përpara vitit 2023 dhe për këtë shkak procesi i vlerësimit etiko-profesional nuk niste dot para vitit 2023. Gjithashtu sqaroj se pas NISJES procesi është gjithmonë në vazhdimësi. Në raportin Vjetor të ILD të vitit 2022, ishte e parashikuar në objektiva të Zyrës për vitin 2023 NISJA E PROCESIT.

REKOMANDIMI 3

Vijimin me ritme të shpejta të zhvillimit të sistemit të teknologjisë së informacionit dhe strategjisë së manaxhimit të rasteve në përmbushje të detyrimeve ligjore.

REKOMANDIMI 4

Vijimin dhe përfundimin e procedurave të rekrutimit të inspektorëve, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

REKOMANDIMI 5

Forcimin e mekanizmave institucionale për verifikimin e pasurisë dhe integritetit të subjekteve të procedimit disiplinor.

REKOMANDIMI 6

Rritjen e kapaciteteve të inspektorëve nëpërmjet implementimit të eksperiencave dhe përvojave më të mira të insititucioneve të huaja me të njëjtën fushë  veprimi, me fokus përmirësimin e procesit të punës në trajtimin e ankesave, proceseve hetimore etj. Plani vjetor i inspektimeve do të realizohet duke marrë në konsideratë problematikat e evidentuara nga shqyrtimi i ankesave, vlerësimin e pretendimeve më të shpeshta për shkelje të ndryshme nga ana e magjistratëve, administratës së gjykatave apo prokurorive, propozimeve të ardhura nga institucionet si dhe në mbështetje të dispozitave të zbatueshme për inspektimet.  Plani vjetor i inspektimeve do të caktohet në janar të vitit 2024.  Plani miratohet pasi i është nënshtruar diskutimeve të Mbledhjes së Përgjithshme të inspektorëve dhe pas vlerësimit objektiv dhe real të mundësive dhe kapaciteteve njerëzore e financiare që disponon ILD.

“Nuk kam asnjë ndjesi intimidimi nga politika, sepse roli i politikës është që të sjellin shqetësimet e qytetarëve për reformat që kam marrë vet dhe për këtë arsye i kam kërkuar Komisionit të Ligjeve, që marrëdhënia jonë duhet të jetë me permanente, jo të vij 1 herë në vit këtu”

Arritjet e ILD për vitin 2023

Prioritetet e vendosura për vitin 2023 dhe orientimi i  punës, në drejtim të përfundimit të shqyrtimit të ankesave të backlog dhe rritjes së efiçencës në drejtim të sigurimit të standardeve për të rritur përgjegjshmërinë e magjistratëve dhe cilësinë e vendimmarrjes së tyre, kanë shënuar këto arritje. Procesi i shqyrtimit të ankesave të trashëguara, ka qenë një proces që ka tejkaluar ngarkesën normale të punës, por në sajë të masave rregullatore, administrative dhe strukturore të ndërmarra, rezultatet janë të dukshme dhe të matshme. Pas 4 vitesh të funksionimit të ILD-së, përmes mekanizmave të inspektimeve tematike dhe shqyrtimit të ankesave të qytetarëve, mund të themi me bindje se sistemi i kontrollit të punës së magjistratëve, po funksionon. Së pari nëpërmjet përcaktimit të standardeve të një sistemi funksional llogaridhënës, i cili garanton balancën e drejtë ndërmjet parimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve nga njëra anë dhe ngritjes së një sistemi drejtësie të përgjegjshëm, funksional dhe me integritet nga ana tjetër dhe së dyti duke qenë kontribues me mendime, sugjerime, rekomandime nëpërmjet inspektimeve tematike, për rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë.

“Mirëkuptoj ngarkesat që kanë gjyqtarët, por theksoj se është e patolerueshme neglizhenca, duke u bërë thirrje që ti zbatojnë afatet, ose do të nisë hetimi disiplinor”

Prioritetet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë

  1. Konsolidimi i veprimtarisë në mënyrë të pavarur, eficente dhe profesionale, përmes adresimit të masave për plotësimin e vendeve vakante, paraqitjes së kërkesave buxhetore, krijimit të kushteve të punës dhe matjes së performancës së njësive dhe vlerësimit të inspektorëve.
  2. Fuqizimi i veprimtarisë për matjen e performancës së subjekteve të hetimit disiplinor mbi cilësinë dhe efikasitetin e dhënies së drejtësisë, përmes krijimit të një sistemi të plotë dhe afatgjatë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë, duke shqyrtuar objektivisht ankesat dhe kryerjen e inspektimeve tematike.
  3. Forcimi i kapaciteteve profesionale për verifikimin e pasurisë dhe integritetit të magjistratëve, subjekte të procedimit disiplinor.
  4. Ngritja e një sistemi efektiv të teknologjisë së informacionit për menaxhimin elektronik të çështjeve.
  5. Rritja e transparencës dhe aksesit të publikut në veprimtarinë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke publikuar raporte dhe informacion të përditësuar.
  6. Zhvillimit të aktiviteteve me funksion ndërgjegjësues, për rolin dhe funksionet e ILD-së.
  7. Ndjekja dhe zbatimi i masave për të parandaluar cenimin e integritetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Komunikimi shkon edhe përtej, përmes një tradite që kemi ngritur prej dy vitesh në funksion të edukimit ligjor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2023 komunikimet me studentë, shoqërinë civile dhe nxënës të shkollave, aty ku jetojnë, pra jo vetëm në Tiranë. Në ILD e kemi të qartë këtë. Dua të nënvizoj se 4 vitesh funksionim të ILD-së, përmes mekanizmave të inspektimeve tematike dhe shqyrtimit të ankesave të qytetarëve, sistemi i kontrollit të punës së magjistratëve po funksionon, së pari duke përcaktuar standarde të një sistemi funksional llogaridhënës, në përputhje me balancën, që duhet të ekzistojë edhe me parimin e ndarjes së pushteteve, duke përcaktuar standarde për një sistem drejtësie të përgjegjshëm, të paanshëm dhe me integritet, dhe së dyti duke qenë kontribuues me mendime, sugjerime, rekomandime nëpërmjet inspektimeve tematike, për rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë.