Raport i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore

527
Sigal

 Në janar u shpallën masat e reformës në gjyqësor, me qëllim rritjen e efektivitetit të sistemit gjyqësor. Shqipëria kërkoi bashkëpunimin e Komisionit të Venecias dhe hartoi një udhërrëfyes për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe, ku përfshihen edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Procesi i hartimit të strategjisë 2014-2020 ka nisur. Në shkurt, pranë Ministrisë së Drejtësisë është ngritur një grup pune këshillimor për reformën në sistemin gjyqësor.

Në mars, Shqipëria i kërkoi Komisionit të Venecias të vlerësojë dy paketa të amendamenteve të Kodit të Procedurës Civile dhe Penale. Njëra nga paketat e ndryshimeve u jep kompetencë gjyqtarëve të vendosin gjoba për avokatët të cilët në mënyrë të përsëritur mungojnë në seancat gjyqësore civile dhe penale, ndërsa e dyta kufizon llojet e ankimeve që mund të ngrihen në Gjykatën e Lartë. Këto ndryshime synojnë të zvogëlojnë ngarkesën e punës së gjykatave dhe të rritin efikasitetin e tyre. Synohet që asistenca e Komisionit të Venecias të shtrihet gradualisht në një gamë të gjerë temash.

Në përputhje me dispozitat e ndryshuara të Kodit të Procedurës Civile, shumica e rasteve civile në Gjykatën e Lartë janë duke u shqyrtuar nga një panel prej tre gjyqtarësh. Nevojiten masa të mëtejshme për ta bërë më të efektshëm funksionimin e Gjykatës së Lartë. Këto përfshijnë harmonizimin dhe publikimin e vendimeve të gjykatave, amendamentet e Kodit të Procedurës Penale që ndryshojnë procedurat e aplikuara në Gjykatën e Lartë, në lidhje me përbërjen e paneleve që shqyrtojnë çështjet penale, miratimin e dispozitave me synim uljen e numrit të ankimeve, përfundimin  e riorganizimit të brendshëm në vijueshmëri të Gjykatës, si dhe plotësimin e 3 vendeve ende të lira në Gjykatë.

Publikimi i fundit, për herë të parë, i një listë të plotë të gjyqtarëve me të dhëna për rangun e tyre është një hap në drejtim të rritjes së transparencës të sistemit për emërimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve. Vlerësimi i gjyqtarëve duhet të ndiqet në lidhje me periudhën 2007 – 2009 dhe vitet pasuese. Nevojiten masa shtesë për të siguruar që procedurat në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë për emërimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve të bazohen ekskluzivisht në meritat dhe kriteret e tjera objektive të aplikuesit.

Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve (ICMIS) i unifikuar, që siguron një shpërndarje të rastit dhe transparente të çështjeve për gjyqtarët dhe i dobishëm për të monitoruar çështjet e prapambetura nuk aplikohet ende në të gjitha gjykatat. Kjo është veçanërisht relevante për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatën e Krimeve të Rënda, Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda  dhe Gjykatat Administrative të sapokrijuara, ku sistemi nuk është operativ.

Vendimet gjyqësore duhet të jenë në dispozicion për të gjithë praktikuesit dhe publikun e gjerë. Vendimet duhet të publikohet në një bazë të dhënash të kërkueshme, me arsyetim përkatës dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në lidhje me veprat penale të korrupsionit nga ana e zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë (shih pjesën 3. Politikat Anti-korrupsion) paraqesin procedurat që rregullojnë heqjen e imunitetit të tyre. Në rastin e gjyqtarëve të zakonshëm, autorizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me kërkesë të prokurorit është i nevojshëm për kërkimin personal dhe të shtëpisë, si dhe çdo formë të heqjes së lirisë. Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, i takon Prokurorit të Përgjithshëm t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të autorizojë heqjen e imunitetit. Ndryshe nga gjyqtarët dhe prokurorët e zakonshëm, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese mbetet nën juridiksionin e Gjykatës së Lartë për veprat penale që lidhen me korrupsionin.
Informacioni për gjashtë raste të korrupsionit të dyshuar brenda gjyqësorit është dërguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë tek Prokurori i Përgjithshëm.

Që nga tetori 2013, Ministri i Drejtësisë ka nisur procedimet disiplinore ndaj 19 gjyqtarëve, të cilat janë kaluar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për ekzaminim. Deri më sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka trajtuar pesë prej këtyre rasteve, duke pushuar një gjyqtar, transferuar një gjyqtar në një gjykatë të një niveli më të ulët për dy vjet, dhe paralajmërim për shkarkim për 3 gjyqtarë. Në një rast të veçantë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi në dhjetor 2013 një gjykatës nga ushtrimi i detyrave të tij në pritje të një vendimi përfundimtar. Procedurat janë iniciuar nga Ministri i Drejtësisë ndaj dy prokurorëve. Sistemi disiplinor duhet të forcohet, roli i Ministrit të Drejtësisë në procedurën disiplinore, si dhe brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shqyrtohet, të zbatohen rregulla të reja në mënyrë efektive për imunitetin e gjyqtarëve, dhe të krijohet një historik rezultatesh për ndëshkimet.

Për sa i përket efiçencës, në nëntor 2013 u ngritën të gjashta Gjykatat Administrative, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Emërimi i gjyqtarëve në këto gjykata – që ndër të tjera gjykojnë edhe çështjet e transferuara nga gjykatat e tjera – është kryer në bazë të konkursit. Duhet të përfundojë procesi i plotësimit të nëntë vendeve vakante në pesë Gjykatat Administrative jashtë Tiranës si edhe të finalizohen dispozitat për ndihmësit ligjorë dhe ambientet e gjykatave.

Në vijim të vendimit të marsit 2014 të Gjykatës Kushtetuese që deklaroi si antikushtetues Ligjin për Administratën Gjyqësore të prillit 2014, është e nevojshme që ky boshllëk ligjor të mbushet dhe të miratohen dispozitat që rregullojnë veprimtarinë e gjykatave dhe stafit të tyre. Sipas këtij vendimi, ligji në 2013-ën duhej të ishte miratuar me shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë.

Për sa i përket aksesit në drejtësi, duhet të zbatohen ndryshimet në Ligjin për Ndihmën Juridike (2008) në lidhje me përjashtimin nga tarifat gjyqësore për disa qytetarësh si edhe për ngritjen e zyrave vendore të ndihmës juridike (klinika juridike).

Në tërësi, Shqipëria ka demonstruar përkushtimin ndaj reformës në gjyqësor, kryesisht duke ndërvepruar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit. Janë bërë përpjekje për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura dhe ngarkesën e punës në përgjithësi, si edhe për rritjen e transparencës brenda gjyqësorit. Janë marrë masa për të nxitur llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes miratimit të procedurave që disiplinojnë heqjen e imunitetit të tyre. Procedimet disiplinore janë pasur me një numër sanksionesh. Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara.