Gjurmët e dëshmive në hierarkinë e dijeve. Meditime rreth librit “Kanuni i Labërisë” të prof. Ismet Elezit

398

Kanuni i Labërisë ashtu si dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut janë dëshmi se popullsia e këtyre trevave ku jetonin nuk jetonin në anarki

Kohëve të fundit, me daljen në dritë të librit “Kanuni i Labërisë” dhe publikimin e kësaj vepre të veçantë, shkruar nga profesori i mirënjohur Ismet Elezi, produkt i veprimtarisë së tij teorike intensive për 6-7 dekada me radhë, dëshira, por, edhe rasti e solli të njihesha së afërmi e të qëndroja disa herë në intervale kohe me autorin, ku mësova edhe hollësi, që gjykoj se kanë vlerë publikimi mbi veprën, autorin dhe jetën e tij, jetë të cilën ai e kaloi me penë e libra në duar, si nxënës i zellshëm në vazhdën e rilindjes sonë më të ndritur kombëtare. Në të gjitha rastet që pata fatin ta takoj, profesori i veshur me sqimë, me kapele republike, i menduar, fort i sjellshëm, korrekt e pa poza, fliste rrjedhshëm e plot kolor njohurish, nga shumë fusha të shkencës. Dhe biseda me të, të bënte për vete, pse ai kishte jetuar në dy sistemet dhe përvoja e gjatë dhe studimet teorike në perëndim (Itali) e lindje (Rusi), e kishin pajisur me përvoja të çuditshme, që pak njerëz i kanë. Me raste e kam përmendur profesorin e ditur, për mesazhet e qarta patriotike që ka përcjellë herë pas here në median e shkruar, por e tillë është edhe vepra më e re, por sigurisht jo e fundit, duke e ngritur diturinë shekullore të njerëzimit në kode juridike, siç është edhe vepra “Kanuni i Labërisë”. Është me interes të kujtojmë një personalitet italian, që pasi ishte njohur me librin në fjalë, kishte thënë: “Libër tepër interesant. Çudi, ky është një kontribut shumë i çmuar për shtetin shqiptar, që jep ky dijetar i fushës juridike”.

– Nuk është shumë i njohur Kanuni i Jugut, do të konstatonte edhe vetë profesor Elezi, i cili në të vërtetë, vuri rregulla arbitrimi në periudha anarkie dhe dëfton një shkallë të caktuar qytetërimi dhe respekti për të drejtën, dhe barazinë përpara të drejtës zakonore dhe Zotit, sidoqë vendi ka qenë nën kërcënim pushtimesh zinxhir, ashtu siç e solli historia për ne… Dhe vijoi:

– “Kam punuar qysh herët, në moshë fare të re për këtë libër që e veçoj në gjithë krijimtarinë time, dëftonte në biseda profesori, mjaft prej të cilave janë botuar deri 10 herë. Dhe nxitës kryesor për këtë veprimtari ka shërbyer Tasini, im atë, i cili ka qenë qysh herët kryetar komune. I mblodha me dëshirë, duke qëndruar në shumë fshatra të Labërisë e sidomos në pleqtë e njerëzit e ditur të Kuçit, të cilët kishin njohuri të plotë për këto norma zakonore, që kanë shërbyer për rregullimin e marrëdhënieve dhe funksionimin e jetës shoqërore…”.

Me sa kuptova në bisedat me profesorin, e kishte filluar punën disa vjeçare, qysh nga studimet universitare nga Sant Petërsburgu i Rusisë, ku u dallua dhe konsiderua “atliçnoj”, ndër 3 studentët më të shquar të kohës, një hebre, një rus dhe ky shqiptar.

Nga mesi i shekullit të kaluar, i sapokthyer nga studimet, i etur për fushën e dijeve, duke ecur paralel me literaturën e botuar juridike e më gjerë, që ishte me bollëk në qarkullim, profesorit i lindi ideja, që nuk do t’i ndahej për dekada, hulumtimit, sistemimit, seleksionimit e klasifikimit të materialit të grumbulluar e fakteve nga përvoja e lashtë shekullore e trevës e të qeverimit të saj e më tej, me kodet e lashta zakonore. Më vonë ai do t’i konturonte në librin me titull “Kanuni i Labërisë”, një vëllim dinjitoz, duke realizuar një shërbim e kontribut me vlera historike e juridike të përveçme. Në një periudhë të gjatë kohe e sipas mundësive reale, ai mbajti kontakt me trevën objekt studimi, andej nga kishte rrënjët gjenetike. Kudo e sa herë që shkoi ndër vite në të tëra skajet, ai qëndroi me perioda kohe, ku takoi me dhjetëra e dhjetëra njerëz të ditur, me shkollë, me pak shkollë, por me autoritet e me përvojë të begatë, që kishin njohuri të plota nga jeta e gjallë, ç’ka e ndihmuan dhe e nxitën më tej frymëzimin e tij, për të mësuar e interpretuar më tej kapitujt e librit dhe formatimin përfundimtar, deri në çastin e botimit. Por kurdoherë korrekt, profesori fisnik, nuk do të harronte të kujtonte me nderim të posaçëm, etnografin e shquar prof. Rrok Zojsi, nderim i cili merrte trajta të plota mirënjohjeje, për ndihmën e dhënë e kontributin jashtëzakonisht të dobishëm të tij, sidomos në fushën e folklorit. Prof. Zojsi, do të shprehej me vlerësim autori- bëri disa ekspedita kërkimore në lumin e Vlorës, Kurveleshit dhe Rrëzomës së Delvinës, i cili punoi gati si dikur At’ Shtjefen Gjecovi për veprën e njohur të Lek Dukagjinit në veri, punë e cila më ndihmoj mjaft për plotësimin dhe kompletimin përfundimtar të veprës. Ishte një vepër jo vetëm nëpërmjet përvojës së bibliotekave, por në aspektin tjetër të njohur e të rrahur më pak, duke kaluar kështu nga praktika e soditja e gjallë, tek mendimi i sistemuar filozofik. Pasionant, por tepër logjik, ai do të thoshte:

– Edukata e kultura juridike është një lloj letërsie e çuditshme mor djalë, por ajo nuk duron dot fjalë të tepërta, sidomos teknika juridike është e rreptë, formulimet sintezë janë natyrë e praktikë e njohur e kodeve juridike, të cilat duhen të jepen të qarta, të prera, pa komente. Me pak fjalë, ka një teknikë të veçantë dhe sigurisht ka eksperiencë pozitive që në lashtësi. Edhe Kanuni i Labërisë dhe ai i Veriut, i Lekës dhe i Kurbinit etj., të vënë në mendime për përcaktimet precize. Për shembull, ndër të tjera:

“Gruaja, nuk vritet për gjak”.

“Gjaku, lahet me gjak” etj.

– E vërtetë është, por do një koment, – ndërhyra dhe m’u kujtua një ngjarje e dëftuar diku, me një vatër të nxehtë me konflikte kur një person të dënuar rëndë, nuk e vranë, por e varën, për të mos nxjerrë gjak.

Qeshi profesori dhe tha:

– Ligjet duhen njohur, kuptuar thellë e zbatuar pa lëkundje, se lajthitje praktika e jetës njeh jo pak. Është tepër e nevojshme, që në kushtet e sotme të njihet kjo traditë nga gjithë nivelet e juristëve e më gjerë, të cilët duhet të dinë psikologjinë e shkallët e zhvillimit ekonomiko – shoqëror dhe traditat juridike, që fillimisht ishin të pashkruara (kanunet e ndryshme). Se çfarë e kanë shtyrë profesor Ismet Elezin për të shkruar këtë vepër, nuk është dhe aq e vështirë. Pa dyshim, në këtë iniciativë shkencore tek ai, kanë ndikuar plot faktorë etnokulturorë e historikë, por dhe zjarrmia e krijuesit, dashuria e krenaria për Labërinë dhe kontributi i saj nëpër shekuj për liri e pavarësi kombëtare, për ruajtjen e identitetit deri për çlirimin e Shqipërisë 1939-1944, ishin faktor që e nxitën dhe e ftuan autorin, të përkushtohet intensivisht, për mbledhjen,  përgatitjen dhe kodifikimin e Kanunit të Labërisë. Në mënyrë të sistemuar e sintezë, mund të themi edhe shqetësimin e profesorit, që i kishte merak për ta nënvizuar.

a. – Kanuni i Labërisë ka një bazë reale dhe përbën kulturën juridike në trevat tona, duke sjellë një kontribut të shquar. Troç. T’i dëftojmë botës së sotme me fakte se, Jugu, Veriu dhe vise të tjera të Shqipërisë unike, natyrale, kanë ruajtur në shpinë të rruzullit, në hisen e tyre, të diellit e qiellit dhe kanë ditur të vetëqeverisen herët, shumë herët, shekujve prej lashtësisë. Kjo ka shumë rëndësi e nevojë të kuptohet në nivele të gjera, sidomos nga brezat e rinj, se populli shqiptar së shumti e kudo, ka rrënjë të hershme kulturore.

b. – Kanuni i Labërisë ashtu si dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe variantet e tyre lokale, janë dëshmi për t’u vlerësuar, se popullsia e këtyre trevave ku jetonin, vepronin e gëzonin jetën, ashtu siç ishte koha, nuk jetonin në anarki e në arbitraritet, por e rregulluar sipas disa normave juridike, të mishëruara në të drejtën e tyre zakonore. Qëndresa në shekuj dhe veprimi i së drejtës zakonore ishte traseja bazë, pjesë përbërëse e jetesës dhe qëndresës së popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj periodikë për fatin tonë të keq dhe ligjeve që diktonin dhunshëm këta okupatorë.

c. – Kanuni i Labërisë, përmban në thelb, në formë dhe përmbajtje, rregulla tepër të qarta, për marrëdhëniet familjare, si bazë të shoqërisë për vetëqeverisje, mbrojtjen e pronës private, për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës të njeriut e të krejt bashkësisë fisnore. Gjithashtu kanuni, përcakton qartë e saktë dhënien e drejtësisë nëpërmjet gjyqeve të pleqve (pleqësisë) dhe për procedurën që duhej të respektohej gjatë procesit gjyqësor.

ç. – Problem tjetër tepër i rëndësishëm dhe i diskutueshëm mbetet sqarimi i origjinës së Kanunit të Labërisë. Në mungesë të dokumenteve të shkruara, që është një cen i njohur, mungesa e burimeve arkivore, ende shtrohen disa opsione për diskutim.

Vepra në fjalë e profesor Elezit, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë por edhe të huaj, të cilët kanë shfaqur interes me reagime vlerësimesh.

Kështu historiani kosovar Jusuf Buxhovi, ka shprehur pikëpamjen se Kanuni tek Arbërit, në variantin e Labërisë, të Skënderbeut dhe në formën si do ta ketë formuluar Justiniani i I-rë (shek. VI), është pjesë  e një institucioni të brendshëm juridik të stërgjyshërve të tyre Pellazgëve. (Kosovë – Prishtinë 2012 fq. 456-457).

Sipas traditës gojore tradicionale ku është mbështetur autori Elezi në Kanunin e Labërisë si gjithë kanunet e tjera të viseve shqiptare (pavarësisht nga emërtimet – i Skënderbet, Lek Dukagjinit etj.) e kanë burimin në kulturën popullore. Normat e tyre janë  formuluar e  vendosur nga përvoja e gjyqeve të pleqve (ad hoc), burrat me zë e mendim të shquar të zakonit, kuvendet e burrave etj., të diktuara nga nevojat e jetës njerëzore.

d. – Element tjetër me rëndësi nënvizimi, është se, karakteristikat kryesore edhe tek “Kanunit të Labërisë”, janë të përbashkëta me ato të kanuneve të Veriut të Shqipërisë. Të tilla janë vlerat etiko-morale, si nderi, besa, miku (mikpritja), burrëria, barazia e gjakut, drejtësia private (hakmarrja), ndëshkimi etj., që përbëjnë edhe themelin e këtyre kanuneve. Për këto bashkësi vlerash ka shkruar edhe studiuesi i njohur At Bernardin Pàlaj, në vitin 1944. “Qysh në kohën iliro – thrake e deri në ditët tona, – shkruan ai, – kjo rraca jonë shqiptare qëndron e pashueme, në ktë breg të Adriatikut. Këto do t’i dihet njatyne fiseve, që qysh në Hot e deri në Sul, qysh në Debër e në Labëri… gjuhën e doket s’i harruen kurrë e brez pas brezi e mbajtën gjallë”. (Në studime e tekste juridike, Romë, 1944). Pra, duke  pranuar karakteristikat themelore të përbashkëta të kanuneve, të cilat kanë një shtrat të përbashkët, nuk mohohen veçoritë dhe dallimet midis tyre, siç janë dialektet e të folmes së gjuhës shqipe, kostumet, këngët, vallet, etj., të ndryshme sigurisht nga njera zonë në tjetrën. Por, këto veçori në kanun, nuk prekën aspak shkallën e civilizimit, të qytetërimit të popullit, në trevat respektive të atyre zonave malore që ruajtën vetëqeverisjen vendore. Mbi këto hulumtime të personaliteteve më në zë që përmendëm, lidhur me veprën mund të nënvizojmë, se “Kanuni i Labërisë”, përfaqëson në vetvete monumentin e kulturës juridike të popullit të asaj treve e më gjerë. Prandaj, ai ruhet me të drejtë, si një thesar i kulturës shpirtërore të saj, ndërsa sot ai qeveriset në bazë të Kushtetutës e ligjeve në bazë e për zbatim të saj, me synimet e frymën e kohës, për t’u futur në strukturat euroatlantike. Sigurisht, Kanuni nuk mund të konceptohet si një kod i kohës së sotme, sepse ai përmban norma juridike të tejkaluara, të nevojshme në etapa të ndryshme të zhvillimeve historike, norma të pahedhura në shkrime, por të përcjella ndër breza me traditën gojore, për të ardhur deri në ditët tona, siç erdhi edhe kënga e fryma e shpirtit të saj, ashtu si edhe historia nëpërmjet këngës e gjuhës shqipe. Siç dihet ato norma në periudha të ndryshme, kanë pësuar shtesa, ndryshime të vazhdueshme e periodike si Shartet e Idriz Sulit (shek. XVIII – XIX e fillimet e shek. XX). Në këtë kuadër, mund të themi se përveç vlerësimeve të bëra nga personalitete brenda e jashtë vendit tonë për botimin e këtij libri, përbën një lajm të gëzuar edhe njoftimi më i fundit i profesorit austriak Karl Peres, drejtues i një ekspedite kërkimore-shkencore, i cili pasi është njohur me veprën në fjalë, është entuziazmuar së tepërmi duke i kërkuar profesor Elezit leje për botimin e “Kanunit të Labërisë” në Austri, të cilin e kishte përkthyer në gjermanisht. Duke shkruar për këtë vepër dinjitoze, nuk mund të rrimë pa bërë një skicë ku i ka rrënjët gjenetike dijetari i shquar, i cili na nderon dhe i ngre supet e krenarisë Fterrës, Labërisë e gjithë Shqipërisë. Është fat i madh se përveç kësaj vepre të rëndë, profesori erudit ka dhënë kontribute të shquara sidomos në zhvillimin e mendimit teorik juridik shqiptar, duke bërë vend në majat e diturisë juridike. Krijimtaria e tij është gati një bibliotekë e tërë me rreth 280 botime, ndër të cilat, 34 libra teorike në fushën e së drejtës penale, 23 monografi, 10 tekste universitare, 11 libra si bashkautor etj. Ky dekan i përjetshëm i së drejtës penale, ka vlerësime të larta nga plot universitete me zë si dhe nga institucione prestigjioze, si nga Londra, Roma, Prishtina, Tetova, Budapesti, Oslo e deri në SHBA, çka përbën një vlerësim e krenari të vërtetë për autorin dhe shkencën shqiptare. Edhe pse me një barrë merita të merituara, rekordesh të larta, nuk i ka shterë energjitë, përsëri nuk resht së punuari, pa zhurmë. Ai shpesh kthen mbamendjen prapa. Kujton fillimin e vështirë, luftën për çlirim, kur ai përkrah me bashkëkohësit e rinisë së tij, hodhën firmën e lirisë. Shumë i hëngri lufta me okupatorin dhe nuk e arritën çlirimin, megjithëse besuan e shpresuan me bindje për mirësinë e Shqipërisë, që ishte në zgrip të greminës. Mendja e shpirti i këtij dijetari të pagjumë, ka shumë motive e arsye të lindura por edhe të kultivuara, që e kanë shtyrë për vepra të dobishme, sidomos sedrën për të lënë gjurmë e dëshmi shkencore në majat e hierarkisë së dijeve, të cilat sipas profesorit e kanë një gurrë burimi. Punën dhe vetëm punën e përkushtuar, për të mirën, lirinë dhe progresin e një shoqërie disi me fat sakat, e herë të fshehur, për një sërë rrethanash e faktorësh që i ka prekur e njohur historia jonë. Dijetari i shquar, nga më të përveçmit të fushës juridike flet me pasionin e krijuesit dhe logjikën e shkencëtarit dhe nuk është vështirë të kuptoje në biseda shqetësimin e tij të madh për gjendjen e pushtetit gjyqësor, si ndër shtyllat themelore të shtetit të së drejtës. Nuk ja donte zemra, as ja pranonte arsyeja e dijetarit, se e gjithë ngrehina e sistemit të drejtësisë është prishur. Për të kurrsesi nuk është e vërtetë. Dhe kishte plot arsye e bazë historike në bindjen e tij prej studiuesi me përvojë të gjatë teorike e praktike, që kur lindën shteti e u krijua teoria e shtetit, atëherë kur u vunë rregullat e funksionimit të tyre. Me zë të ulët por plot pasion. ku dukej një re zemërimi, foli: – Jo, drejtësia s’ka vdekur, por segmente të ndryshëm difektojnë, që nuk ecën si duhet procesi juridik zinxhir. Kështu,  po u prish drejtësia s’ka shtet, fillon anarkia, arbitrariteti, drejtësia  mbetet retorikë, lëngon. Tash gjërat njihen, ka defekte plot, por për drejtësinë duhet të punojnë të gjithë, hierarkia zyrtare, nga lart deri tek njësitë ndihmëse në bazë. Drejtësia s’duhet sulmuar nga terrori e presioni politik… Jo, drejtësia ende nuk është katandisur thur e shthur si Pëlhura e Penelopës. Sigurisht ka plot probleme shqetësuese, por njihen e po luftohen nën kujdesin e brezit të ri dhe të asistencës ndërkombëtare… Drejtësia do të bëhet, nuk do t’i hapim udhën pesimizmit, por punës e përpjekjeve serioze, të pareshtura, frontale… Kishte të drejtë. I qartë fare në gjykime. E vështroja me admirim këtë kapacitet të shquar, që kisha pranë e që më pranonte për miqësi dhe të bisedonte me mua si i barabartë, a thua se nuk do të takohesha prapë me të. Thellësia e mendimeve, argumenti i analizës e sintezës dhe sidomos thjeshtësia në shtjellimin e fakteve, ishin ato cilësi të vyera, që do t’i shkonte për shtat një edukatori të ndritur, i cili i njihte mirë ingranazhet e fshehta e mekanizmat e funksionimit të shtetit, që dinte defektet e pasojat që shkaktojnë  modelet e sistemeve ekonomiko-shoqërorë dhe çelësat e zgjidhjes. Këto biseda unë pata guximin e i hodha me shkrim në mënyrë telegrafike në prezencë të tij. Duhet thënë se nga përvoja e gjatë dhe kujdesi, fakti është se kjo figurë me kontribute, nuk u rrëmbye nga porositë e diktimet brutale apo të natyrave të tjera, që ndesheshin rëndom, por me durimin e shkencëtarit, me arsye, fakte e argumente, arriti të ruaj veten e të mos prishë karakterin e tij e të parimeve juridike  në fushën penale, administrative, e kështu me radhë, gjë që nuk ishin fort të lehta për kohën. E gjithë veprimtaria e tij teorike në fushën e së drejtës, mendoj se shërben e do të shërbejë edhe në të ardhmen si trashëgimi, referencë e përvojë në fushën e jurisprudencës.