Xhorxh Tenet ish- kreun e CIA-s, vjen në Shqipëri

1416
Sigal

Flet Koço Koka, kushëriri i parë i Tenetit dhe Kryebashkiaku Goro: “Takova vëllanë e Xhorxhit. Më dha fjalën se do të vijnë”

Duket se ardhja e Xhorxh Tenet dhe të vëllait Bill nuk është më një thashetheme, por një e vërtetë, që pritet të ndodhë këto ditë. Nuk është thjeshtë dëshira e kushëririt të parë të Tenetit, Koço Koka nga Qeparo dhe të afërmve të tjerë të fisit koka, që kërkojnë të takohen e çmallen me djemtë e xhaxhait, Qirjakos, apo dëshira e Himarës dhe fisit, ku është bijë e ndjera, nëna e  vëllezërve Teneti. Tashmë janë pjekur kushtet që Xhorxh Tenet, vëllai dhe fëmijët e tyre, të vizitojnë vendlindjen e prindërve të tyre, të babait në Qeparo dhe nënës në Himarë. Bindja se ardhja e tyre është çështje ditësh është formuar nga biseda që ka bërë Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro më të vëllanë e Xhorxhit, Bill.

Çfarë biseduat me të vëllanë e Xhorxhit, Billin i bëtë ftesën për të vizituar Himarën?

Nuk mund të fsheh faktin që në vizitën time që bëra në Amerikë, bëra çmos për të takuar e biseduar me Xhorxh Tenet, por ndoshta edhe për arsye pune, nuk u bë e mundur. Gjithsesi ndjehem mirë që bisedova me vëllanë e tij, Bill, ku edhe me të ishte shumë e vështirë për t’u takuar. Sigurisht, kjo ishte edhe arsyeja kryesore e takimit. Bill ishte shumë i prekur dhe dëshironte sa më shpejt bashkë me Xhorxhin (George), të vijnë këto ditë vere në Himarë dhe Qeparo. Unë ndjehem i sigurt se shpejt ata do të jenë mes nesh dhe Himara po pret.

Është folur gjithmonë për ardhjen e Xhorxh Tenet në Shqipëri, në Qeparo, por gjithçka ka mbetur në kuadër të dëshirave. Besoni se këtë herë kemi një të vërtetë?

Nuk janë fjalë të thëna poshtë e lart nga të tjerët, unë Kryetari i Bashkisë së Himarës kam takuar e biseduar me Bill Tenet, të vëllanë e Xhorxhit dhe unë besoj tek premtimi i tyre. Them se erdhi dita, që edhe Xhorxh Tenet do të paraqesë interes për Himarën, vendlindja e nënës së tij, Qeparoin, vendlindja e  babait të tij. Nuk ka si të ndodh ndryshe, vendlindja e të parëve as nuk mund të mohohet, as të harrohet.

Ka ndonjë datë të saktë për vizitën?

Data nuk bëhet e ditur me muaj përpara, por me ditë, madje orë. Unë besoj se në këto ditë vere të nxehtë, kur Himara, Qeparoi janë të mbushur plot e përplot me pushues, do të kenë mes tyre edhe ish drejtorin e CIA-s Amerikane për gjatë 7 vjetëve, Xhorxh Tenet dhe vëllanë e tij Bill.

Flitet që shtëpia e babait të Tenetit, do të bëhet muze, ju jeni në dijeni?

 Bashkia e Himarës është e gatshme të investojë dhe ta shndërrojë banesën shekullore në muze, por, padyshim kërkohet një mendim i tyre, pasi është pronë private e tyre.

Flet Koço Koka: “Do të marr një mjek në shtëpi, sepse ndruhem se do të vdes nga emocionet”

“Po vjen dita, që e pres gjatë tërë jetës”

Koço Koka thotë se janë shumë zëra, që vijnë në shumë drejtime, se nipërit do të jenë shumë shpejt në Qeparo, në shtëpinë e atit të tyre, Qirjakos. Sigurisht shtëpia e parë e tyre është e imja, pasi banesa e etërve tanë është bosh. Gjëja e parë që kam menduar është të porosis një mjek, të më qëndrojë afër, sepse jo vetëm për shkak të moshës, pasi i kalova 83 vjeç, por më shumë, për shkak të emocioneve, pasi kam një jetë, që pres të takoj Xhorxhin e Billin.

Cila është shtëpia e Tenetëve, flitet se do të bëhet muze?

Babai im dhe i Xhorxhit kanë pasur një shtëpi trekatëshe në Qeparo, që prej shumë vitesh ajo është në emrin tim, si i vetmi trashëgimtar. Që në katin e parë nisin dhomat, gjithsej katër dhoma. Është ndërtuar në vitin 1870 nga stërgjyshit e tenetëve, ndërtuar me gur dhe çatia është funksionale. Mbahet mirë si banesë, sidoqë vazhdon të jetë e zbrazët. Duket e pabesueshme që tjegullat e shtëpisë i kanë rezistuar kohës dhe nuk është thyer qoftë edhe një copë që të fusë ujë. Unë nuk e di mirë nëse këto tjegulla kanë ardhur nga jashtë, apo janë prodhuar në Qeparo, ku kishte disa komina që prodhonin tjegulla.  Shtëpia rrethohet nga një kopsht me pemë, ku prodhohet limoni, ulli, portokalle, që janë mbjellë nga gjyshërit dhe vazhdojnë të japin prodhim të bollshëm edhe në ditët e sotme.

Çfarë orendi ruhen deri në ditët e sotme?

Orendi që kanë mbetur dhe që i ruaj si sytë e ballit, janë një sënduk, nga ata të kohës dhe një shpatë me dorezë që duket shumë e re. Kur e ka blerë stërgjyshi është shprehur: Atij që i mora shpatën, do të më japë fatin, e kam ruajtur dhe nëse vjen Xhorxhi do t’i them: “Ky është kujtimi nga Xhorxh Teneti i parë”. Kam edhe shumë gjëra të shtrenjta që ruaj nga xhaxhai, Qirjako dhe djemtë e tij, sikurse janë: letërkëmbimet, veshje, foto kur ata ishin fëmijë. Në një fletore të veçantë kam shkruar edhe karrierën e kushëririt të parë, ndërsa në një kornizë kam vendosur CV dhe karrierën e Tenetit, kjo jo për tu mburrur, por të treguar se Xhorxh Teneti është nga Qeparoi dhe kjo është mburrje për të gjithë shqiptarët. Për shtëpinë e tenetëve, ujdiset motra e  Koços, Marie Leka, që këto ditë po e bën gati për djemtë e Qirjakos, që vijnë për herë të parë në këtë banesë shekullore, ku ka zanafillën fama e tenetëve.

 Si u largua Qirjako, babai i Tenetit nga Qeparoi

Familja Teneti ka emigruar për në SHBA, pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa djemtë binjakë janë lindur në Amerikë. Babai i Tenet, mbiemri i të cilëve është Koka, ishte nga Qeparoi, një nga fiset më në zë të Himarës. Në shekullin e 19-të, familja Koka, e cila jetonte në Itali dhe në fillimet e shekullit 20-t u vendos në Korfuz, prej andej erdhi dhe u vendos në Qeparo të Himarës, në vendin e të parëve. Babai i Tenet, shkon në emigrim në Francë dhe punon në minierat e qymyr-gurit në Sent Etien, ku qëndroi deri në mbarim të luftës së Dytë Botërore. Qirjako martohet me një vajzë nga Himara, nga më të dëgjuarit e krahinës, Vangjelia Kacelano, e cila kishte mundur të ikte në Itali me gruan e të vëllait që ishte italiane dhe dy fëmijët, duke udhëtuar me një nëndetëse angleze nga brigjet e Himarës. Ata emigruan në SHBA në qytetin metropol të botës New York dhe në vitin 1953 do të lindnin dy djemtë binjakë George (Xhorxh)dhe Bill. Në vitin 1965 babai i tyre do të ndahej nga jeta. Sot Xhorxh ka një djalë të vetëm me emrin Jani, ndërsa Bill, është babai i tre vajzave.

Ikja e Vangjelisë nga Himara

Koço Koka mohon zërat se Evangjelia ka ikur me nëndetëse. Ai është motra e doktor Kacalanos,që u vra në Qafë-Topi nga gjermanët, teksa po mjekonte partizanët, që tashmë është dëshmor. Vëllai tjetër Niko Kacalano, u rreshtua kundër regjimit komunist dhe regjimi e arrestoi dhe pushkatoi. Pra familja Kacalano është e ndarë përgjysmë. Nëna e Xhorxh Tenetit ka një vëlla dëshmor dhe një vëlla viktimë të regjimit komunist. Kur ajo është larguar, konsiderohej një familje me përbërje të mirë dhe nëna e saj merrte pensionin e luftës të të birit. Gruaja e doktorit ishte italiane, Bjanka quhej, ajo u lejua të ikte për në Itali me traget, normalisht me ndihmën e shtetit, duke marrë me vete edhe të kunatën, e cila më vonë do të bëhej gruaja e Qirjakos, nëna e Xhorxh Tenetit. Koço dhe të afërmit e Vangjelisë tregojnë se kur erdhi në Himarë pak kohë më parë, ajo mori një çantë me dhe nga vendlindja, për tua lënë amanet djemve, që t’ia vendosnin tek vërri. Kjo tregon se ajo ishte një grua patriote, që e donte vendin e saj