Gjetjet në raportin e Inspektorit të Drejtësisë: Vettingu shkaktoi mosfunksionim të gjykatave

48
Sigal

Raporti i fundit i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë tregon se në Gjykatën e Përgjithshme të Tiranës, si edhe në atë Administrative, ka mungesë të gjyqtarëve dhe zbardhja e vendimeve kryhet me vonesë. Procesi i Vettingut ka krijuar kosto për qytetarët që lidhen me tejzgjatjen e proceseve gjyqësore, rritjen e ngarkesës së punës së gjyqtarëve dhe si rrjedhojë mosfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi. Vettingu ka shkaktuar një kosto të madhe për xhepat e qytetarëve. Ky është një prej konkluzioneve më të rënda, por edhe më realiste të nxjerra nga vetë institucionet e “drejtësisë së re”. Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përfunduar së fundmi inspektimin tematik në Gjykatën e Përgjithshme të Tiranës, si edhe në Gjykatën Administrative të kryeqytetit. Në këtë raport thuhet se “numri i gjyqtarëve është ulur si pasojë e procesit të rivlerësimit, dorëheqjes së gjyqtarëve dhe daljes së tyre në pension. Ky proces, natyrshëm ka krijuar kosto për qytetarët në tejzgjatjen e afateve për gjykimin e çështjeve gjyqësore, duke krijuar problematikë që ka të bëjë me sistemin në tërësi, duke rritur volumin e punës së gjyqtarëve”. Më tej, në raport thuhet se “kjo situatë mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor për shkak të vakancave të krijuara”. Nga inspektimi është konstatuar se një gjyqtar në Tiranë përballon një volum pune jashtëzakonisht të lartë, prej 1361 çështje gjyqësore në vit. Sipas përllogaritjeve, për të ulur këtë stok dosjesh, një gjyqtar duhet të japë më së paku 4 vendime në ditë, gjë që është tërësisisht e pamundur. Edhe në Gjykatën Administrative të Tiranës, situata është pak a shumë e njëjtë, ky një gjyqtar përballon një volum pune prej 763 çështje të përpunuara. Një situatë e tillë ka sjellë si pasojë vonesa për zbardhjen e vendimeve deri në 4 muaj, duke cenuar rëndë të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të sistemit të drejtësisë. Sipas raportit të ILD-së, konsiderohet normale dhe pa pasoja disiplinore për gjyqtarët, në rast se ata e zbardhin vendimin brenda 120 ditëve. Kjo tolerancë lidhet me ngarkesën në punë të gjyqtarëve, ndërkohë që qytetarët vijojnë të vuajnë drejtësinë e vonuar në sistemin e drejtësisë.