Intervista/ Prof. Kristaq Kume: Të hetohet blerja e votës, presioni ndaj votuesve dhe keqpërdorimin i administratës, u cenua integriteti i zgjedhjeve

51
Sigal

Raportit Përfundimtar i OSBE/ ODIHR, Kume: Integriteti i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara në 14 Maj 2023, ishte më i ulët se ai i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Vëzhguesit ndërkombetar vlerësojnë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për organizimin transparent dhe efikase, por komisionet e niveleve më të ulëta ndikuan negativisht për shkak të zëvendësimi të shpeshtë të anëtarëve nga partitë propozuese.

Ish-kreu i KQZ ,Prof . Kristaq Kume ka folur në një intervistë për gazetën “Telegraf”rreth situatës së krijuar së fundmi nga politika në kuadër të rezultateve në zgjedhjet e fundit, polarizimi i midis partive kryesore politike apo keqpërdorimi i burimeve dhe aseteve publike gjatë procesit zgjedhor dhe shitblerja e votes.Kume deklaron se në fokusin e punës së Komisionit për reformën zgjedhore duhet të jenë edhe çështje që lidhen me sistemim zgjedhor, hapjen e listave për zgjedhjet poltike dhe për këshillat bashkiakë.Sipas tij pengesw pwr reformën zgjedhore janw palwt politike që pavarësisht deklaratave të bëra prej tyre,në asnjë rast deri sot nuk kanë aritur që të realizojnë një produkt të gjithëpranuar. Ja intervista e plotë:

“Raporti përfundimtar i Vëzhguesve Ndërkombëtar të OSBE/ ODIHR I bazuar te raportet e publikuara nga vëzhguesit e konsideron integritetin zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të 14 Majit 2023, më të ulët se integritetin  zgjedhjeve te përgjithme politike,të zhvilluara në 25 prill 2021.”

-Zgjedhjet vendore të majit 2023 në Shqipëri a ishin të mirëadministruara dhe konkurruese?

Në Raportin përfundimtar për zgjedhjet për oganet e pushtetit vendor që u zhvilluan në 14 Maj 2023, Komisioni i Vëzhguesve Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR shprehet, se këto zgjedhje në përgjithësi u administruan mirë dhe ishin konkurruese. Ndërkohë në Raport theksohet, se procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe nga një ndarje e thellë, domethënëse brenda opozitës, e cila pati efekt të ndjeshëm negativ në garën zgjedhore dhe në rezultatin që arriti opozita.. Vëzhguesit ndërkombëtar vlerësojnë.se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e organizoi punën e tij në mënyrë transparente dhe efikase, por stabiliteti i komisioneve të niveleve më të ulëta, sipas tyre u ndikua negativisht nga zëvendësimi i shpeshtë i anëtarëve nga partitë propozuese.Kjo është edhe arsyeja,se përse në rekomandimet prioritare,ndërkombëtaret kanë ritheksuar nevojën për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor,ne dispozitën që trajton këtë të drejtë që akualisht e kanë partitë politike. Theksoj se ky rekomandim i tyre, është pjesë e rekomandimeve që permbahen në Raportet përfundimtare të Misioneve për vëzhgimin e Zgjedhjeve duke filluar me zgjedhjet lokale të zhvilluara ne vitin 2003, rekomandim që asnjëhere nuk është marrë në konsideratë për t`u ndryshuar nga partitë politike në vendin tonë.

-Sa dhe si ndikuan në standardet zgjedhore polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike?

Polarizimi dhe kundershtitë e mëdha politike midis partive kryesore të vendit, të shoqëruara edhe me kundështare dhe luftën politike brënda PD, që është edhe partia kryesore e opozitës, gjeneruan efekte të padësherueshëm, negative në ecurinë e gjithë procesit zgjedhor dhe në arritjen e objektivës që ka shoqëria jonë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Vëzhguesit ndërkombëtar theksojnë në Raportin përfundimtar të tyre, se një ndër efektet negative të kësaj situate politike është mos realizimi i reformës zgjedhore, nëpërmjetë të cilës duhej që në legjislacionin zgjedhor të pasyroheshin rekomandimet e tyre, të dhëna në raportet për zgjedhjet e mëparëshme politike dhe për qeverisjen vendore. Ata nënvizojnë se “Shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it dhe Kongresit të Këshillit të Europës për Autoritetet Vendore dhe Rajonale mbeten të paadresuara”, duke e vlerësuar këtë si një nder faktorët negativ, me efektë të ndjeshmë në ecurinë e procesit zgjedhor, Kjo është arsyeja pse në tetë rekomandimete prioritare që përmbahen në Raportin përfundimtar për zgjedhjet e 14 maj 2023, vend të veçantë zë trajtimi i çështjes që lidhet me nevojën për kryerjen e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, nëpërmjet të cilës të arrihet në zgjidhje legjislative me efektive për çështjet dhe problemet e ndryshme me të cilat u përballën edhe zgjedhjet e  fundit për organet e pushtetit vendor.

“Polarizimi dhe kundërshtitë e mëdha politike midis partive kryesore të vendit, te shoqeruara edhe me luftën politike brenda PD,gjeneruan efekte negative në ecurinë e procesit zgjedhor dhe në arritjen e objektivit të shoqerisë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.”

– Plotësimi i standardeve për zgjedhje demokratike a u pengua nga keqpërdorimi i burimeve dhe aseteve publike gjatë procesit zgjedhor, shitblerja e votës, prezenca dhe ndërhyrja në proçesin zgjedhor e përfaqësueseve të paautorizuar të partive politike, zyrtarëve publikë dhe të zgjedhurve lokal dhe qendror? Si shprehen vezhguesit ndërkombëtar për këto probleme që shoqëruan zgjedhjet e 14 Maj 2023?

Vëzhguesit ndërkombëtar raportojnë se në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në 14 Maj 2023 ishin prezentë fenomene të tilla. Ato shprehen se mazhoranca e keqpërdori në mënyrë të dukshme, në funksion të interesit të saj elektoral, mundësinë që i jepte pushteti, në nivelin qëndor dhe lokal. Vëzhguesit e tyre raportuan se në jo pak raste “mbështetësit e opozitës u përballën me vënie nën presion, që synonin t’i pengonin ata të merrnin pjesë në aktivitete të fushatës” se “në shumë raste, punonjësve të bashkisë u ishte thënë të mbështesnin ose të votonin për PS-në, ose ishin paralajmëruar të mos e mbështesnin opozitën”. Në Raport theksohet se “Megjithëse Kodi zgjedhor e ndalon që autoritetet të propozojnë, të miratojnë ose të nxjerrin vendime për përfitime, katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve dhe deri në formimin e një qeverie të re”, mazhoranca zhvilloi një sërë aktivitetesh, si nga pushteti qëndror, ashtu edhe nga administrata të ndryshme vendore, “të cilat u duk se ishin në kundërshtim me këtë kriter ligjor”. Ndërkombëtarët e vlerësojnë si shkelje të ligjit zgjedhor, me efekt negativ në plotësimin e standardeve për zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme, dhënien e bonusit prej 5,000 lekësh (rreth 44 euro) për pensionistët, bashkë me të paktën dhjetë vendime te tjera që u miratuan nga qeveria në muajin prill, të cilat rritën pagat e kategorive të ndryshme të punonjësve të sektorit publik, nga mësuesit te zjarrfikësit. Në Raport ata e kanë nënvizuar si jo të pranueshme,referuar kërkesave për zgjedhje demokratike,deklaratën e kryetarit te mazhorancës në lidhje me “kushtëzimi e mbështetjes së ardhshme të qeverisë ndaj bashkive,me rezultatet e zgjedhjeve”.

Vezhguesit Ndërkombëtar raportojnë se në qarqet e Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastës, Korçës, Lezhës, Shkodrës dhe Tiranës pati pretendime për blerje votash ose dhënie stimujsh financiarë për zgjedhësit, që të mos merrnin pjesë në zgjedhje, te cilat në shumicën e rasteve ishin të iniciuara nga PS-ja. Denoncimi publik i praktikave të tilla para dhe gjatë fushatës nga palët kryesore të interesuara, duke përfshirë zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e partive, mund të shërbejë si një pengesë e mundshme”. Duke i shtuar ketij rekomandimi edhe atë të dhënë në Raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare, 25 prill 2021,në të cilin theksohet se “Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e shitblerjes së votes”, kuptohet lehte rendësia e madhe,që ndërkombëtarët i kushtojne nevojës për kundërvënie dhe luftës që duhet të bëhet kundër këtij fenomeni.

– Cili është vlerësimi i ndërkombëtarëve për ditën e zgjedhjeve?

Vëzhguesit ndërkombëtar e kanë vlerësuar ditën e zgjedhjeve në përgjithësi paqësore.Ndërkohë ata raportojnë edhe raste të shpeshta të ndërhyrjes së personave te pautorizuar, përfaqësues të partive politike,në veçanti te mazhorancës,te zgjedhur vendorë e deputetë, nëpunës në institucionet publike, të cilët ndërhynin në proces dhe intimidonin zgjedhësit. Keto sjellje konsiderohen prej tyre si kundërvënie të rëndësishme me kërkesat për proces zgjedhor demokratik.Për to dhe të gjithë fenomenet negative të tjera të renditura më sipër,vëzhguesit ndërkombëtarë kanë formuluar si rekomandimin e parë prioritar domosdoshmërine për veprim aktiv të organeve të zbatimit të ligjit, te cilët, sipas tyre“… duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, duke përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, në mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente”.

“Situata që ka bashkëshoqëruar të gjitha reformat zgjedhore të zhvilluara ne vend,vazhdon të jetë prezente edhe sot.Ajo është edhe më e komplikuar politikisht si pasojë e problemeve me të cilat aktualisht ëshë përballur PD,që është edhe partia kryesore opozitare në vend”

– Raporti përfundimtar i misionit të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR a është një dokument. që domosdoshërisht duhet t`i referohemi për të kuptuar edhe vlerësuar në mënyrë më objektive mënyrën ,se si po funksionon demokracia përfaqesuese në vendin ton¡?

Problemet e rendituar në Raport, analiza e tyre dhe vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtar për nivelin e plotësimit në zgjedhjet lokale 14 Majit 2023 të standardeve për zgjedhjet demokratike, respektimin e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës dhe angazhimeve të OSBE për zgjedhje,janë udhërrëfyese të domosdoshme për t`u konsideruar dhe ndjekur nga klasa e jonë politike dhe e gjithë shoqëria. Mungesa e vullnetit për të bërë ndryshime në legjislacion,me synim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike është paradhoma e veprimeve të mëpastajme, që partitë politike bëjnë nëpërmjet kundërvënies me ligjin,anashkalimin e tij dhe me perpjekjet për të përdorur çdo mundësi dhe instrument extraligjor në funksion të marrjes së pushtetit. Një sjellje e tillë e partive poltike, në veçanti e atyre që kanë edhe forë të ndjeshme elektorale si është partia e mazhorancës,ka efekt të konsiderueshëm negativ në intergritetin e procesit zgjedhor dhe, për rrjedhoje edhe në kredibilitetin e të zgjedhurve.Duke ju referuar Raportit Përfundimtar të Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ ODIHR,por edhe në bazë të raporteve të publikuara nga vëzhguesit,rezulton se,integriteti i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore,14 Maj 2023,vlerësohet më I ulët, se integriteti i zgjedhjeve politike që u zhvilluan në 25 prill 2021.  Veprime të tilla të partive politike, përfaqësuesve dhe mbështetësve të tyre si jane frikësimi i zgjedhësve, detyrimi i tyre për t`i votuar, nxitja dhe përdorimi i fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimi i aseteve publike dhe mundësive që jep qënia në pushtetin qëndror ose lokal për qëllime zgjedhore, përdorimi i parave pa burime të identifikueshme, angazhimi i “të fortëve “në zgjedhje etj… janë fenomene që vëzhguesit dhe institucionet ndërkombetare, por edhe ato vendore i konsiderojnë në raportet e tyre për zgjedhësit faktorë kryesor që ndikojnë në nivelin e integritetit të zgjedhjve. Duke ju referuar këtyre raporteve për zgjedhje vendore të 14 Majit 2023 rezulton se, vendi ynë vazhdon të renditet ndër vendet që realizojnë zgjedhje me indeks me integritet zgjedhor në nivelin “I moderuar”, nivel që është karakteristik për vendet që janë në procesin e zhvillimi të demokracisë dhe qe qeverisen sipas kushteve që karakterizojnë demokracinë hibride.

– Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dy parti kryesore,që kanë bërë dhe ndryshuar kodin dhe sistemin zgjedhor ndër vite. Raporti apleon për konsultim gjithpërfshirës por me parakusht,që reforma zgjedhore të jetë kuptimplotë për çdo pale. Çfarë i ka penguar këto dy subjekte politike për të bërë reforma zgjedhore të shëndetshme për zhvillimin e demokracisë dhe sjelljes së një fryme të re bashkëpunimi  ndërmjet palëve?

Pengesa kryesore e ka bazën tek fakti se partitë politike që angazhohen dhe që kanë mundësinë për të qënë vendimmarrëset kryesore në reformën zgjedhore e zhvillojnë këtë përgjegjësi duke e trajtuar atë, si një mundësi të mirë për të ndërtuar rregulla që do t`u japin më shumë mundësi dhe prej te cilave mund të perfitojnë ato vetë me shumë në garën e ardhshme zgjedhore. Kjo është arsyeja pse refoma të tilla dhe komisionet parlamentare të ngritura për zhvillimin e tyre, pavarësisht deklaratave të bëra prej tyre,në asnjë rast deri sot nuk kanë aritur që të realizojnë një produkt të gjithëpranuar dhe që të jetë rezultat i kontributeve gjithëperfshirëse, te aktorëve politik dhe jo politik të vendit. Për fat të keq kjo situatë që ka bashkëshoqëruar të gjitha reformat zgjedhore te zhvilluara deri sot, vazhdon të jetë prezente. Për ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor por edhe në legjislacionin që ka prerje ose ndikon në zgjedhje, si është p.sh. ligji për partitë politike dhe për financimin e tyre, është e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të trajtojë jo vetëm problemet që lidhen me Rekomandimet e OSBE/ODIHR. Në fokusin e punës së Komisionit për reformën zgjedhore duhet të jenë edhe çështje që lidhen me sistemim zgjedhor, hapjen e listave për zgjedhjet poltike dhe për këshillat bashkiak, votën e emigratëve,etj. Është e domosdoshme që ky Komision me vendimarrjen e tij gjithëpërfshirëse t`i propozojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë, zgjidhje legjislative të cilat të zvogëlojnë sa më shumë të jetë e mundur efektet negative që prodhuan ndryshimet në Kushtetutë të bëra në vitin 2008 në cënimin e funksionimin efektiv të demokracisë përfaqësuese në vendin tonë. Kjo e bënë shumë të nevojshme fillimin e punës në këtë Komision,fillim i cili, duke patur parasysh zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, kërkon me domosdoshmëri të zgjidhet sa më parë problemi i përbërjes, anëtarësisë, në këtë komision parlamentar. Zgjidhja e këtij ngërçi nuk ka shumë të panjohura. Ajo gjendet pa shumë vështirësi tek Regullorja e Kuvendit. Ndaj heqja zvarrë e saj është vetëm shenjë që parathotë mungesën e vullnetit për të bërë atë që i duhet funksionimit efektiv të demokracisë përfaqësuese dhe zhvillimi të zgjedhjeve demokratike. Çfarë mbetet pas kësaj është vetëm pasojë e interesit politik që ka shumë pak lidhje me interesin e qyteatrëve dhe për zhvillimin demokratik të vendit.