Vladimir MUÇA*/ Tingujt e violinës dhe ndjesitë patriotike të dëshmorit Prokop Sorra

829
Sigal

Etyd në 70- vjetorin e çlirimit për violinistin dëshmor Prokop që u vra në kampin famëkeq të Zemunit

Në videotekën time, një ditë kur po bëja pastrimin e radhës nga pluhuri i kohës, më zuri dora një kasetë pak si të “vjetëruar”, ndoshta 35 -vjeçare, “Këngë për atdheun”, të këngëtares, artiste e popullit Vaçe Zela, mbretëreshës gjer më sot pa pasardhëse në këngët shqiptare. E pastrova me kujdes nga pluhuri dhe e vendosa me kujdes në magnetofon. Dhoma u mbush me zërin brilant e të papërsëritshëm të Vaçe Zelës. “Me këngën, me këngën partizane/ Ecim, ecim, ecim e marshojmë/

Shkrep me zjarr porsi rrufeja…”… Kjo këngë më zgjoi shumë e shumë kujtime, rrëfenja të viteve të luftës. Ndër to si një fushnjerë e zjarrtë, siç e thotë dhe kënga m’ u përshfaq muzikanti dëshmor Prokop Sorra. Një lidhje ekstra shpirtërore me muzikën e violinistit dëshmor dhe këngëtares së famshme Vaçe Zela, babait tim korrier i Grupit të Pezës dhe mua pasardhësit me këngët marshe të hapave rreshtore. Por jo vetëm kaq, ato lidhen dhe me paspasardhësin, tek i ruan me aq dashuri e i dëgjon jo vetëm me kureshtje atë këngë që zanafillën e kishte në pentagramet e dëshmorit muzikant Prokop Sorra. Mësuesi muzikolog që i’u përkushtuar aq shumë propagandimit muzikor me masat e popullit të shumëvuajtar nga pushtimi nazi-fashist. Violina e Prokopit u kthye në një armë të fuqishme në zgjimin e atdhetarisë në masat e popullit. Ata që e njohën nga afër violinistin dëshmor Prokop Sorra në ato vite të veprimtarisë së tij, siç pati kënaqësinë ta njohë në një lagje të varfër të Kavajës, im atë, panë se si tingullin e ngrohtë të violinës,me përkushtim e kish vënë në shërbim të popullit dhe të atdheut. Ai kish tretur në ata tinguj ndjesitë atdhetare dhe patriotike,duke u përballur me sundimin obskurantist zogollian, pushtuesit nazi-fashist, gjer në pragun e çlirimit të atdheut. Ndonëse shpirti i violinistit pushoi së kënduari në atë ditë vjeshte në kampin e Zemunit, në pragun e çlirimit të atdheut, violina e tij në mendjet, zemrat, shpirtin e çdo shqiptari mbeti e rimëshiruar në personin e vetë Prokopit. Ai shkrepte si rrufe në agimin e ri shqiptar. Në mendjet e bashkëkohësve dhe të pasardhësve mbeti po ai Prokop Sorra, i cili mbaroi Konservatorin në Rumani, mbeti i papunë nga qëndrimi indiferent i zyrtarëve qejflinj, të “ahengxhinjve” të pashkollë. Por dëshira për të realizuar ëndrrat, nuk ju fashit. Shembulli i një morie intelektualësh patriotë dhe pikërisht i artistëve të tillë Tefta Tashko Koço me shoqet e saj, u bënë nxitje e frymëzim.

Pas shumë sorollatjesh, më 1935 u emërua mësues muzike në Normalen e Elbasanit. Me lojën mjeshtërore në violinë, nxënësit u bënë miqtë më të dëshiruar të mësuesit të ri. Me ndihmën e drejtorit të shkollës A.Xhuvani, Prokopi arriti të siguronte një komplet veglash muzikore, duke arritur të krijojë një kuintet harqesh. Gëzimi që i madh në radhën e nxënësve. Normalja po bëhej me një formacion dinjitoz orkestral, mbi bazat e një kulture të gjerë muzikore. Por nuk arriti të realizojë plotësisht ëndrrën aq shumë të dëshiruar, sepse “fansat” e ahengxhinjve e transferuan mësues kënge në Berat.

Në qytetin e njëmijë e një dritareve, krahas notave muzikore ai nisi t’u mësojë nxënësve këngë patriotike. Kalvari i tij u ndal në Gjirokastër, ku pushtuesit fashistë italianë më 1940 e pushuan nga puna këtë arsimtar të pabindur”. Prokopi konservatorist, i pa punë kthehet tek të afërmit e tij në qytetin e Kavajës. Atdheu lëngonte nën thundrën e pushtuesit fashist. Kjo e ndrydhte shpirtin prej artisti të violinistit, por kurrsesi nuk e hodhi në vaden e dëshpërimit dhe as e gjunjëzoi te armiqtë. Krismat e pushkëve çlirimtare të Babë Myslimit, në kodrat e Kryeziut, Çikalleshit, Mushnikut, Gërmenjit, u bënë balsam shprese për të. Formimi i PKSH, krijimi i celulës në Kavajë ,takimi me simpatizantë, korrierë e agjitatorë të Çetës së Pezës e entuziazmoi dhe i rriti shpresat për një Botë të Re. Kjo botë e re ushqehej nga qëllime fisnike ,nevoja e bashkimit të popullit tonë në një front të vetëm antifashist Nacional –Çlirimtar. Këto ia ngritën lart ndërgjegjen duke e brumosur me nocionet politiko-patriotike. Prokopi në atë lagjen e varfër vllahe të Kavajës, mes varfërisë të skajshme ,formoi një kor me të rinj,bij patriotësh të Kavajës. U mëson atyre këngë partizane dhe revolucionare për t’i përhapur më pas në mbarë masat e popullit. Violina e Prokopit filloi “Shkrep me flakë porsi rrufeja”. Në demonstratën e bukës të Kavajës më 25 prill 1942,bashkë me pjesëtarët e orkestrës frymore të qytetit u radhit në një front dhe Prokopi. Violinisti i diplomuar në konservatorin në Rumani, jo vetëm që e dendësoi veprimtarinë e tij muzikore –patriotike por u bë dhe një propagandist i flaktë, duke përhapur besimin në fitore nëpërmjet “plumbave” të solfezhit ndaj nazi-fashizmit, fitores së vegjëlisë në çlirimin e vendit. Ndonëse, ngushtë nga ana ekonomike ai gjeti të holla për të blerë disa instrumente muzikor për orkestrën frymore. Ai ngulmonte që çlirimin e vendit ta priste me tinguj muzikorë në botën e re që po agonte. Ai që luftoi me gjithë fuqinë e shpirtit për këtë botë të re tingullin e atyre instrumenteve, për të cilat dha gjithçka nga vetja e tij, nuk e dëgjoi, por e la të qëmtuar në pentagramet e kohës, ta dëgjonin brezat veteranë e pasardhës të tyre në vitet që do të vinin. Në vjeshtën e vitit 1944 nazistët gjermanë me mbështetjen e kuislingëve “ahengxhinj”, e kapën në befasi prapa një kopshti me korin e fëmijëve, nën kurorën e zhveshur të një peme. Prokopin e arrestuan, e çuan në kampin e përqendrimit në Zemun. Atje, zemra e tij pushoi së rrahuri nga torturat naziste, por tingulli i violinës, zëri i tij dhe i fëmijëve koristë, që aq shumë i deshi, shpërthen në qiellin shqiptar duke: “Shkrep me zjarr porsi rrufeja…”

*Shkrimtar, Pasardhës veterani