Takimi i Mehmet Shehut me përfaqësuet e fshatrave të Cakranit

2037
Sigal

Takimi i rëndësishëm i Mehmet Shehut me përfaqësuesit e fshatrave të Cakranit, te Gropa e Mihajve në Cakran

 

Duhet të lartësojmë 30 dëshmorët e Mallakastrës në Luftën e Dytë Botërore

Në zjarrin e Luftës Nacionalçlirimtare u përfshi i gjithë populli i Mallakastrës, në rrethana e momente të ndryshme. Çizmja e pushtuesit dhe veprimtaria e bashkëpunëtorëve me të, kishin ngjallur urrejtjen masive të popullit, ndaj ai ishte i përfshirë në përkrahje e veprimtari konkrete në Luftën Çlirimtare.

Duke qenë se Lëvizja Nacionalçlirimtare po merrte hov, sidomos pas aktiviteteve të dendura për krijimin e njësiteve guerile, këshillave nacionalçlirimtar, çetave partizane, çetave territoriale, këshillat e gruas antifashiste dhe të rinisë antifashiste, pushtuesi italian, thirri në një takim në Fier më 17 shkurt 1943, parinë e Mallakastrës. Në këtë takim merrte pjesë nënprefekti i Ballshit Idajet Lekdushi, Bektash Cakrani, Qazim Selfo, Eqerem Peshkëpia etj. Kjo “pari”, nën drejtimin e komandantit italian të qarkut Enriko Kualia, lidhën një marrëveshje tradhtare, në dëm të popullit e vendit, në përkrahje të pushtuesit, me synimin për të penguar e asgjësuar luftën ndaj armikut. Aty u ra dakord për një vendim me 8 pika, të cilat bënin “parinë” e Mallakastrës, kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar i të cilit deri në atë kohë ishte Bektash Cakrani, të angazhoheshin aktivisht për ta penguar e asgjësuar Luftën, duke iu kundërvënë forcave lëvizëse të Luftës Çlirimtare.

Fronti Nacionalçlirimtar i Mallakastrës, me në krye Mehmet Shehun

Fronti Nacionalçlirimtar i Mallakastrës, me në krye Mehmet Shehun e pamposhtur, sa e mori vesh këtë marrëveshje tradhtare, e dënoi ashpër, nuk e njohu dhe nisi sqarimin masiv të popullit për dëmin që i sillte kjo marrëveshje luftës për çlirim. Ndaj Mehmet Shehu organizoi një takim me përfaqësuesit e fshatrave të Cakranit, te Gropa e Mihajve në Cakran, dhe mandej më 7 prill 1943 në Qafën e Kashit u organizua takimi tjetër ku u dënua ashpër tradhtia e bashkëpunëtorëve me pushtuesin italian dhe u përjashtua nga detyra e kryetarit të Këshillit Nac.Çl. të Mallakastrës Bektash Cakrani e në vend të tij u zgjodh Nuredin Aliu.

Sido që Fronti NÇl me Mehmet Shehun në krye mori masa të shumta organizative luftarake e mbrojtëse, pushtuesi me veglat e tij tradhtare, sidomos me bandën kriminale të Isa Toskës, në muajt maj- korrik 1943 ndërmori një operacion të egër ndëshkues kundër popullit të Mallakastrës.

Isa Toska, nisi masakrat ndaj popullsisë

Isa Toska, nisi masakrat ndaj popullsisë dhe u vuri shtëpive dhe gjithë prodhimeve bujqësore zjarrin; grurë, misër e gjithçka që populli priste të grumbullonte për t’u ushqyer u asgjësua. Drejtimet e sulmit të bandës së Isa Toskës dhe forcave fashiste ndaj Mallakastrës ishin: Patos- Ballsh; Patos – Gjorgos, Cakran, nga Berati- Sinja- Mallakastër; Rroskovec- Mallakastër etj. Masakra ishte e egër dhe shfarosëse. Forcat Nacionalçlirimtare, me të gjithë përbërësit e saj, organizuan luftën mbrojtëse dhe e prisnin dhe godisnin armikun ku të mundeshin. Por bandat sulmuese ishin të shumta dhe të armatosura rëndë, prandaj dhe dëmet që bënë ishin të jashtëzakonshme. Popullsia e pambrojtur, si pleq, gra e fëmijë morën detyrë të largoheshin nga banesat dhe të shkonin muhaxhir ku të mundeshin, nëpër miqësi e vende që ndodheshin jashtë rrezikut.

Ndër pikat mbrojtëse ku çetat territoriale prisnin armikun ishte ajo e Qafës së Shkallës, ku mbronin çeta territoriale e Cakranit dhe e Vreshtasit. Gjatë luftimeve të forcave territoriale dhe atyre militaro-fashiste pati të vrarë, të plagosur dhe të kapur rob.

Nga çeta territoriale e Vreshtasit u zunë 5 robër: 1. Rustem Haxhiaj- komandant i çetës se Vreshtasit, 2. Zenel Haxhi Haxhiaj, Bektash Brahim Haxhiaj, Daut Brahim Haxhiaj dhe Hysni Ismail Haxhiaj. Nga çeta territoriale e Cakranit u zunë dy robër: 1. Sulo Hasan Gropasi, 2. Osmën Merko Canaj. Të shtatë këta fshatar, forcat kriminale të Isa Toskës me ato fashiste, i çuan në qendër të Cakranit, i mbyllën në një kasolle kashte dhe u vunë zjarrin, ku u dogjën të gjallë.

Në Varibop, gjatë luftimeve mbrojtëse në kufirin Cakran-Varibop. forcat fashiste me ato të Isa Toskës kapën 6 vetë: 1.Muço Dano Selimaj, të cilit i prenë kokën në prani të bashkëfshatarëve, 2. Qani Xhelo Lulajt, 3. Qerim Jonuz Selimaj, 4. Skënder Velo Velaj, 5. Seit Haxhi Lulaj. 6. Kadri Xhepo Alibeaj.

Në frontin Selisht-Gjonç-Tojkan, ku forcat territoriale të Gorishovës, Gjonçë-Selishtës, Buzmadhit, Vreshtasit dhe një pjesë e çetës së Cakranit, ku u organizua një luftë mbrojtëse e furishme e ku plumbat binin si breshër, zgjati 24 orë. Forcat sulmuese të armikut ishin të shumta dhe me të gjitha llojet e armëve e teknikës luftarake, ky raport i shumëfishtë i pushtuesve bëri që ta thyenin rezistencën mbrojtëse. Aty pati shumë të plagosur e të vrarë nga të dyja palët ndërluftuese. Në këtë zonë u bë terror, rrahje, ngarkesa me arka municioni dhe më në fund i pushkatuan. Nga Gjonç-Selishta u kapën e asgjësuan 4 veta: 1. Çule Furreri, 2. Tili Goliku, 3. Miti Goliku, 4. Aqif Ganiu. Nga çeta e Gorishovës, përveç të plagosurve u kapën robër 12 veta: 1. Harun Muhamet Alushaj, 2. Husni Ceno Kalemaj, 3. Refit Mehmet Sinani, 4. Ismail Osmën Seitaj, 5. Jonus Nure Begaj, 6. Luto Jemin Begaj, 7. Hazis Feti Karosi, 8. Muharrem Hyso Seitaj, 9. Islam Braçe Begaj, 10. Hazbi Braçe Begaj, 11. Maliq Ferat Tahaj, 12. Ramis Ferat Tahaj. Të gjithë këta u pushkatuan në Qafën e Drenovës. U kapën robër edhe dy gorishovas të tjerë, por në momentin që ata do të pushkatoheshin, mundën të largoheshin në pyll e t’i shpëtonin ekzekutimit. Po në këto rrethana janë vrarë edhe banorë të tjerë, siç ka qenë rasti i Asllan Llanajt, i cili duke qenë në detyrën e vëzhguesit të çetës vullnetare, me armë në dorë më 20 tetor 1943, kur ndodhej mbi shtëpitë e Spahinjëve diktohet nga nazistët dhe qëllohet nga një largësi prej 100 metrash dhe vritet. Po atë ditë nazistët vranë edhe Hekuran Bregasin. Në të tilla rrethana janë vrarë edhe në Kreshpan dy banorë të këtij fshati: Rrapush Ibrahim Muskaj dhe Imer Kodhel Myrtaj.

Respekti për të rënët

Të gjithë banorët e mësipërm të zonës së Cakranit janë vrarë në luftë, duke qenë në përbërje të çetave territoriale dhe nga dora e pushtuesit apo e bandës së Isa Toskës, si bashkëpunëtorë aktiv i pushtuesit. Si të tillë ata meritojnë me shumë të drejtë e ligjërisht statusin e Dëshmorit të Atdheut, sepse gjaku që ata derdhën ka vaditur tokën mëmë e janë pjesë e përpjekjeve për liri.

Ne kemi edhe raste të tjerë që ndonëse e kanë dhënë jetën në luftë e në mbrojtje të trojeve shqiptare, nuk janë vlerësuar e t’u jepet titulli i Dëshmorit. Të paktën sa di unë në Kreshpan ka rënë në luftën e Janinës Serjan Tahiraj, i ati i Barjam Serianit, kurse Sako Demiri ka ngelur i plagosur dhe ashtu ka ardhur prej andej me shumë mundime pas gati dy muajsh.

Prandaj, lufta e tyre dhe gjaku i derdhur jo vetëm nevojitet të kujtohet e respektohet prej nesh, por është në nderin e organeve përkatësi t’u njohë të drejtën e statusit të Dëshmorit të Atdheut.

Me të drejtë e ka ngritur këtë problem disa herë Kryetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare Cakrani, Zoti Asqeri Llanaj, i cili sakrifikon, evidenton dhe punon për vlerësimin në lartësinë që meritojnë ata që derdhën gjakun e tyre në altarin e lirisë.

Në shenjë mirënjohjeje e respekti,

 

Sulo Hasim Tahiraj  – Publicist

Jashar Feçorr Tahiraj – Veteran dhe kryetar i veteranëve, Kreshpan