Sulo Gradeci: Ja ku ndryshon Enveri nga Zogu, Konferenca e Paqes,Traktatin e Varshavës, Kosova dhe Çështja e Detit   

689
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Rrëfimi i kolonel Sulo Gradeci, shefi i Sigurimit të Sekretarit të Parë të PPSH-së, njeriun që i qëndroi pranë dhe u përkujdes për jetën e Enver Hoxhës, tridhjetë vjet me radhë”

I ndjek të gjitha zhvillimet në politikën shqiptare, edhe pse është i mendimit që detyrimet e tij si njeri në politikë i ka mbyllur qysh në vitin 1990. Por kjo nuk do të thotë që të ndërrojë kanalin e televizorit teksa jepen lajmet e ditës, ku më së denduri jepen veprimtaritë e partive dhe qeverisë së bashku. Por nuk mund të heshtë e të rrijë pa reaguar as në rastin e debatit mbi “Historinë e Shqipërisë” dhe as për iniciativën e kthimit të eshtrave të Ahmet Zogut në Shqipëri. “Ahmet  Zogu nuk i fshehu, por i demonstroi qëllimet e veta antishqiptare, herë duke ekzekutuar patriotë si Bajram Curri, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi, Riza Cerova dhe Muço Kapinova herë duke shitur toka siç ishte perla e Shën Naumit e, më në fund, duke e grabitur dhe duke e lënë Shqipërinë në duart e të huajve”, shprehet për “Telegraf” ish shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, për të vazhduar më pas:

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Thoni se mund t’u kuptojnë zogistët?

– Është e drejta e tyre. Nuk e pres një gjë të tillë. Është në të drejtën e tyre t’i ofrojnë Ahmet Zogut shërbimet e veta, por nuk mund t’i lajnë mëkatet, sepse ai asnjëherë nuk bart barrën e zhvillimit kombëtar shqiptar.

– Ju mendoni se në kohën e Ahmet Zogut, makineria e mbretërisë së tij nuk ishte në gjendje të bënte ndonjë gjë të madhe?

– Për atë kohë dhe për ato mendje, s’mund të lihet pa përmendur angazhimin e tij për përkthimin e Kodit Civil, adoptimi i tij dhe ndërtimi i Urës së Matit. Tjetër gjë s’më kujtohet, as mund të ketë.

– Në krahasim me ç’përmendore u ngrit në Burrel, a e ndjeni të arsyeshme ngritjen e një shtatoreje për Enver Hoxhën?

– Nuk mund të jem unë i vetmi që e kërkoj atë, por për hir të së vërtetës ajo, shtatorja e Enver Hoxhës është ekzistente dhe dëshmohet me pavarësinë e pacenuar të Shqipërisë, me guximin dhe plotfuqishmërinë për të stigmatizuar të gjithë ata që nuk e linin Kosovën të bashkohej me Shqipërinë-Nënë, dëshmohet me trimërinë dhe burrërinë e tij në Konferencën  e Paqes në Paris, kur u mblodh UNO-ja, dëshmohet me largimin e bazës ruse nga Vlora, me daljen nga Traktati i Varshavës, me hidrocentralet radhë-radhë, me tokat e qëndisura, me brezoret e mbjella me agrume (Lukova konsiderohej mrekullia e tetë e botës), me kënetat e thara, me eliminimin e sëmundjeve të malarjes, me flotat detare (ushtarake apo civile), me minierat dhe uzinat (tanimë të shkretuara) me solidaritetin vëllazëror Veri-Jug (tanimë aq shumë të lënduara), me hekurudhat. E të tjera. E të tjera. Më thoni, ju lutem, ngjarjet që po përjetojmë me gjendjen në sektorin e shëndetësisë, (të sëmurit i duhet të blejë vetë ilaçet dhe të marrë me vete çarçafët), në fushën e arsimit (studentët i duhet të paguajë mbi dorë dhe nënë dorë, pa e ditur se ku do të punojë të nesërmen), në sektorin e bujqësisë (fshatarit i duhet të prodhojë, por nuk e di se ku ta shesë prodhimin, pasi fqinjët e “bombardojnë” me prodhimet e veta).., a nuk janë fletëdenoncime penale për politikën aktuale? A nuk janë këto disa nga arsyet që dje nuk na shqetësonin, ndërsa sot na zemërojnë? Nuk është vështirë të konstatosh mjerimin shëndetësor në fshatra, jo më pak mjerimin e gjendjes së shkollave, tamam sikur të ishte koha e Mësuesit të Popullit, Ndrec Ndue Gjoka. Numri më i madhe i shqiptarëve është në emigracion (shyqyr, pa emigrantët do të ishte një gjendje katastrofike), por mos harroni ata qindra të rinj që ikin me këmbë dhe kthehen pa kokë…! Pra, a nuk jemi një komb që shpërndahet në botë? E tani, ju, në sajë të këtyre të dhënave, thuani se çka tregon një pozitë e jona e tillë: a tregon a s’tregon se ka varfëri të skajshme, se s’ka punë, se ka analfabetizëm, se prodhohen aq shumë pohime të marra, brutalitete, shantazhe, kërcënime? Nuk e besoj kurrë se këto mund të ndodhnin dje në këtë farë feje. Atëherë, a nuk qëndron e ngritur shtatorja e Enver Hoxhës, interesat e të cilit ishin të lidhura vetë, me Shqipërinë, për të mirën e saj?

– Ndërsa për të sotmen, jeni krejtësisht i brengosur?

– Shqipëria nuk e ka pasur të lehtë udhëtimin e saj: Ka pësuar tragjedi, ka duruar shumë plagë, ka derdhur gjak, ka derdhur lot, por ka ecur edhe përpara. Ka ndryshuar edhe Shqipëria, duke u përpjekur që të bëhet më e mirë, më e gjerë. Ka pasur ngritje, por ka pasur edhe rënie në çarqet e korrupsionit, të krimit të organizuar, ka pasur edhe dështime, zhgënjime, dëshpërime të thella për vrasje e rrëmbime, për degdisje vajzash në shtëpitë publike evropiane, por ka pasur edhe rrugë të reja. Pavarësisht se ato janë zgjeruar e shtruar me asfalt mbi themelet e hapura që në kohën e Enver Hoxhës, ato janë një sukses.

– Sekreti: Trinitrina që e ndihmonte në takimet protokollare

– Gjithë çështja ishte që përveç njerëzve shumë të afërt dhe të besuar, askush tjetër të mos e merrte vesh se Enver Hoxha kishte pasur probleme të rënda me shëndetin. Dhe kështu u bë. Madje, në kushte aspak të mira, (për të mos dekonspiruar një element të tillë që mund të krijonte panik) Enver Hoxha ka pritur kryeministrin e Republikës Demokratike të Vietnamit, Fam Van Dong, ndërsa dhoma ku ai qëndronte për t’u kuruar, u shndërrua në një zyrë pritjeje për këtë rast të veçantë. Në kujtimet e tij, Sulo Gradeci, thotë se askush nuk e mori vesh gjendjen e rënduar të Enver Hoxhës, ndërkohë që në përgjim ishin të gjitha agjencitë e huaja të interesuara për një lajm të tillë. “Me trinitrinë në gojë, me rrezikun dhe mundësinë e një ataku tjetër të mundshëm, ai nuk u tërhoq nga punët”, shkruan Sulo Gradeci. Pikërisht pak kohë pas përballimit dhe stabilizimit të gjendjes së rëndë, Enver Hoxha rikthehet tërësisht në krye të detyrës. Por gjithsesi, nuk do të ishte si më parë. Ndërsa Sulo Gradeci thotë se Partia kishte dhënë orientime të veçanta për ruajtjen e shëndetit të Enver Hoxhës, madje për një gjë të tillë u morën disa vendime të posaçme. Sipas tij, interesimi i drejtpërdrejtë i marrjes së masave për sigurimin e jetës së Enver Hoxhës u bë nëpërmjet Hysni Kapos.

– Aparaturat dhe medikamentet

– Sulo Gradeci kujton se një varg masash u morën menjëherë nga Komiteti Qendror dhe nga qeveria. “U koordinua puna e shërbimit të Sekretarit të Parë me gjithë sektorët e tjerë që inkludoheshin në këto veprime, si edhe me Gardën e Republikës e Drejtorinë e Pritjes. Në mënyrë të veçantë bashkëveprimi ishte me Klinikën Speciale që mbante dhe peshën kryesore. Në atë kohë, mjekëve iu krijuan kushte shumë të mira për të qenë sa më afët vilës së Enver Hoxhës”, thotë Sulo Gradeci. Madje ai thotë se bashkëpunimi me ekipin mjekësor ishte një nga detyrat kryesore, ndërsa çdo kërkesë e tyre plotësohej në kohën e duhur e pa ekuivoke. Plotësimi i këtyre kërkesave fillonte që me blerjen e aparaturave dhe medikamenteve. “Porosia e Hysni Kapos ishte që asgjë nuk duhej të mungonte. Bashkëpunimi i parë u bë me Pavllo Milon, drejtorin e Klinikës Speciale, ku u siguruan një sërë aparaturash bashkëkohore”, tregon Sulo Gradeci.

– Mjekët nga Franca e Kina. 11 kinezë vizitojnë zemrën e Enverit

– “Lidhur me situatën e krijuar në shëndetin e Enver Hoxhës, Komiteti Qendror dhe qeveria shqiptare morën edhe një sërë masash të tjera. Kështu për shembull, në Shqipëri erdhi një ekip prej 11 mjekësh kinezë (të specialiteteve të ndryshme) të kryesuar nga profesori Çu. Por u bashkëpunua edhe me një ekip francez ku u angazhua profesor Miliezi. Pikërisht ky ekip do të ishte i gatshëm pothuaj deri në fund të jetës së Enver Hoxhës. Gjithsesi të dy këto ekipe; kinezë apo francezë, bashkëpunuan ngushtë me mjekët shqiptarë”, shprehet Sulo Gradeci.

– Shqetësimet e tjera

– Solo Gradeci kujton se që prej atakut të parë në vitit 73, Enver Hoxha ka kaluar disa probleme shëndetësore me zemrën e tij. “Kështu ndodhi për shembull në 26 maj 1984. Atë mbasdite, rreth orës 15.30, njoftohemi se ishte dhënë sinjali për grumbullimin urgjent. Ky ishte sinjali më alarmant, kur ndodhte diçka e rëndë. Diçka e keqe po ndodhte me zemrën e komandantit”, shkruar Sulo Gradeci në kujtimet e tij. Gjithsesi, në shërbim të afërt të Enver Hoxhës ishte vënë edhe një makinë me një mjek dhe mjetet e nevojshme për të përballuar çdo situatë të mundshme. Kjo makinë qëndronte poshte zyrës së Enver Hoxhës, në Komitetin Qendror. Por, dhe nëse Enver Hoxhës i duhej të lëvizte, makina ambulancë duhej të ishte në dispozicion të tij. Gjithashtu Sulo Gradeci thotë se “përveç ndjenjës së lartë të dashurisë dhe gatishmërisë, nuk ishim në gjendje të bënim gjë, por detyrat që na takonin ishin: rritja e vigjilencës, forcimi i bashkëveprimit midis mjekut, infermieres, punëtores, rojes, gjer në përsosmëri”.

– Mund të më thoni diçka rreth zhurmës që bëhet për ndarjen e territorit të detrave?

– Meqenëse ky problem është hapur, nuk e kam të vështirë të disponohem. T’u them se vendi s’ka zot? T’ju them se kjo është një ekspeditë ndëshkuese, e ngarkuar me interesa tej interesave shqiptare? T’ju them se kjo është një sjellje vandale për të arritur synime e ndryshime në kurriz të Shqipërisë? Është e qartë se “kalemat” dhe “kompaset” e sotshëm nuk pinin ujë dje. Megjithatë, unë ju përsëris se Shqipëria ka pasur dhe ka burra të mençëm dhe të fortë. Dhe në këtë kuptim, vetvetiu shtrohet një pyetje: Si do të duhet të mbrohet vendi, në çfarë kushtesh politike dhe kushtetuese juridike, fati i saj do të vazhdojë të mos cenohet? Duke mos e quajtur të mundshëm që, në një intervistë të tillë, në disa minuta ta shkoqis çështjen më gjerësisht, po them sa vijon: si popull dhe si komb e kanë fatin në dorë shqiptarët, fatin s’ta mbrojnë të tjerët, të tjerët vetëm të ndihmojnë. Historianët dhe ekspertë të shkallës së lartë të qytetërimit bashkëkohor kanë të drejtë të thonë me kompetencë fjalën e tyre. Si gjithmonë edhe tani vlen e vërteta: sa më shumë miq, aq më mirë, por çdo pëllëmbë toke mund ta mbrojmë me mendjen, me djersën tonë. E vërteta nuk do të preket, e drejta nuk mund të shtyhet, por nuk ka përse të nxitojmë në konkluzione. Asgjë e madhe nuk bëhet shpejt. Historia na mëson se nxitojnë, gjithmonë nxitojnë dhunuesit, të cilët në shpejtësi imponojnë pa drejtësinë, shfrytëzimin e të vegjëlve, të të pambrojturve.

– Si i vlerësoni mesazhet e dhëna nga politika për Kosovën?

– Çështja e Kosovës ka qenë dhimbja më e madhe për Enver Hoxhën. Sa e sa herë e ka mprehur penën kundër dhunës serbe! Kur fliste Enver Hoxha për Kosovën ngrihej me këmbë edhe më i moshuari, gëzohej edhe fëmija në djep, “Mos i mbyllsha sytë pa e parë Kosovën të lirë e të bashkuar me Shqipërinë”, tha ai në një miting të zhvilluar në Krujë dhe në një tjetër në Bajzë të Shkodrës. U nda nga jeta me këtë merak, me këtë ëndërr. Kosovarët nuk harruan t’i dërgonin një tufë me karafila bashkëshortes, Nexhmije Hoxhës dhe një letër, ku i shkruanin: “Ne do të luftojmë, ne do ta kryejmë ëndrrën Tuaj dhe Tonën!” Ajo, atë ditë të rëndë prilli, e vuri atë tufë karafilash mbi trupin e tij dhe i tha: “Enver, Kosovarët të kanë dërguar një tufë me karafila që aq me dashuri i prisje vit për vit në festën e një majit dhe të japin premtimin se Shqipëria do të bëhet!” Dhe në të vërtetë erdhi dita e lirisë për të cilën shqiptarët e Kosovës patën edhe ndihmën e Amerikës, personalisht të presidentit Bill Klinton, të dhe bac Enver Hoxha, edhe të bac Adem Jasharit sipas mendimit tim është në nderin e Kosovës që do ti ngrihet monumenti i Bill Klintonit në Prishtinë në nëntorin e këtij viti. Që të vijë te pyetja juaj se si i vlerësoj mesazhet e dhëna nga politika për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, unë i mbetem besnik fjalës së Enver Hoxhës. E ka thënë Ai. E ka thënë e shkruar njëzëri rinia kosovare me gjakun e saj. Tjetër rrugë nuk ka. Kohë ka edhe pak: po vjen njëqind vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Mos është kjo dita më e përshtatshme?

– A ka qenë i mjaftueshëm aktiviteti i shtetit tonë për bashkëkombasit?

– Edhe po, edhe jo. Për shkak të politikës të atyre që vazhdojnë të shohin ëndrra me syhapur për Kosovën, do të duhej (sipas meje, e) një politikë ndryshe dhe e orientuar më fort për njohjen e saj nga shumë vende të tjera, do të duhej një ndikim shumë më i madh. Por vonë nuk është kurrë. Ja, rruga Durrës-Kukës është një ndërmarrje e suksesshme që dëshmon se “vonë nuk është kurrë”.

– Ju jini bërë edhe objekt shkrimesh si enverist. A e keni ngritur zërin e mospajtimit, apo keni heshtur? E në vazhdim të kësaj pyetjeje: E keni mbrojtur Enver Hoxhën?

– Nuk dëshiroj të flas për veten time, për arsyen e thjeshtë, se e kam pasur për nder të më quajnë enverist, i barazvlefshëm me një shqiptar të ndershëm e të përkushtuar për vendin tim. Veçse, sa më takon mua, më vjen keq për burgosjen time, me çka kam përjetuar në qeli si shprehje e hakmarrjes politike. Nuk dëshiroj të flas për veten time për arsye se skuqem, kur shoh të paraqiten si heronj e si viktima, ata që bashkëpunuan me fashizmin, ata që përgatitën kurorën për Viktor Emanuelin, ata që vranë heronjtë e Shkodrës, heroinat e Mirditës, skuqem nga turpi kur shikoj të shkulen e përdhosen monumentet, bustet e heronjve të ngritur në pidestale. Nuk dëshiroj të flas për veten time, për arsye se kanë filluar të tregohen patriotë të mëdhenj ata që i kanë bërë gjëmën këtij vendi martir. Por do të doja të bëja të mundshëm vazhdimin e dialogut me ju, duke mos u rezervuar për asnjë gjë, për të folur për Enver Hoxhën. Kur dikush tjetër ka kurajë e fytyrë të mbrojë  Hamit Matjanin, Isa Toskën, dhjetëra bashibozukë e derdimenë të zezë në shpirt e në të bëma, unë duhet të trembem e të mos flas për Enver Hoxhën? Do të flas dhe do të shkruaj sa të kem frymë. Enver Hoxha është Enver Hoxha. S’bën më nëna tjetër, jo. Ai do t’i bënte proceset demokratike ndryshe, më mirë, pa gjak, pa i dërguar shqiptarët në fund të detit. Nuk do të rrinte se s’ka ndenjur në një vend ai. Kur e thërriste zëri i popullit për ndryshim, për zhvillim, më shumë se kushdo, ai ka qenë i pari në ballë të luftës, në ballë të punës, në ballë të patriotëve, për t’i qëndruar besnik edhe rilindasve si: Naim Frashëri, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Isa Boletini dhe shumë të tjerë që u shkrinë si qiriri për Shqipërinë. Këtë e dëshmoi me profeci, me diplomaci, me Shqiptarizëm. Është tjetër puna që nuk e dëgjuan, që nuk e besuan. Nuk mund ta di saktësisht, kur dhe deri ku arriti ndërhyrja e Enver Hoxhës për dialog. Vetëm duke e lexuar të vërtetën që thonë amerikanët dhe anglezët, pak e nga pak, do të mirëkuptohet dhe do të vlerësohet kontributi i jashtëzakonshëm i Enver Hoxhës. Çdo gjë e mirë e tij do të dalë në dritë. Gjithnjë në dobi të Shqipërisë, artikulohen mendimet dhe dëshirat, sakrificat dhe përballjet, vigane sepse përvoja historike tregon se asnjë lëvizje kombëtare nuk ka fituar duke i mohuar, duke i maskuar, por duke i artikuluar denjësisht idealet e shenjta: lirinë, pavarësinë.