Tentuan të grabisnin një banesë në Fier, por plagosën kushëririn e familjes, arrestohet një prej autorëve

47
Sigal

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit, pasi ishte shpallur në kërkim në lidhje me një tentativë vjedhje, ku ngeli i plagosur një i afërm i familjes që ishte pikasur për t’u vjedhur.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet A. Gj., 30 vjeç, banues në Mirditë (i proceduar penalisht më parë për “Shkatërrim prone”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Armëmbajtje pa leje”, si edhe i dënuar më parë në Angli, për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”).

TENTATIVA E GRABITJES

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 10 shkurt 2021, në Roskovec. Si rezultat i punës intensive profesionale operative dhe hetimeve të pandërprera është dokumentuar me prova shkencore autorësia e një prej personave të përfshirë në këtë ngjarje. Sipas policisë, katër persona të maskuar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit me inicialet A. Ç., 57 vjeç dhe për pasojë mbeti i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi A. Ç, 47 vjeç.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.