Si i koleksiononte, përdhunonte e torturonte të dashurat diktatori Musolini

1131
Sigal

Rrëfim i Rajna Kovaçit në librin e saj “Diktatorët, burra të pangopur me gra”

“E dashura më Besnike, Klara Petaçi, u bë mburojë plumbash në pushkatimin e tij”

Benito Musolini nuk pati kurrë asnjë mik në jetën e tij. Por ndërkaq tërë jetën, nuk i mun guan adhurueset, dashnoret dhe mikeshat, të cilat u bënë pre e përdhunimit, torturave e braktisjes nga ana e tij…

AVENTURAT E PARA

..Dy vjet në Zvicër, për Musolinin kaluan me peripeci nga më të ndryshmet… Pas pak kohe e arrestuan për vagabondazh. …Në janar të vitit 1905 kthehet në Itali për të vazhduar shërbimin ushtarak në Verona deri në shtator të vitit 1906. Në këtë kohë i vdes e ëma. Musolini nuk u kthye tek i ati, por punoi si mësues në Tolmexo, fshat në kufirin zviceran për nëntë muaj nën vëzhgimin e policisë. Për vajzat e fshatit dhe për nxënësit, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një tiran. Në këtë fshat Musolini pinte’ shumë dhe mori shumë borxhe. Në këtë kohë ai u infektua nga një sëmundje veneriane. E mori nga një grua e martuar, “që ishte më e madhe se unë dhe si gjithë të tjerët më donte marrëzisht…” Në fund të vitit shkollor, autoritetet e dëbuan si të padëshirueshëm … Në vitin 1908 Musolini përsëri filloi punën si mësues, në një ndër shkollat në Onelit të Rivierës. Pas disa vitesh ai tërhiqet nga puna si mësues dhe i kthehet pasionit të tij për politikën…

MARTESA ME RAKELËN

… Me socialisten ruse Anxhelika Ballabanova Musolini ishte takuar disa herë. Ajo qe e para intelektuale socialiste, nga e cila ai u njoh nga afër me socializmin klasik…Në vitin 1909, ai u kthye tek i ati në Forli, ku gjithashtu u bë i njohur si grindavec. Në atë kohë i ati bashkëjetonte me një ish të dashurën e tij. Vajza më e madhe e kësaj zonje, Rakelë Guidi, bëhet më vonë gruaja e Musolinit. Në vitin 1910, Musolini u martua me Rakelën. Ai nuk e linte të shoqen të dilte nga shtëpia, ishte xheloz. Rakela ishte pa interesa kulturore. Ajo nuk e dinte se i shoqi kishte një fëmijë me një grua tjetër. Në vitin 1910, lindi fëmija i parë i Musolinit dhe i Rakelës, një vajzë, Eda. Pas saj erdhën në dritë Vitorio, Bruno, Ana Maria dhe Romano.

DY TË DASHURA NJËHERAZI

Në vitin 1912, Musolini filloi punë në gazetën socialiste “Avanti”. Në të njëjtën kohë Musolini filloi të botonte revistën e përdyjavshme “Utopia”. Zëvendëskryeredaktore të gazetës “Avanti”  Musolini zgjodhi Anxhela Ballabanovën, një grua me karakter të fortë dhe me energji të pashtershme.. Në atë periudhë ai kishte një grua tjetër, ishte Ilda Dalser, me të cilën aty ndahej dhe aty bashkohej për vite me radhë, edhe pasi ndërtoi një familje me Rakelën. Ilda deklaronte se ai i kishte premtuar për martesë dhe që ai po e shfrytëzonte për paratë e saj. Ai qe babai i fëmijës së saj të jashtëligjshëm që dikur e pranoi, por në vitin 1915 ai braktisi si nënën dhe fëmijën dhe i la në varfëri të plotë. Më vonë, për të shmangur ndonjë skandal, ai e mbylli forcërisht Ildën në një klinikë psikike, ku ajo vdiq në vitin 1937.

MIKESHA E TRETË

…Mikesha e tretë për të cilën ai thoshte ” më do marrëzisht” ishte Margarita Salfati. Një milaneze e pasur, kritike arti në gazetën “Avanti”. Më vonë zonja Salfati bashkë me të dashurin kaloi nga socializmi në fashizëm. Shkroi të parën biografi zyrtare të Musolinit dhe u bë redaktore e revistës “Hierarkia”. Marrëdhëniet e tyre zgjatën shumë, e duket se e vetmja rivale kryesore e Rakelës do të ketë qenë Margarita, derisa ai akoma nuk ishte dalldisur pas vajzës së re dhe të bukur Klara Petaçi. Në fund Margarita ra viktimë e ligjeve anti-semiste, të deklaruara nga Musolini.

AVENTURA TË TJERA

…Shumë interesant është fakti se asnjë nga të dashurat e Musolinit nuk ishte aq e bukur sa Klara Petaçi… Në vitin 1913, Musolini u dha pas Leda Rafanelit, një femër e hijshme, e cila më vonë pranoi islamizmin. Me shumë kulturë, ajo kishte një natyrë më të fuqishme se ai. Leda thoshte se: “Musolini nuk më tërheq si burrë, por më magjeps me ekstravagancat e karakterit të tij. Më pëlqen kur më pohon se s’kam nevojë për dashnore, por veç për një grua- ndihmëse të talentuar”. Por edhe Leda me kalimin e kohës e pa se ai nuk e meritonte shumë vëmendjen… Musolini tmerrohej po t’i vinin në dyshim potencialin e tij mashkullor dhe kur u bë diktator, policia e fashos e torturoi barbarisht Ledën dhe i konfiskoi të gjitha letrat që ai i kishte dërguar… Ajo e konsideronte njeri të sipërfaqshëm, dhe përveçse në politikë, në të gjitha fushat e tjera, me përfytyrime të vakta. Gjatë një bisede ai ndërronte disa herë mendim dhe përherë pajtohej me Ledën, çfarëdo që të thoshte ajo. Njëherë i tha Ledës se kishte dashur të bëhej muzikant e shkrimtar i njohur, por hoqi dorë kur u bind se i mungonin aftësitë. E prapë shpresonte të bëhej njeri i madh, emrin e të cilit do e mbanin në gojë të gjithë. “Kam nevojë për pasuri dhe lavdi, dhe dëshiroj të jem zot fatesh.” “Si Napoleoni?- e pyeti Leda me ironi. “Jo më i madh se Napoleoni.” Vetëkënaqej se ishte një Demosten i kohës dhe pohonte se ndihej më i shpenguar në tribunë, se sa në një bisedë private.

ÇIFUTJA VENECIANE

…Margarita Safrani, një çifute veneciane, diti ta shndërronte Musolinin, disi të papërpunuar, në një takticien të frikshëm politik. Benito Musolini kishte vetëm prirje për të koleksionuar aventurat e dashurisë. Më 1925 mbante si të dashur, dhe një të quajtur Romolda, me të cilën kaloi shumë ditë pushimi në pallatin Torlonja, në Fraskati, afër Romës. Ky qëndrim i këndshëm, qe për të tej mase i dobishëm, mbasi me këtë rast, Duçja u njoh me motrën e Romoldës, me Renatën. Kjo e fundit ishte e shoqja e Ruxhero Minardit, bir i një familjeje pronarësh të pasur tokash, me të cilin ajo kishte dy fëmijë. Midis Renatës dhe Musolinit lindi një pasion me pasoja të paparashikueshme. …Por në këtë kohë u dalluan ndryshimet edhe në jetën private të Musolinit. Ai filloi të frekuentonte shpesh e më shpesh restorantet dhe lokalet më të shtrenjta të Milanos… Në dhjetor të vitit 1915, Duçja hyri në ushtri. Gjatë kësaj kohe shkroi librin ” Memuarët e ushtarit”, për të shpalosur ” trimëritë” që gjoja pat treguar në luftë. Në ushtri e graduan reshter.. Në qershor të vitit 1917, Musolini u lirua nga ushtria si invalid, dhe u rregullua sërish redaktor në gazetën “Popolo d’Italia”. … Në 22 tetor 1922 Musolini u zgjodh Kryeministri i 27-të i Italisë.

MUSOLINI KRYEMINISTËR

Musolini si Kryeministër zuri një dhomë në një hotel shumë luksoz në Romë. Pjesën më të madhe të kohës ia kushtonte gazetarëve. Një nga gazetarët që e intervistonin herë pas here ishte edhe zonjusha Sheridan. Musolini sillej shumë mirë me të. Pasi e kishte vizituar shpesh dhomën e tij, ajo pohoi se në dhomën e Musolinit nuk shihje të varur veçse portretin e tij. Ndërsa Ernest Heminguej, gazetar i asaj kohe thoshte se :” Kryeministri i ri interesohet më shumë për titujt, që do të dalin të nesërmen në gazetë se sa për politikën.” Konferenca tjetër për shtyp atë ditë nuk u organizua se Kryeministri ishte në shtrat me një nga të dashurat dhe nuk dëshironte ta shqetësonin. Disa muaj më vonë ai zuri vend në një vilë. … Pushimet i bënte pranë detit Adriatik, në Riçione, jo larg Romës. Atje të shoqes nuk i lejohej të shkonte… Më në fund të shoqen dhe fëmijët i solli në Romë, por i vizitonte shumë rrallë, në ndryshim nga zonja Safrani, për të cilën kishte gjithmonë kohë… E shoqja nuk i shërbeu as kur ishte shumë sëmurë… Pas kësaj ai vendosi kurorë me Rakelën në Kishë. Shtypi filloi t’i bënte një reklamë të madhe familjes Musolini, ku Rakelën e bënë një grua ideale fashiste, punëtore, shtëpiake, të ndershme. Por fotografia e saj nuk doli kurrë në gazetë.

KLARA PETAÇI

Kush ishte Klara Petaçi? Ajo ishte një grua e re me sy të qartë midis të hirtës e të gjelbrës, me trup mesatar, me zë të ulët. Babai i saj ishte mjek i nderuar në kryeqytetin italian dhe e bija, ende adoleshente, kishte rënë në dashuri të fshehtë me udhëheqësin fashist, të cilin kishte pasur rastin ta takonte, në shtator 1933… Për shkak se s’mori një përgjigje sipas dëshirës së saj, ajo u martua, pastaj u nda nga i shoqi dhe zuri një të dashur. Thashethemet arritën deri në veshin e Musolinit, i cili e thirri Klara Petaçin më 1936 në Pallatin e Venecias për ta qortuar rëndë: “Unë ju kam respektuar dhe ju tradhtoni burrin tuaj me të parin që ju del përpara!” Si përfundim ai e bëri Klarën menjëherë të dashurën e vet. Çdo mbasdite, ajo shkonte në Pallatin e Venecias dhe hynte nga porta që hapej në rrugën “Atalli”. Që atje, një ashensor që mezi punonte e shpinte deri në katin e katërt, në apartamentin “Cybo”…

DASHNOR SADIST

Në marrëdhëniet e tij me Klara Petaçin, si dhe me dashnoret e tjera, ai shfaqte haptazi elemente sadizmi… Megjithatë, shumë njerëz e quanin Musolinin vrasës. Gjer në vitin 1925, Musolini mendonte t’u siguronte punë grave. Pastaj ndryshoi taktikë dhe filloi t’i këshillonte gratë, që të rrinin në shtëpi dhe të lindnin sa më shumë fëmijë… Të infektuarit nga sifilizi, me një urdhër të veçantë të Musolinit, dënoheshim. Vallëzimet moderne i cilësonte si amorale, të padenja, shfaqje mëkatesh dhe fëlliqësirash…  Nga fundi i vitit 1942, marrëdhëniet e Musolinit me Klara Petaçin u bënë objekt thashethemesh. Hyneret seksuale të Duçes u bënë legjendë, shumë nga të cilat ishin plotësisht të vërteta… Klara ishte e vetmja bukuroshe nga të dashurat e Duçes. Klara kishte një bukuri mesdhetare me flokë kaçurela. Familja e saj qe implikuar në një sërë transaksionesh të dyshimta financiare dhe Musolini bëri çmos ta mbronte atë nga organet hetimore. Klara ishte dy herë më e re në moshë se Duçja…

FËMIJËT E DUÇES

Por, ç’po ndodhte ndërkohë me familjen e Duçes? Eda, vajza e madhe, nuk e duronte më dot jetesën në një strehë me njeriun, i cili urdhëroi vrasjen e të shoqit, Kontit Çiano. Musolinit i vinte plasje që fëmijët e tjerë i shëmbëllenin së ëmës dhe nuk kishin interesa serioze intelektuale. Kushërinjtë e afërm dhe të largët e mërzitnin duke i kërkuar privilegje të pafundme. Ndërkaq e shoqja, ndonëse me vonesë e mori vesh lidhjen dashurore të Musolinit me Klara Petaçin, xhelozia e saj shpërtheu. Për ditë të tëra ata nuk i flisnin me gojë njëri- tjetrit. Duçja e çoi deri në ekstrem cinizmin e tij, duke ua hedhur larg e larg fjalën shërbimeve sekrete gjermane për t’i sajuar një dashnor Rakelës, në mënyrë që ai t’i ngryste ditët në qetësi me Klarën. Megjithatë ai pohonte se thellë në shpirt e donte të shoqen. Po me fëmijët e Musolinit çfarë ndodhi?. Drama, aventura e fatkeqësi të dhimbshme.. Ja se çfarë shkruan Maria, motra e Sofia Lorenit dhe e shoqja e Romano Musolinit. “Sofia u mundua të më bindte të hiqja dorë nga martesa me Romano Musolinin duke më bërë disa pyetje. ” A është njeri i zoti që të mund t’i plotësojë të gjitha nevojat? A mos vallë është egoist dhe interesohet më tepër për jetën e vet? A ke menduar se çfarë kërkon ti nga bashkëshorti, dhe nëse ky do të jetë Romano Musolini, çfarë kërkon ti prej tij?” Sofia nga ana e vet thotë: ” Në të vërtetë iu luta Maries të mos martohej me Romano Musolinin. S’kisha gjë kundër emrit të tij. Sa për mua, djali nuk ka përse të vuajë mëkatet e babait. Më shqetësonte fakti se meqenëse e njihja mirë Marien, isha e bindur se ajo kishte nevojë për një njeri më të fortë dhe me mendje më të mprehtë se Romano. Ai ishte një pianist xhazi shumë i talentuar, që Maria e kishte takuar në një festival xhazi dhe ma merr mendja se është muzika gjëja kryesore që e tërheq atë drejt tij. Unë konstatova se ai ishte njeri plot me komplekse dhe frenime, ndoshta për shkak të së kaluarës dhe të emrit të tij. Mendova se nuk ishte aspak njeriu që i duhej Maries. Ia thashë, kur më pyeti se ç’mendoja për Romanon”. “Maria nuk i përfilli fjalët e mia. E kishte ndarë mendjen ta bënte këtë martesë dhe nuk e luante as topi. Sidoqoftë, këmbëngulja e saj pati një të mirë. U takova me Rakela Musolinin, gruan e Musolinit. Gjatë gjithë viteve që i shoqi kishte qenë diktator i Italisë, ajo jetonte vetëm, në një qytet të vogël në veri të Italisë. Ishte një nga gratë më të bukura dhe më të jashtëzakonshme që kam takuar. Kjo grua e brishtë, flokëbardhë dhe me sy të kaltër të ndritshëm, në fillim u tregua e kujdesshme. Imagjinoni një yll kinemaje që vjen me një automobil të shtrenjtë. Kur erdhi koha të ndahemi, më kishte pranuar plotësisht. Në fakt, ajo më ftoi të rrija për drekë dhe të dyja kaluam një kohë të mrekullueshme duke gatuar makarona dhe mish në kuzhinën e saj”.

(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)