Si e përballoi Lushnja pushtimin austro-hungarez në vitet 1916-1918

1959
Sigal

Arkiva dhe dëshmi: Patriotët që mobilizuan e udhëhoqën popullin me armë në dorë kundër pushtuesve, hapja e shkollave shqip dhe përplasja me esadistët

Niko FERRO

Muharrem SHARKA

 Çfarë ndodhi në Lushnjë gjatë këtyre viteve? Si ishte gjendja në qytet? Ushtritë austro-hungareze, në ndjekje të ushtrisë serbe hynë në Shqipëri, në janar 1916. Ato pushtuan me radhë, Shkodrën, Tiranën, Elbasanin dhe në shkurt Durrësin. Hyrja e ushtrisë austro-hungareze në vendin tonë, përkonte me situatën që ishte në favor të tyre dhe në këtë kohë ata patën disa suksese. Atyre nuk iu bë ndonjë qëndresë e armatosur, por u pritën si një e keqe më e vogël. Natyrisht, kjo pritje ishte rezultat i disa faktorëve që anonin në favor të pushtuesve të rinj, në krahasim me pushtuesit e mëparshëm. Këta faktorë ishin në radhë të parë me karakter politik, e mandej edhe me karakter shoqëror.

Ushtritë austro-hungareze u futën në Lushnjë afërisht në fund të muajit janar 1916. Për këtë ngjarje në shtëpinë muze “Kongresi i Lushnjës”, ruhet një dorëshkrim në të cilin përshkruhet hyrja dhe qëndrimi i tyre në qytet. Ky dorëshkrim është shkruar nga Ahmet Shehu, i cili ka qenë dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje. Kështu në faqen 9, ai shkruante: “Në Lushnjë (bashkë me ushtritë austro-hungareze) u futën edhe forca shqiptare të komanduara nga Oficeri Abaz Taushani, i cili sapo hyri në qytet menjëherë hoqi flamurin e Esadistëve dhe vendosi flamurin kombëtar. Sakaq forcat shqiptare vajtën deri në Fier, ku zunë pozicionet në katundet Levan, Pojan e të tjera. Përtej lumit Vjosë ishin vendosur ushtria pushtuese italiane. Pas disa ditëve mësohet se ushtarët italianë bënë një sulm kundër forcave shqiptare të vendosur pranë Vjosës, të cilat u zmbrapsën për në Fier. Austriakët këtë e quajtën sabotim nga shqiptarët, kështu arrestuan shumë oficerë nga të cilët me anën e gjyqit ushtarak i dënuan me pushkatim, Mehmet Kurtin (Ngurrza), Kambër Bënjën, Abaz Taushanin, dhe Ymer Kuçi”. Sakaq në Lushnjë në këtë kohë u emërua si Nën/Prefekt Izet Zavalani një patriot i tërbuar. Ndërsa Komandant i Xhandarmërisë u emërua kapiteni Rexhep Shala. Izeti si detyre kryesore të tijën vuri çeljen e shkollave të mësimit shqip, ku në rrethin e Lushnjës u hapën edhe shumë shkolla, për plotësimin e kuadrove arsimtarë dërgoheshin në Berat, personat që kishin të paktën 4-5 klasa fillore, ku u çelën një kurs dy mujorë. Sakaq Izeti thirri në Lushnjë mësuesin Ikonom Dhimën të cilin e njihte më parë dhe u këshillua me këtë se ku mund të çeleshin shkollat. Pasi shëtitën bashkë me Ikonomin në të gjithë rrethin e Lushnjës dhe në ato katunde që u vendos shkolla urdhëroj ngritjen e godinave”.  Në vazhdimësi të kësaj nisme në shtator 1916, në fshatin Pirrë u çel shkolla e parë shqipe me mësues Petro Muzakën. Po në të njëjtin muaj u çel shkolla e parë shqipe në Krutjen e Sipërme e vendosur fillimisht në anekset e kishës ortodokse të fshatit, me mësues Jorgaq dhe Marigo Semini. Një tjetër shkollë shqipe u çel në fshatin Delisufaj me mësues Lili Kozma Bandilli nga fshati Toshkëz. Tjetër shkollë shqipe u hap në fshatin Bishqethëm me 20 nxënës me mësues veteran Prof. Dani. E kështu më radhë u hapën shkolla shqipe në fshatin Këmishtaj me mësues Themi Dhima; në fshatin Imshtë me mësues Ibrahim Gramshi Kërçuku, shkolla u hap pranë xhamisë së vjetër; në fshatin Shegas, me mësues Thanas Ndoni; në fshatin Gjuzaj (1917), pranë xhamisë me mësues elbasanas Tahsim Dylgjeri; në fshatin Rrapëz (1917) me mësues Petro Muzakën; në fshatin Çanakaj, me mësues elbasanas Ibrahim Beluli dhe në fshatin Zharnec (1917). Me pak fjalë gjatë viteve të pushtimit austro-hungarez në Nën/Prefekturën e Lushnjës u hapën gjithsej 23 shkolla shqipe në cilat punuan 26 mësues.

Ndërkaq mësojmë se austro-hungarezët gjatë qëndrimit të tyre bënë edhe disa statistika. P.sh, në qytetin e Lushnjës numëroheshin 1687 banorë, nga të cilët 1333 ishin myslimanë dhe 354 ishin të besimit krishterë, të ndarë midis lagjeve Teqe (Kadri Qystri), Topallti (Loni Dhamo), Mehmet Pasha (Xhevdet Nepravishta) dhe Derexhik (Çlirimi) të cilat kishin pak a shumë 400-500 banorë secila. Ndërsa Nënprefektura numëronte 24919 banorë.  Ndërkaq nënprefekturës së Lushnjës austro-hungarezët i bënë një riorganizim administrativ, ku fshatrat Dushk (Peqin) Allprenaj (Peqin) dhe Hajdaraj (Peqin) ju bashkuan kësaj njësie. Në planin e infrastrukturës ushtritë austro-hungareze, për nevojat e tyre ndërtuan një rrjet dekovili (hekurudhë me binarë të ngushtë 0.65 m), i cili fillonte në Shkodër dhe kalonte pranë Lezhës, për të përfunduar në Vorë. Prej këtu ai ndahej në dy degëzime; njëra shkonte drejt Tiranës, tjetra pranë pazarit të Shijakut. Vazhdonte më pas drejt Durrësit, Kavajës, Gosësdhe Rrogozhinës. Përsëri po këtu ndahej në dy degëzime; njëra që shkonte për në Peqin, Papër,Elbasan dhe degëzimi që nisej nga Rrogozhina për të kaluar në Çermë, Dushk, Lushnjë. Përsëri në Lushnjë ajo ndahej në dy degëzime. Njëra kalonte për në drejtim të Beratit, tjetra për në Kolonjë, Mbrostar, Fier për të përfunduar në fshatin Levan. Sakaq austro-hungarezët lejuan që këtë rrjet dekovili mund ta përdorte edhe popullsia vendase si mjet transporti. Ndërtimi i një dekovili pranë qytetit të Lushnjës, me siguri banorëve të asaj periudhe duhet t’i këtë bërë shumë përshtypje.

Sakaq ushtarët e xhenios austro-hungareze ndërtuan edhe një teleferik në vendin pranë ish-gurores së vjetër në Karbunarë që lidhte kodrën e ish-gurores me kodrën e Stan-Karbunarës. Pikërisht që prej këtu ata mbanin nën vëzhgim të gjitha lëvizjet e italianëve.

Në planin e administrimit austro-hungarezët u morën edhe me vendosjen e rendit duke dërguar xhandarë në çdo zonë problematike të rrethit. Administrata ushtarake austro-hungareze lejoi ngritjen e flamurit shqiptar, ndihmoj në krijimin e “komisioneve letrare” për lëvrimin e gjuhës. U njoh gjuha shqipe si gjuhë zyrtare e administratës.

Për t’u rikthyer edhe një herë shkrimit aty thuhet: “Në vitin 1917 si në të gjitha viset e Shqipërisë ashtu edhe në Lushnjë shpërtheu një zi e madhe buke, kjo për shkak të Luftës. Por duket se kjo e fundit nuk ishte shkaktari i vetëm, thatësira e madhe e verës solli boshatisjen e rezervave të drithore. Populli mbeti pa bukë. Ndërkaq banorët e zonës filluan të shisnin gjënë e gjallë dhe atë pakëz pasuni që kishin vetëm e vetëm për të siguruar bukën e gojës. Problem kryesorë ishte racionimi i bukës nga ushtritë austriake e vendosur në qytet. Sa ditë kalonin aq  më shumë vinin e raciononin bukën, ndërkohë ndihej në ushtri një vuajtje ekonomike. Në popull ushtria austro-hungareze e blinte mishin me çmime të lira. Monedha që qarkullonte në treg ishte korona austriake e cila në këtë periudhë e kishte humbur shumë vlerën. U arrit deri në atë pikë sa populli nuk kishte më asgjë për të shitur dhe për të blerë”. Por edhe ata pak persona që kishin misër e ruajtën për familjet e tyre, sakaq pati edhe nga ata që spekulonin me çmimin, ku një qese misër e shisnin për 30 napolona floriri”.

Nga burimet arkivore zbulojmë se ushtria austro-hungareze kishte informacion të detajuar mbi gjendjen e rëndë që ishte krijuar për shkak të luftës. Në një dokument me datë 9 shkurt 1918, i cili shënohet si “tepër sekret”, thuhet:

“….ndodhen në mizërie të madhe shtetasit shqiptar që janë evakuuar nga fronti ynë i Jugut.. Një numër i madh nga të evakuuarit ndodhen në distriktin e Tiranës. Njerëzit në pjesën më të madhe nuk kanë orendi shtëpiake dhe rezerva ushqimore”.

Për të krijuar një ide më të qartë të gjendjes së popullsisë në qytetin e Lushnjës, po paraqesim dhe një letër me mjaft detaje tronditëse, e shkruar nga Abedin Shkëmbi, që në vitin 1917 mbante postin e Drejtor i Shkollës Mashkullore në Lushnjë. Ndër të tjera me nota migjeniane aty shkruhet: “Dihet faqeza se zbatimi i detyrës është ma e shenjta ma e ndershmia vepër qi bënë njeriu në kohën e jetimit të vet, por nga mungimi i sigurimit të ushqimit fatkeqësisht ma ka ndalue për me arit kësaj shkallës së lavdishme: se detyrën e zbaton një trup i shëndosh, një mendie e qetë e jo një trup i pa ushqyer e një mendie e lodhur me mejtimet e nevojës së ushqimit. Nevoja e ushqimit s’na lë epikrën e atdhetarismës, epikrën e nevojë të punimit me dëshirë, epikrën e moralit ne jo vetëm në kohën e pushtimit por edhe në kohën e punimit jemi tue u mejtue rrolet e mënyrës së rrjepjes e të vjedhjes të gënjeshtrës të tradhtisë së ndë trupat t’onë ësht tue u rrënjosur e tue u themelue helmi ekonomik i cili na ka hidhërue gjakun e s’po marrim dot veten. Gjarpri ekonomik po na i thith gjakun, e trupat po na i lë në drut e thatë. Mungimi i sigurimit t’ ushqimit me dëshpërim e si çiliminjtë  tue vajtue pa pushim, po na shtrëngon të heqim dorë nga zyra e arsimit e të thërresim tue thënë se : na paçim më qafë kryetarët e kësaj zyre. Zotni! Pjasën e këtushme vlefta e një koroni ka zbrit një grosh d.m.th rroga ime ësht prej 200 grosh pra tash u lutem t’m epni mjaft spigime mbi mënyrën e rritjes të një fëmies prej 6 a 7 vetash. Po desht të punoni si atdhetar të merrni dy masat që po shënojmë posht. Të siguroni ushqimin e fëmijët e arsimtarëve por jo vetëm me 6 qillo miell për njeri në muaj se njeriu këtë miell s’mund të rrojë as 15 dit me një kondit  që të haj vetëm bukë that e as të vishet, as të ngjishet, as të lahet, as të ndërrohet: Kemi turp t’ua apim fjalë nxënësve për pastërië se mungimi i sapunit na ka lënë ne në shkallën e fundit të ndyrësirës. Po s’mundë me ba nyjën e parë u lutem atdhetarisht të mbaroni detyrën atdhetarike e njërëszve tue mos lënë arsimtarët në shkallën e fundit të çnderimit por me emrin e atdheut të shkruani ku duhet e t’na merrni me gjithë fëmijë për me heth në valët ma të rrepta dhe ma të mëdha të një deti, se ndryshe nuk njihi që të kini mbarue një detyrë atdhetarike. Si drejtor i Arsimit që të njohë për s’afërmi duhet të zgjohni krahun e mëshirimit e shpëtoni arsimtarët nga kjo greminë tmeruar po ca më dreit një grusht atdhetar që kanë mbet. Kemi ardhur në shkallën e fundit Zotni, shpresa durimi po humbet. Me nder firmosur Drejtori Abedin Shkëmbi. (Lushnjë 22/ 11/ 1917). Duke ju rikthyer edhe një herë dorëshkrimit të Ahmet Shehut, shohim: “Në korrik të vitit 1918 ushtria italiane, hyri fshehurazi nga Gryka e Semanit duke vazhduar marshimin deri në Mbrostar dhe që këtej hyn në Fier dhe pas një luftimi të ashpër ushtritë austro-hungareze u tërhoqën në Lushnjë. Pas dy ditësh pushtohet edhe Berati nga italianët, të cilët erdhën deri në katundet rreth lumit Seman disa u hodhën edhe për këtej lumit në rrethin e Lushnjës. Austro-Hungarezët i përqendruan forcat e tyre në kodrat e Karbunarës dhe Lushnjës madje duke u instaluar këtu artilerinë e rëndë dhe armatimet e tjera. Ndërkohë austro-hungarezët i larguan popullsitë e këtyre qendrave në fusha, ndërsa një pjesë e çoi në Rrogozhinë. Gjatë gjithë kohës që vazhdonin sulmet në Lushnjë qëndronte Komandanti i Korparmatës Gjenerali Trolman. Mësojmë se ai kërkoj të transferohet për shkak se ishte infektuar nga sëmundja e malaries. Në vend të tij, ushtria austro-hungareze dërgoj Gjeneralin France Baltin, njëri me shumë i egër dhe luftarak i fort. Sapo mbërriti në Lushnjë (Gjeneral Baltin) mblodhi menjëherë Shtatmadhorinë e tij ku dhe hartoj një plan për të sulmuar italianët. Sa hartoj planin dhe pa humbur kohë filloj ofensivën kundër ushtrisë italiane në drejtim të Urës së Kuçit, pranë fshatit Fier- Shegan këtu u zhvillua një luftë e egër (ku) italianët u thyen keqani, ushtria austriake kapi përsëri kufinjtë e mëparshëm”.

Sipas burimeve italiane mësojmë se më 24 korrik 1918 kolona të shumta austro-hungareze sulmuan dy herë me furi të madhe pozicionet italiane të vendosura në kodrat e Ardenicës. Pas luftimit që zgjati disa orë, austro-hungarezët pësuan humbje të mëdha. Ndërkohë një tjetër betejë po më datë 24 korrik është zhvilluar në afërsi të Urës së Kuçit, këtu forcat austro-hungareze kaluan lumin Seman nga lindja dhe pranë urës arritën të futeshin në brendësi deri në avampostet italiane, por pas një kundërsulmi të fuqishëm i bërë më 25 korrik italianët arritën ti zmbrapsin austro-hungarezët matanë lumit Seman. Këto pozicione dy ushtritë i mbajtën edhe për disa muaj, deri në largimin përfundimtar të austro-hungarezëve, të cilët e lanë vendin në dorë të pushtuesit italian. Bazuar në dëshmitë e banorëve të rrethit Lushnjë, mbledhur nga administrata e kohës në vitet (1961-1964) mësojmë se gjatë pushtimit austro-hungarez, fshatrat që u prekën më shumë nga grabitjet e tyre ishin: Babunja, Bubullima, Gradishta, Gorreja, Gjonaj, Halilaj, Kamçishti, Kolonja, Lumthi, Shakuj e të tjerë. Ndërkohë në Divjakë austro-hungarezët ua morën gjithë pasurinë fshatarëve dhe më e shumta “ e katundit ngeli pa pendë”. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe Manastiri i Ardenicës, i shquar për vlerat e tij kulturore u përdor nga forcat Austro-Hungareze si kazermë ushtarake.   Në lidhje me pushtimin austro-hungarez në Shqipëri ka një përzierje qëndrimesh ku janë përfshirë dhe emra të shquar si Konica, Noli, Gurakuqi apo Fishta. Në një kumtesë të Namik Resulit me shqiptarët e Amerikës ai shprehet se abuzohet me qëndrimin oportunistë dhe filoaustrik të Konicës dhe për këtë duhen parë arkivat në Vjenë.

Vetë Konica e quan Austrinë një mikeshë të Shqipërisë sepse Austria për qindra vjet mbron shqiptarët katolikë dhe shqiptarët katolikë janë shkak që u mbajt gjallë kombësia jonë; nga frika e Austrisë nuk veprojnë grekët dhe sllavët; Austria lejon të mësojmë gjuhën shqipe, shkolla që mban Italia jo. Pra duke përfunduar mund të përsërisim atë që thamë në fillim të këtij shkrimi, se ky pushtim mund të konsiderohej si një e keqe më e vogël, meqenëse shqiptarët u lejuan të përdornin simbolet kombëtare dhe të mësonin gjuhën e tyre, liri jetike për një komb pra, por në një plan tjetër ky pushtim solli një shkatërrim të jetës dhe ekonomisë së vendit që u rëndua edhe më shumë në kohën që pasoi. Përballë kësaj situate siç pamë dhe në panoramën që na paraqet drejtori i shkollës mashkullore Abedin Shkëmbi, në këto kushte dhe ndërgjegjja patriotike më e zjarrtë, zbehet dhe tjetërsohet.